Veshjet mjekësore të Turqisë, të papërdorshme në Britani
Rreth 400,000 veshje mjekësore të porositura në Turqi nga Mbretëria e Bashkuar, nuk janë shpërndarë për stafin mjekësor sepse ato nuk përmbushin standardet britanike të sigurisë, ka konfirmuar Qeveria britanike.
Dërgesa e pajisjeve për mbrojtje personale ka arritur muajin e kaluar, mirëpo pajisjet tani kanë mbetur nëpër magazina qeveritare.
Ende nuk është bërë e qartë nëse zyrtarët britanikë do të kërkojë kompensim për këtë porosi.
Përgjatë muajve të fundit, punëtorët shëndetësorë në Britani- duke përfshirë mjekë dhe infermierë- janë ankuar për mungesë të pajisjeve adekuate mjekësore, siç janë maskat, dorezat dhe veshjet.
Mbretëria e Bashkuar është vendi i prekur më së keqi në Evropë nga koronavirusi.
Në këtë territor janë regjistruar mbi 200,000 persona të infektuar dhe mbi 30,000 të vdekur si pasojë e sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Shtyhen zgjedhjet presidenciale në Poloni, shkak koronavirusi
Partitë e koalicionit qeveritar në Poloni janë pajtuar për të shtyrë zgjedhjet presidenciale të së dielës për shkak të shpërthimit të koronavirusit.
Partia nacionaliste, Ligji dhe Drejtësia ka kërkuar që procesi i votimit të zhvillohet për ta rizgjedhur Andrzej Dudan si president.
Mirëpo partia e vogël në koalicion, Marrëveshja si dhe partitë opozitare, kanë thënë se partia në pushtet po vendos politikën përpara shëndetit të njerëzve.
Data për mbajtje të zgjedhjeve do të caktohet “sa më shpejt që është e mundur” dhe procesi do të realizohet vetëm përmes postës.
Koha e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve ka shtyrë Poloninë drejt një krize politike, në kohën e pandemisë me koronavirus.
Si vëzhguesit ndërkombëtarë, ashtu edhe ata polakë kanë ngritur shqetësime se zgjedhjet nuk do të mund të jenë mjaftueshëm transparente, marrë parasysh se shumë kandidatë kanë pezulluar fushatën për shkak të masave të izolimit, me qëllim të luftimit të sëmundjes Covid-19, që shkakton ky virus.
Polonia ka rreth 15,000 raste të konfirmuara dhe mbi 700 pacientë të vdekur si pasojë e këtij virusi.
Ndonëse këto shifra janë më të vogla sesa në shumë vende të Evropës Perëndimore, ministri polak i Shëndetësisë ka paralajmëruar se piku i virusit nuk është shënuar ende.
Kina përgjigjet ndaj kritikave të Trumpit për koronavirusin
Presidenti amerikan, Donald Trump ka shtuar së fundmi kritikat kundër Kinës, duke thënë se ky shtet nuk ka bërë mjaftueshëm për të ndalur koronavirusin kur është shfaqur për herë të parë në Vuhan dhe Hubei.
Në Kinë këto akuza janë hedhur poshtë. Pekini ka mohuar pretendimet se nuk ka njoftuar botën me kohë, se nuk ka qenë transparente dhe supozimet se virusi është i lidhur me një laborator në Vuhan.
Teksa në këto deklarata është kritikuar edhe vetë Trump, mediat kineze kanë cilësuar Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo si “djall” dhe “të çmendur”, pasi ai ka pretenduar se ka të dhëna që virusi është i lidhur me një laborator kinez.
Shtetet e Bashkuara janë prekur më së keqi në botë nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Mbi 1.2 milion persona janë infektuar, derisa mbi 70,000 pacientë kanë vdekur, si pasojë e këtij virusi.
Uber do të largojë nga puna 14 për qind të punëtorëve
Shërbimi ndërkombëtar i taksive Uber ka njoftuar se do të largojë nga puna 3,700 punëtorë të stafit me orar të plotë, apo rreth 14 për qind të fuqisë punëtore.
Aktiviteti i kësaj kompanie ka rënë prej kur ka nisur pandemia me koronavirus.
Mirëpo edhe në të kaluarën, Uber është përballur me vështirësi të balancimit të porosive, çka i ka kushtuar kësaj kompanie me 8.5 miliardë dollarë humbje vetëm në vitin 2019.
Kompania ka thënë se shkurtimet do të bëhen në ekipet për kujdes të konsumatorëve dhe në ato për shitje me pakicë.
Shefi ekzekutiv i kompanisë, Dara Khosrowshahi ka thënë se do të heqë dorë nga paga e tij bazë, në vlerë të 1 milion dollarëve, për pjesën tjetër të vitit.