Rruga Ballkanike edhe më tej ‘lojë e jetës dhe vdekjes’
Që nga fillimi i këtij viti e deri më tash, në Kosovë kanë hyrë rreth 670 migrantë, të cilët janë paraqitur si azilkërkues te autoritetet vendore, por aktualisht më pak se një e treta e këtij numri janë akomoduar si azilkërkues në Kosovë, konfirmojnë autoritetet vendore, kompetente për strehimin e migrantëve azilkërkues.
Sipas tyre, rreth dy të tretat e këtij numri, para se pandemia e koronavirusit ta përfshijë Kosovën, e kanë shfrytëzuar territorin e saj vetëm si vend transit në rrugën e tyre drejt vendeve të Evropës Perëndimore.
Migrantët që kanë kërkuar azil në Kosovë, janë vendosur në Qendrën për Azil, e cila funksionon në kuadër të Ministisë në detyrë të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.
Në fillimin e javës së dytë të muajit prill, përderisa vendi gjendej nën masat e marra nga institucionet shëndetësore dhe qeveritare për parandalimin dhe luftimin e pandemisë së koronavirusit, autoritetet e vendit kanë konfirmuar se në Kosovë kanë hyrë në mënyrë jolegale 31 persona, të cilët janë vendosur fillimisht në karantinë, nën dyshimet se mund të jenë të infektuar me koronavirus.
Si po trajtohen ata në Kosovë?
Deklaratat e autoriteteve i gjeni këtu.
Vdes një paciente nga koronavirusi në Kosovë
Të enjten në Kosovë është konfirmuar edhe një paciente e vdekur si pasojë e koronavirusit, duke e çuar numrin total të viktimave në 27.
Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka njoftuar se pacientja ka qenë 63-vjeçare.
“Në orët e mëngjesit ka ndërruar jetë pacientja e lindur me 1957 nga komuna e Dragashit, e cila veç infeksionit me Covid-19, ka pasur edhe sëmundje kronike të veshkave dhe sëmundje tjera shoqëruese”, është thënë në njoftimin e kësaj Klinike.
Aktualisht aty është thënë se janë të shtrirë 12 pacientë të prekur me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Prej tyre nëntë janë në gjendje stabile, dhe dy raste janë në trajtim me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive.
Nga klinika pritet të lirohen të enjten pestë pacientë të shëruar nga ky virus ndërsa dy të tjerë, të cilët kanë rezultuar negativë në testimet e fundit për Covid-19, vazhdojnë trajtimin në klinikë.
Në Kosovë deri më tani janë të regjistruar 860 persona të infektuar dhe 533 të shëruar nga koronavirusi.
Policia e Kosovës ndalon 21 persona që s'i respektuan masat kundër koronavirusit
Policia e Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar 21 persona, të cilët nuk i kanë respektuar masat e vendosura nga autoritetet për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës është thënë se në 12 raste janë hasur 21 persona që dyshohen për veprën "mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë”.
Policia ka thënë se numri më i madh i personave të ndaluar është regjistruar në Prishtinë dhe në Prizren.
Më 4 maj në Kosovë, ka nisur faza e parë e lehtësimit të masave të izolimit kundër koronavirusit.
Orari i lëvizjes së qytetarëve është rritur nga një orë e gjysmë në ditë, në tri orë, ndërsa disa biznese janë rihapur.
Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë masat e distancimit fizik dhe mbajtjen e maskave.
Në Kosovë janë të regjistruar 860 persona të infektuar, 533 të shëruar dhe 26 të vdekur si pasojë e sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi.