Rritet numri me Covid-19 në Maqedoninë e Veriut
Në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 33 persona të infektuar me koronavirus nga 332 testet e realizuara, që paraqet shifrën më të lartë që nga 25 prilli kur kishte 41 raste.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar për 11 të infektuar në Shkup, 9 në Veles, 5 në Prilep, nga 2 në Kumanovë dhe Tetovë dhe nga 1 në Shtip dhe Kriva Pallankë.
“Nuk mund ende të themi se cilat mund të jenë shkaqet për një rritje të tillë. Mund të jetë për shkak të lehtësimit të masave të lëvizjes në dy javët e fundit, sikur edhe në vendet tjera ku gjithashtu ka pasur një rritje të lehtë. Por sidoqoftë, ne në dy ditët e ardhshëm do të shohim se si çfarë shifrash do të kemi që të dalim me ndonjë vlerësim më të qartë”, ka deklaruar Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Ai ka bërë thirrje për respektimin e plotë të masave, mbajtjen e maskave si dhe ruajtjen e distancës fizike, si dy nga kriteret kryesore për parandalimin e përhapjes së virusin ndërsa ka njoftuar se të premten dhe të shtunën do të vendoset për masat tjera.
Ndërkohë, sa i përket të shëruarve gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 22 persona që kanë fituar betejën me COVID-19, numri më i madh i tyre është në Kumanovë dhe Prilep.
Gjithashtu, është regjistruar edhe një viktimë. Një burrë i moshës 70 vjeçe nga qyteti i Velesit ka ndërruar jetë rrugë për në qendrën infektive në Shkup.
Sipas të dhënave të reja, numri i përgjithshëm i pasojave nga COVID-19 është si vijon: 1572 të infektuar, prej tyre 1079 të shëruar, 89 të vdekur dhe 404 ende aktiv me koronavirus.
Në Maqedoninë e Veriut që nga paraqitja e rastit të parë me koronavirus në 26 shkurt, janë realizuar 18,168 teste.
Kroacia shënon gjashtë raste të reja me koronavirus
Në Kroaci, gjatë 24 orëve të fundit, janë konfirmuar edhe gjashtë raste të personave që janë infektuar me koronavirusin e ri.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve në këtë vend ka arritur në 2,125.
Maja Bujeviq, drejtuese e Shtabit të Krizës të ministrisë së Shëndetësisë, tha se është shënuar edhe një vdekje nga COVID-19 [sëmundja që e shkakton koronavirusi] duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 86.
Deri më tani, në Kroaci janë shëruar 1,641 persona.
Më 4 maj ka filluar fazën e dytë të lehtësimit të masave kundër pandemisë.
Ky vend ka lejuar hapjen e disa llojeve të bizneseve të vogla, si dhe ka filluar me riaktivizimin gradual të sistemit të kujdesit shëndetësor.
Përshëndetjet e së ardhmes?!
Drejtori i Institutit amerikan për Alergji për Sëmundje Infektuese, Anthony Fauci, ka thënë së fundmi: Të jem i sinqertë, nuk besoj se ndonjëherë do të shtrëgojmë duart. Në kohën e koronavirusit, me siguri që dëshironi të bëni përshëndetje në mënyrë të sigurt. Këtu janë disa sugjerime.
Koronavirusi prek “më shumë” njerëzit me ngjyrë në Mbretërinë e Bashkuar
Analiza e re, e bërë publike nga Zyra për Statistika Kombëtare, ka vënë në pak se burrat dhe gratë me ngjyrë kanë dyfish më shumë mundësi që të vdesin nga koronavirusi për dallim nga personat tjerë.
Kjo analizë ka kombinuar të dhënat për viktima si pasojë e sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi dhe të shifrat e regjistrimit të popullsisë më 2011.
Aty është veçuar mosha, vendi ku kanë jetuar njerëzit dhe problemet me shëndet.
Pasi janë bashkuar këta faktorë, burrat dhe gratë kanë pasur 90 për qind më shumë mundësi që të vdesin nga koronavirusi i ri.
Pjesëtarët e komuniteteve nga India, Bangladeshi dhe Pakistani po ashtu kanë qenë më shumë në rrezik nga ky virus, në krahasim me racën e bardhë.
Mbretëria e Bashkuar është vendi i prekur më së keqi në Evropë nga koronavirusi.
Në këtë territor janë regjistruar mbi 200,000 persona të infektuar dhe mbi 30,000 të vdekur si pasojë e sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi.