Bizneset joformale nuk do të ndihmohen nga shteti
Pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve në Kosovë për të luftuar ekonominë informale, biznese të shumta në Kosovë kanë vazhduar aktivitetin e tyre ekonomik në këtë formë duke i ikur obligimeve tatimore që kanë ndaj shtetit.
Sipas raporteve të mekanizmave vendorë dhe ndërkombëtarë ekonomia joformale në Kosovë, përbën më shumë se 30 për qind të bruto produktit vendor, që përkthyer në shifra është rreth 1.8 miliard euro në vit.
Këto biznese joformale si shumë aktivitete tjera ekonomike u detyruan të mbyllin dyert pas masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në këtë link.
Një ndihmës ushtarak i Shtëpisë së Bardhë është pozitiv në COVID-19
Një ndihmës ushtarak i Shtëpisë së Bardhë ka dalë pozitiv në testin e COVID-19 [sëmundja që shkakton koronavirusi].
Raportohet se ky zyrtar ushtarak, është pjesë e një njësie që punon ngushtë me presidentin amerikan, Donald Trump.
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha të enjten se presidenti Trump nuk është infektuar.
"Kohët e fundit jemi njoftuar nga Njësia Mjekësore e Shtëpisë së Bardhë se një anëtar i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, i cili punon në kampusin e Shtëpisë së Bardhë, është testuar pozitiv për koronavirus", tha Zëvendës Sekretari i Shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Hogan Gidley.
"Presidenti dhe nënpresidenti janë testuar dhe kanë dalë negativ. Ata gëzojnë shëndet të plotë", tha ai.
Presidenti Trump ka refuzuar me vendosmëri të veshë një maskë mbrojtëse në publik, siç bëjnë zyrtarët e lartë amerikanë.
Tre të vdekur nga koronavirusi në Serbi
Në Serbi gjatë 24 orëve të fundit kanë vdekur tre persona si pasojë e koronavirusit.
Ministria serbe e Shëndetësisë tha se numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 206.
Shkalla e vdekshmërisë aktuale, siç u theksua, është 2.09 përqind.
Numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus, në 24 orët e fundit është 57, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 9.848 persona, tha ministria.
Më 6 maj, Parlamenti i Serbisë votoi për heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, e cila u vendos më 15 mars, për shkak të pandemisë.
Autoritetet shëndetësore kanë udhëzuar qytetarët të mbajnë maskat mbrojtëse të fytyrës si dhe kanë ndaluar tubimet.
Tetëdhjetëvjeçarja që ndihmon njerëzit në izolim
Prej kur ka filluar izolimi i njerëzve nëpër shtëpi në Rusi, një 80-vjeçare është duke ndihmuar me ushqime ata që kanë nevojë. Me furgonin e saj, ajo bart ushqimin nëpër disa shtëpi.