Qendrat Tregtare në Danimarkë do të rihapen më 11 maj
Në mes të muajit mars, Danimarka ishte një nga vendet e para evropiane, që vendosi masën e izolimit dhe është ndër të parat, që më pas, lehtësoi kufizimet.
Dyqanet e vogla tashmë janë të hapura, por tani nga data 11 maj do të lejohet puna edhe e qendrave të mëdha tregtare.
Një javë më vonë, do të hapen shkollat dhe restorantet.
"Ky vendim vjen si rezultat i një përpjekjeje të bashkuar dhe mbresëlënëse. Tani jemi në një situatë kur mund të fillojmë një rihapje serioze të shoqërisë sonë", tha kryeministrja, Mette Frederiksen.
Por, ajo tha se masa e distancës fizike do të mbetet në fuqi.
Danimarka ka regjistruar 514 vdekje dhe më shumë se 10,000 raste të të infektuarve me koronavirusin e ri, që nga fillimi i pandemisë.
Merkel dhe Papa bisedojnë për situatën e pandemisë në botë
Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe Papa Françesku diskutuan të enjten efektet që ka pasur në botë pandemia e koronavirusit dhe ranë dakord për nevojën që të ndihmohen vendet më të varfra, tha zëdhënësi i Merkelit.
"Biseda u përqëndrua në situatën humanitare dhe politike gjatë pandemisë dhe rëndësinë e solidaritetit në Evropë dhe në botë", tha zëdhënësi Steffen Seibert përmes një deklarate.
"Të dy ishin të një qëndrimi, se gjatë pandemisë, duhet përkrahur në veçanti vendet më të varfra në botë", shtoi ai.
Merkel, e ka ftuar Papa Françeskun të vizitojë Gjermaninë, sapo të lejojnë rrethanat.
Më 1 maj, edhe sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka ngritur shqetësimin për mungesën e ndihmës për vendet e varfra.
Guterres ka thënë në një konferencë për media se bashkësia ndërkombëtare ishte e ndarë në momentet më të rëndësishme të luftimit të koronavirusit.
"Ekziston një shkëputje midis udhëheqjes dhe pushtetit. Ne shohim shembuj të mrekullueshëm të udhëheqjes, por ato zakonisht nuk shoqërohen me pushtetin. Dhe, ku ne shohim pushtetin, ndonjëherë nuk shohim udhëheqjen e nevojshme", ka thënë Guterres.
Norvegjia lehtëson masat e izolimit
Norvegjia ka njoftuar se do të lehtësojë masat e izolimit duke lejuar tubimin e grupeve deri në 20 persona, me kusht që ata të mbajnë distancën fizike.
Norvegjia ka qenë në izolim të rreptë që nga 12 marsi.
Nga e hëna (11 maj) do të hapen të gjitha shkollat dhe nga data 1 qershor do të hapen baret dhe parqet argëtuese.
Autoritetet kanë njoftuar se do të lejojnë zhvillimin e ndeshjeve të futbollit, nga data 16 qershor.
Sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins ky vend ka 7,996 të infektuar me koronavirusin e ri dhe 216 vdekje.
Kosovë: 28 të shëruar, një rast i ri me COVID-19
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit nga koronavirusi, i cili shkakton sëmundjen e frymëmarrjes COVID-19, janë shëruar 28 persona.
Numri i përgjithshëm i të shëruarve është gjithsej 561 raste.
Sipas Institutit, nga 194 testime vetëm një rast ka dalë pozitiv në COVID-19.
"Rasti pozitiv është rast kontakti nga komuna e Kamenicës", thuhet në njoftim.
Që nga data 08 shkurt në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare, janë testuar gjithsej 9.279 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 861 raste, me 27 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.
Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka njoftuar se aktualisht aty janë të shtrirë 12 pacientë.
Prej tyre nëntë janë në gjendje stabile, dhe dy raste janë në trajtim me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive.