Evropa shënon 75-vjetorin e Ditës së Çlirimit në izolim
Liderët në gjithë Evropën janë duke shënuar 75-vjetorin e Ditës e Çlirimit të Evropës, teksa pjesa më e madhe e kontinentit përballet me izolim për shkak të koronavirusit.
Mbretëria e Bashkuar do të mbajë heshtje për dy minuta, për të ndjekur më pas një adresim të Mbretëreshës Elizabeta II.
Ceremoni të mbyllura do të mbahen edhe nga liderë të Francës dhe Gjermanisë, ndonëse grumbullimet publike janë të ndaluara.
Më 8 maj të vitit 1945, forcat britanike dhe aleatët kanë miratuar zyrtarisht dorëzimin e pakusht të forcave naziste të Gjermanisë, pas gati gjashtë vjetëve të luftës.
Për të shënuar këtë ditë, presidenti francez Emmanuel Macron do të dërgojë një kurorë lulesh te varri i një ushtari të panjohur në Paris.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel do të udhëheqë një ceremoni në Memorialin e Luftës në qendër të Gjermanisë.
Në Berlin, punëtorëve u është dhënë ditë e pashembullt pushimi, ndonëse kështu nuk ka ndodhur në pjesën tjetër të vendeve.
Festime të ngjashme për Ditën e Çlirimit do të mbahen më 9 maj në disa ish-shtete sovjetike, përfshirë, Rusinë, Ukrainën dhe Bjellorusinë.
OKB-ja bën thirrje për ndalje “të stuhisë së urrejtjes” rreth koronavirusit
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres ka kërkuar që të bëhen “të gjitha përpjekjet” për t’i dhënë fund racizmit të lidhur me pandeminë e koronavirusit.
“Pandemia vazhdon të krijojë stuhi të urrejtjes dhe ksenofobisë, sharjeve dhe frikësimit”, ka thënë të premten Guterres.
“Ndjenja kundër të huajve është rritur online dhe në rrugë. Teoritë konspirative anti-semitike janë shpërndarë si dhe janë kryer sulme kundër myslimanëve të lidhura me sëmundjen Covid-19”, që shkakton koronavirusi.
Për më shumë, “gazetarët, informatorët, profesionistë të shëndetësisë, dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut, janë duke u shënjestruar vetëm për shkak se po kryejnë punën e tyre”, ka thënë ai.
Mbi 3.8 milionë persona janë infektuar në gjithë botën nga koronavirusi i ri, derisa mbi 200,000 pacientë kanë vdekur.
Australia prezanton tri fazat e përfundimit të izolimit
Kryeministri australian, Scott Morrison ka bërë të ditur se si do të rihapet territori që ai drejton nga ditët e fundjavës, pas masave të vëna me qëllim të luftimit të koronavirusit të ri.
Ai ka bërë të ditur se do të ekzistojnë tri faza, duke nisur të premten nga e para. Aty përfshihet:
-Lejimi i pesë mysafirëve në shtëpi, dhe grumbullimi i 10 njerëzve në ambiente të jashtme
-Restorantet, kafiteritë dhe dyqanet do të rihapen
-Do të vazhdojë puna nga shtëpia nëse iu përshtatet punëtorëve
-Klasat dhe hapësirat për argëtim për fëmijë do të rihapen
-Udhëtimi i brendshëm do të rikthehet
Në fazën e dytë do të përfshihen grumbullimi i më shumë se 20 personave, dhe rihapja e kinemave, palestrave, salloneve të bukurisë.
Faza e tretë ndërkaq parasheh grumbullimin e 100 personave.
Megjithatë marrja e këtyre vendimeve do të varet nga shteti në shtet, varësisht prej masave që kanë në fuqi për mbajtje të distancës fizike. Kuinsllend dhe Territori Verior tashmë kanë nisur të praktikojnë disa prej masave të përmendura.
“Do të ketë shpërthime, do të ketë raste të reja. Jo gjithçka do të shkojë sipas planit”, ka thënë Morrison.
“Mirëpo ne nuk mund të lejojmë që frika e kthimit e kthimit mbrapa të na bllokojë nga shkuarja përpara”, ka thënë mes tjerash ai.
Mbi 33 milionë amerikanë e kanë humbur punën që nga mesi i muajit mars
Në Shtetet e Bashkuara po vazhdon rritja e numrit të personave që kanë humbur punën për shkak të krizës së koronavirusit.
Javën e kaluar 3.2 milionë amerikanë u regjistruan si të papunë duke kërkuar ndihmën e autoriteteve.
Që nga mesi i muajit mars, numri i përgjithshëm i personave që janë regjistruar si të papunë ka arritur në 33.3 milionë.
Kjo shifër arrin në më shumë se 15% të fuqisë punëtore në SHBA.
Ekonomia amerikane u tkurr për 4,8 përqind në tremujorin e parë, dhe vlerësohet se mund të bjerë me një rekord prej 40 për qind në tremujorin e dytë (prill-qershor).
Ky nivel i rënies nuk ka ndodhur gjatë asnjë tremujori, që nga koha e pas Luftës së Dytë Botërore.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri më tani kanë numrin më të lartë në botë të personave që kanë vdekur nga sëmundja COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi i ri. Numri i të infektuarve ka arritur në 1,231,943, ndërkaq, nga koronavirusi kanë humbur jetën 73,573 amerikanë.