Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
10:50 8.5.2020

Hong Kongu lehtëson masat e kufizimit

Restorantet, studiot e stërvitjeve, sallonet e bukurisë, kinematë dhe shumë biznese tjera janë rihapur të premten në Hong Kong, pasi ky qytet vazhdon të mos regjistrojë raste të reja lokale me koronavirus në dy javë.

Megjithatë, hapja e tyre është kushtëzuar. Sallonet e bukurisë duhet të dezinfektojnë të gjitha pajisjet para kryerjes së trajtimeve, derisa konsumatorët dhe stafi duhet të vendosin maska.

Kufizimet në numrin e personave që mund të ulen bashkë në restorant, apo të takohen në publik, po ashtu janë lehtësuar - tani limiti është rritur në tetë.

Më herët gjatë kësaj jave, Hong Kong veçse ka nisur lehtësimin e disa kufizimeve, duke iu lejuar shërbyesve civilë që të kthehen në vendet e punës nga dita e hënë.

10:26 8.5.2020

Facebook dhe Google shtyjnë afatin e punës nga shtëpitë

Gjigantët e teknologjisë, Facebook dhe Google kanë thënë se do të lejojnë punëtorët e tyre të vazhdojnë punën nga shtëpitë deri në fund të vitit.

Ata kanë njoftuar për këtë vendim, teksa kanë prezantuar planet për të rihapur zyrat, ndonëse do të lejojnë më shumë fleksibilitet të punës nga shtëpitë.

Google fillimisht pati thënë se do të zbatojë politikën e punës nga shtëpitë deri më 1 qershor, mirëpo tani e ka shtyrë atë edhe për 7 muaj tjerë.

Facebook në anën tjetër pati thënë se do të rihapte zyrat më 6 korrik, teksa masat e izolimit lehtësohen gradualisht.

Shefi ekzekutiv i kompanisë Google, Sundar Pichai, ka thënë se punëtorët që kanë nevojë të kthehen në zyrë, do të mund ta bëjnë këtë gjë nga muaji korrik, me masa të shtuara mbrojtëse.

Mirëpo shumica e punëtorëve që mund të kryejnë punën nga shtëpitë, do të mund ta bëjnë këtë gjë deri në fund të vitit, ka shtuar ai.

Ndërkohë Facebook ka thënë se është ende duke vlerësuar se cilëve punëtorë do t’iu kërkohet kthimi në ambiente të punës.

Ky rrjet social ka qenë një nga kompanitë e para tekonologjike që u ka kërkuar punëtorëve të vet që të punojnë nga shtëpitë.

Facebook u ka dhënë punëtorëve që ka 1,000 dollarë shtesë për të punuar nga shtëpitë si dhe për të mbuluar shpenzimet e kujdesit ndaj fëmijëve.

Trendi i punës nga shtëpitë, duket se iu përshtatet shumë kompanive në botë, derisa të realizojnë planet e ridizajnimit të hapësirave të punës, ashtu që të zbatohet udhëzimi për distancim fizik.

09:55 8.5.2020

Ndalohen 20 persona në Kosovë që nuk respektuan masat kundër koronavirusit

Policia e Kosovës brenda 24-orëve të fundit ka ndaluar 20 persona, të cilët nuk i kanë respektuar masat e vendosura nga autoritetet për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës thuhet se në 14 raste janë hasur 20 persona që dyshohen për veprën: “Mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë”.

Numri më i madh i rasteve që nuk i respektuan masat kundër koronavirusit janë paraqitur në Komunën e Prizrenit, pasuar nga Prishtina.

Më 4 maj në Kosovë, ka nisur faza e parë e lehtësimit të masave të izolimit kundër koronavirusit.

Orari i lëvizjes së qytetarëve është rritur nga një orë e gjysmë në ditë, në tri orë, ndërsa disa biznese janë rihapur.

Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë masat e distancimit fizik dhe mbajtjen e maskave.

Në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 861 raste me koronavirus.

Prej tyre, 561 janë shëruar, ndërsa 27 kanë vdekur.

09:22 8.5.2020

Rrëfimi i infermieres për frikën dhe rrezikun nga COVID-19

Fetije Hyseni, infermiere në Klinikën Infektive, kishte shumë frikë kur filloi të merret me personat e sëmurë me sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Për 24 vjet, sa ajo ka punuar në këtë profesion, nuk kishte parë një frikë të tillë te stafi mjekësor, pacientët dhe familjarët.

Kur të gjithë banorëve u bëhej thirrje të qëndronin në shtëpi, ajo dhe kolegët e saj duhet të luftonin me një armik të padukshëm.

“Prej kur është paraqitur koronavirusi, ne si staf shëndetësor lajmin e kemi marrë me panik. Ka qenë virus i panjohur dhe sigurisht që kemi pasur frikë, ndonëse jemi staf shëndetësor dhe përballemi me epidemi të ndryshme në klinikën ku punoj. Por, nuk i dinim pasojat dhe ecurinë e virusit. Ishim në panik pasi që të gjithë rrinin në shtëpi, ne ishim në vijën e parë të frontit. Nuk i dinim simptomat e pacientëve, nuk e dinim me çka do të përballeshim,” tha Hyseni për Radion Evropa e Lirë.

Si ndryshoi gjithçka vdekja e personit të parë nga ky virus?

E kuptoni duke klikuar këtu.

Fetije Hyseni.
Fetije Hyseni.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG