Kur do të fluturojmë sërish?
Qiejt janë zbrazur nga avionët komeracialë. Pandemia e koronavirusit ka bllokuar trafikun ajror, tash e sa javë. Se kur do të rikthehet dhe në çfarë forme, tash për tash është vetëm hamendje.
Vdes një 77-vjeçar nga koronavirusi në Kosovë
Klinika Infektive në Prishtinë ka njoftuar se të premten ka vdekur edhe një pacient si pasojë e koronavirusit të ri, duke e çuar numrin total të viktimave në 28.
“Sot në ora 10:30, ka ndërruar jetë pacienti i lindur me 1943 nga Rahoveci, i cili përveç infeksionit me Covid-19 ka pasur edhe sëmundje kronike të veshkave dhe ka qenë në dializë”, është thënë në njoftim.
Kjo Klinikë, që funksionon në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka njoftuar se në hapësirat e saj janë të shtrirë tetë pacientë të infektuar me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.
“Pesë raste janë në gjendje stabile, tre raste janë në trajtim me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive”, është thënë mes tjerash në njoftim.
Në Kosovë deri më tani janë konfirmuar gjithsej 861 raste me koronavirus.
Prej tyre, 561 janë shëruar.
Afrika mund të regjistrojë “190,000 viktima nga koronavirusi” brenda një viti
Rreth 190,000 persona në gjithë Afrikën mund të vdesin në vitin e parë të pandemisë me koronavirus, nëse dështon marrja e masave të mëdha për ta ndaluar atë, ka paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Ky studim po ashtu parasheh zgjatje të shpërthimit të pandemisë për disa vjet.
“Ka mundësi që virusi të shpërndahet më pak në vatrat e përhapjes”, ka thënë udhëheqësi i OBSH-së për Afrikën, Matshidiso Moeti.
Kjo mundësi e përhapjes më të ngadaltë të virusit, e vendos Afrikën jashtë rajoneve tjera, kanë thënë ekspertët e kësaj Organizate.
Paralajmërimi in OBSH-së vjen teksa disa prej shteteve më të populluara në Afrikë, Nigeria dhe Afrika Jugore kanë nisur të lehtësojnë masat e izolimit.
Vlerësimet e tyre janë të bazuara në parashikime dhe fokusim në 47 shtete të rajonit afrikan të OBSH-së, duke përjashtuar Egjiptin, Libinë, Tunizinë, Marokun, Eritrenë, Sudanin dhe Somalinë.
“Covid-19 mund të na instalohet në jetën tonë për disa vjet në të ardhmen, nëse qeveritë në rajon nuk përkrahin qasje proaktive në rajon”, ka thënë Moeti përmes një deklarate.
“Neve na duhet të testojmë, izolojmë dhe trajtojmë”, ka shtuar mes tjerash ai.
Sërish mbi 10,000 të infektuar në 24 orë në Rusi
Rusia ka regjistruar 10,699 persona të infektuar me koronavirus në 24 orët e fundit, duke shënuar ditën e gjashtë me radhë me mbi 10,000 të prekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Deri më tani në territorin rus janë konfirmuar 187,859 raste të të infektuarve.
Në raportin e fundit mjekësor janë regjistruar 98 viktima të reja, duke e çuar numrin total të të vdekurve nga ky virus në 1,723.