Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
14:55 8.5.2020

Shkalla e papunësisë në SHBA, 14.7 për qind

Shkalla e papunësisë në Shtetet e Bashkuara ka shkuar në 14.7 për qind, teksa pandemia me koronavirus vazhdon të dëmtojë ekonominë.

Vetëm në muajin prill, 20.5 milionë persona janë regjistruar si të papunë tek autoritetet.

Kjo njëherësh është rritja më e madhe e papunësisë prej periudhës së Depresionit të Madh në vitet 1930.

Prej kur ka nisur pandemia, SHBA-ja është përballur me rritjen më të dobët ekonomike në dekadë dhe shkallën më të vogël të shitjeve në histori.

Për vetëm dy muaj, shkalla e papunësisë ka qenë 3.5 për qind, apo shkalla më e ulët për periudhë kaq të shkurtër kohore në 50 vjet.

Të dhënat javore, që janë publikuar të enjten, kanë treguar se 3.2 milionë amerikanë kanë kërkuar përfitime nga shteti javën e kaluar, pasi kanë mbetur të papunë.

Kjo shifër e çon numrin total të të raportuarve si të papunë nga mesi i marsit në 33.3 milionë apo 20 për qind e fuqisë punëtore në SHBA.

Shtetet e Bashkuara janë prekur më së keqi në botë nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Mbi 1.2 milionë persona janë infektuar derisa mbi 70,000 pacientë kanë vdekur si pasojë e këtij virusi.

14:22 8.5.2020

Zbulimi i origjinës së koronavirusit “mund të marrë një vit”

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se gjetja e origjinës së koronavirusit mund të marrë të paktën një vit.

Duke folur nga Gjeneva gjatë të premten, një ekspert i OBSH-së për viruset që përhapen nga kafshët, ka thënë se të dhënat e marra kanë drejtuar kërkimet te lakuriqi, si burim kryesor dhe më pas te disa kafshë tjera si bartëse.

Kjo Organizatë ka përsëritur se nuk ka parë ndonjë të dhënë, të cituar nga presidenti amerikan, Donald Trump, që virusi mund të ketë dalë nga ndonjë laborator në Kinë.

Shkencëtarët nuk janë të sigurt se ku saktësisht ka shpërthyer virusi. Sipas disa të dhënave ka dyshime për një treg të kafshëve në Vuhan, mirëpo nga 41 raste me koronavirus, vetëm 27 kanë pasur lidhje të drejtpërdrejtë me këtë treg, raporton BBC.

Ky virus mund të ketë kaluar prej disa lakuriqëve në disa kafshë tjera, para se të kalonte në njerëz, mirëpo lloji i kafshës mbetet i paqartë.

Më 2012, kur ishte shfaqur virusi MERS, është dashur të bëhen kërkime një vit për të kuptuar që sëmundja ka pasur si origjinë devenë.

E pyetur javën e kaluar nëse kanë bazë pretendimet amerikane se virusi ka dalë nga laboratori, OBSH-ja ka thënë se pas rishikimit të të dhënave nga disa shkencëtarë, është e sigurt se shpërthimi ka origjinë natyrale.

13:48 8.5.2020

Kosovës i dhurohen 5,000 teste për koronavirus

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, së bashku me Qeverinë e Luksemburgut i ka dorëzuar 5,000 teste për koronavirus Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë dhe Ministrisë në detyrë të Shëndetësisë.

Përmes një komunikate për media të UNDP-së, është bërë e ditur se ky donacion vjen si pjesë e një marrëveshjeje të arritur midis Qeverisë së Luksemburgut dhe UNDP-së, për ofrimin e mbështetjes së menjëhershme për Kosovën, me qëllim të luftimit të sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Marrëveshja me Qeverinë e Luksemburgut, kap vlerën e përgjithshme prej 1 milion eurosh, ku prej tyre 460,000 euro do të ndahen për blerjen e deri 20,000 testeve për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për zbulim të koronavrusit.

Shuma e mbetur e kontributit është thënë se do të përdoret për ndihmë humanitare, sidomos për familjet që janë prekur nga ky virus.

Në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 861 raste me koronavirus.

Prej tyre, 561 janë shëruar, ndërsa 28 kanë vdekur.

13:12 8.5.2020

Burgim i përjetshëm për infektim të qëllimshëm me koronavirus

Shteti verior në Indi, Uttar Pradesh ka miratuar një ligj të përkohshëm që lejon shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm, nëse një person shkakton vdekjen e dikujt duke e infektuar qëllimisht me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Sipas ligjit të miratuar të mërkurën, dënimi për “infektim të qëllimshëm” me virus, mund të jetë nga dy deri në pesë vjet burgim.

Mirëpo nëse dikush i shkakton vdekje ndonjë personi duke përhapur virusin, atëherë dënimi me burgim është më i ashpër, nga shtatë vjet në burgim deri në burgim të përjetshëm, bashkë me gjobë nga 3,970 deri në 6,610 dollarë.

Ky vendim ka ngjallur shumë kritika nga ekspertë të shëndetësisë, të cilët kanë thënë se kjo masë lë hapësirë për veprim nga shteti, ka raportuar agjencia e lajmeve, The Wire.

Mirëpo zyrtarët kanë thënë për të përditshmen, Times of India se qëllimi mbrapa këtij vendimi ka qenë “të inkurajohen njerëzit për të raportuar nëpër agjenci nëse dyshojnë se kanë qenë të infektuar me Covid-19”.

India deri më tani ka regjistruar gati 38,000 të infektuar dhe 1,886 të vdekur, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë në Indi.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG