Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
18:59 8.5.2020

Mbi 30,000 viktima nga koronavirusi në Itali

Italia u bë vendi i parë në Bashkimin Evropian që regjistroi mbi 30,000 viktima na koronavirusi.

Autoritetet atje thanë se kanë regjistruar 243 viktima të premten, krahasuar me 274, një ditë më parë.

Me shifrat e fundit, numri i përgjithshëm i viktimave arrin në 30,201.

Numri ditor i rasteve të reja me koronavirus ka rënë lehtë në 1,327.

Në total, Italia ka regjistruar 217,185 të infektuar.

Ky vend ka numrin e tretë më të madh të viktimave nga koronavirusi, pas Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Britania e ka kaluar shifrën prej 30,000 viktimash të mërkurën.

Spanja është vendi i tretë më i goditur në Evropë, me mbi 26,000 të vdekur.

18:32 8.5.2020

Në Maqedoninë e Veriut mbeten në fuqi ndalesat për xhamitë dhe kishat

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, kërkoi nga drejtuesit e bashkësive fetare që t’i përmbahen ndalimit të shfrytëzimit të objekteve për ritet fetare – masë kjo e ndërmarrë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Deklarata e tij erdhi pasi Bashkësia Fetare Islame tha se xhamitë do të hapen nga dita e martë, më 12 maj.

“Të premten kam biseduar me kryetarin e Bashkësisë Fetare Islame, si dhe me kreun e Kishës Ortodokse Maqedonase. Nga të dy kam kërkuar që t’iu përmbahen masave në interes të shëndetit të qytetarëve dhe të mos organizohen tubime të qytetarëve. Dua t’i rikujtoj se ende është në fuqi ndalesa për tubim të më shumë se dy personave. Apeloj te të gjitha bashkësitë fetare dhe mbështetësit e tyre që të parandalojnë çfarëdo organizimi ose tubimi derisa masat janë në fuqi”, tha Filipçe, duke theksuar se çdo papërgjegjësi e individëve apo papërgjegjësi e institucioneve fetare mund të përkeqësojë gjendjen me “pasoja të paparashikueshme”.

“Besoni se çfarëdo sjelljeje e papërgjegjshme e ndonjë individi ose ndonjë grupi, mund të na kthejë në fillim të krizës dhe ta thellojë të njëjtën. Kjo do të reflektohet në funksionimin jo vetëm të sistemit shëndetësor, por edhe të shtetit në përgjithësi”, tha Filipçe.

Bashkësia Fetare Islame njoftoi vendimin për hapjen e xhamive duke u bazuar në, siç tha, “përmirësimin e gjendjes shëndetësore në vend, uljen e numrit të të infektuarve nga Covid-19 [sëmundja që e shkakton koronavirusi]”, si dhe duke vlerësuar “kërkesat e 13 myftive, të cilat janë të bazuara në kërkesat e besimtarëve”.

Ky vendim u mor edhe pas njoftimeve për një manifestim kishtar në Strugë, që, siç u tha, nxiti kërkesën e tyre për hapjen e xhamive.

Maqedonia e Veriut ka regjistruar mbi 1,500 persona të infektuar me koronavirus, ndërsa 90 pacientë atje kanë humbur jetën.

17:52 8.5.2020

Johnson i kërkon Putinit t’i ndihmojë “vendet më të varfra të botës”

Kryeministri britanik, Boris Johnson, e ftoi presidentin rus, Vladimir Putin, që të marrë pjesë në një samit për trajtimin e pandemisë së koronavirusit.

Mbretëria e Bashkuar do të jetë nikoqire e udhëheqësve botërorë, muajin e ardhshëm.

Në një bisedë telefonike, Johnson kërkoi nga Putini që të bashkohet “për të ndihmuar forcimin e sistemeve shëndetësore dhe trajtimin e koronavirusit në disa nga vendet më të varfra të botës”.

Konferenca, e paralajmëruar muajin e kaluar, synon të bashkojë udhëheqës botërorë, donatorë dhe prodhues të vaksinave.

Johnson dhe Putin “u pajtuan për rëndësinë e vazhdimit të punës së bashku dhe me vendet e tjera, për mposhtjen e sëmundjes”, tha përmes një deklarate Qeveria britanike.

Mbretëria e Bashkuar ka numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi në Evropë: mbi 30,000.

Rusia, të premten, ka shënuar ditën e gjashtë me radhë me mbi 10,000 të infektuar të rinj nga koronavirusi.

17:08 8.5.2020

Koronavirusi në Mal të Zi është “plotësisht nën kontroll”

Epidemia e koronavirusit në Mal të Zi është nën kontroll të plotë, por qytetarët duhet të vazhdojnë t’iu përmbahen të gjitha rregullave në fuqi, tha të premten Qeveria malazeze.

Jemi gjithnjë e më afër të qenët një vend pa koronavirus, tha ajo në një postim në Twitter.

"Nëse do të kemi sukses, gjë që është e rëndësishme për çdo qytetar dhe për ekonominë tonë, varet vetëm nga ne".

“Të gjithë duhet t’iu përmbahemi rregullave që janë në fuqi”, bëri thirrje Qeveria në Podgoricë.

Në dy javët e fundit, Mali i Zi ka pasur ditë kur nuk ka regjistruar asnjë rast të ri me koronavirus.

Prejse janë shfaqur rastet e para atje më 17 mars, 324 persona janë infektuar.

Prej tyre, 266 janë shëruar plotësisht, ndërsa tetë kanë vdekur.

Kryeministri malazez, Dushko Markoviq.
Kryeministri malazez, Dushko Markoviq.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG