Shkon mbi 31,000 numri i viktimave në Mbretërinë e Bashkuar
Mbi 31,000 njerëz, që kanë rezultuar pozitivë me koronavirus në Mbretërinë e Bashkuar, kanë vdekur.
Ministria e Shëndetësisë atje njoftoi të premten se ka regjistruar edhe 626 viktima, që e çojnë në 31,241 numrin e përgjithshëm të tyre.
Shërbimi Kombëtar i Shëndetit tha se një foshnje 6-javëshe, me sëmundje shoqëruese, është në mesin e të vdekurve.
Mbretëria e Bashkuar ka numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi në Evropë.
Shifrën mbi 30,000 e ka kaluar të premten edhe Italia.
Disa këshilla nga Organizata Botërore e Shëndetësisë:
Një punonjës i nënpresidentit amerikan infektohet me koronavirus
Një punonjës i nënpresidentit amerikan, Mike Pence, ka dalë pozitiv në testin për koronavirus.
Shtëpia e Bardhë konfirmoi të premten se një anëtar i ekipit të Pence e ka kontraktuar koronavirusin, por nuk dha më shumë detaje.
Lajmi vjen një ditë pasi shërbëtori personal i presidentit Donald Trump ka dalë po ashtu pozitiv me koronavirus, duke rritur shqetësimet për shëndetin e udhëheqësve amerikanë.
Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar mbi 1.3 milion raste me koronavirus - më së shumti në botë.
Mbi 76,000 njerëz atje kanë humbur jetën.
Shtëpia e Bardhë do ta testojë tani presidentin dhe nënpresidentin në baza ditore dhe jo çdo javë, si deri më tash.
Deputetët, punë pak e paga shumë
Plot 775 mijë e 864 euro kanë marrë paga dhe kompensime deputetët e Kuvendit të Kosovës për muajt mars dhe prill të këtij viti, ka konfirmuar Kuvendi i Kosovës për Radion Evropa e Lirë.
Gjatë këtyre muajve, deputetët kanë qenë shumë pak aktivë, madje edhe në komisione parlamentare, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Organizatat që monitorojnë punën e Kuvendit të Kosovës thonë se deputetët është dashur që të solidarizohen me krizën ekonomike, duke bërë kërkesë në nivel institucioni, që një pjesë e pagës së tyre të ndahet për të ndihmuar Ministrinë e Shëndetësisë, Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, si dhe spitalet në nevojë.
Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.