Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
09:31 9.5.2020

Kina do të reformojë sistemin për parandalimin e sëmundjeve

Kina do të bëjë reforma në sistemin e saj për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve, për të adresuar dobësitë që janë shfaqur nga përhapja e koronavirusit të ri, thanë zyrtarët.

Kina është kritikuar se ka reaguar ngadalë ndaj pandemisë së koronavirusit të ri, që fillimisht u shfaq në qytetin kinez, Vuhan. Që atëherë, virusi është shpërndarë në mbarë botën, duke infektuar pothuajse 4 milionë njerëz dhe duke lënë të vdekur mbi 270 mijë të tjerë.

“Epidemia e koronavirusit është test për aftësitë qeverisëse të shtetit tonë dhe ka ekspozuar lidhjet e dobëta se si i qasemi epidemive dhe shëndetit publik”, tha për gazetarët, Li Bin, zëvendësdrejtor i Komision Kombëtar të Shëndetit të Kinës.

Sipas tij, ky komision dëshiron të ndërtojë një zinxhir “të centralizuar dhe efikas” të udhëheqjes dhe reformës, që të modernizojë sistemin e parandalimit dhe kontrollit të sëmundjeve.

Në kuadër të reformave, Kina po dëshiron që të përdorë më mirë të dhënat, inteligjencën artificiale, në mënyrë që të analizojë më mirë sëmundjen, të gjurmojë virusin në mënyrë që të jetë në gjendje të përgjigjet në mënyrë adekuate.

Kina që 24 ditë nuk ka raportuar asnjë vdekje të re nga COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri.

Vuhan, Kinë.
Vuhan, Kinë.

23:24 8.5.2020

Në Kosovë, një rast i ri me koronavirus, 61 të shëruar

Në Kosovë u regjistrua të premten vetëm një rast i ri me koronavirus.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) tha se ka testuar gjithsej 243 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe nga gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.

Rasti pozitiv, sipas IKSHPK-së, është rast kontakti nga Komuna e Prishtinës.

IKSHPK-ja po ashtu bëri të ditur se të premten janë shëruar 61 pacientë, që më herët janë diagnostikuar me koronavirus.

Me këtë shifër, numri i përgjithshëm i të shëruarve shkon në 622.

Të premten po ashtu vdiq një 77-vjeçar nga Komuna e Rahovecit, i cili ditë më parë është diagnostikuar me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Gjithsej, në Kosovë janë konfirmuar 862 raste me koronavirus - prej tyre 28 kanë vdekur.

23:01 8.5.2020

BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar "duhet të vazhdojnë bashkëpunimin"

Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar duhet të vazhdojnë të bashkëpunojnë në luftën kundër koronavirusit, thanë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe kryeministri britanik, Boris Johnson.

Dy zyrtarët biseduan të premten në telefon për trajtimin e krizës së koronavirusit.

"Të dy udhëheqësit e mirëpritën bashkëpunimin midis Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së, përfshirë edhe përpjekjet globale për riatdhesimin e qytetarëve", tha Zyra e Johnsonit.

Johnson e uroi BE-në për mbledhjen e 7.4 miliardë eurove në një konferencë donatorësh, që u mbajt të hënën për luftimin e koronavirusit.

Von der Leyen e falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për donacionin prej mbi 440 milionë eurosh për zbulimin e vaksinës kundër koronavirusit.

21:38 8.5.2020

Protesta në Slloveni kundër masave kufizuese

Mijëra sllovenë protestuan të premten në Lubjanë, duke e akuzuar qeverinë për korrupsion dhe për shfrytëzim të krizës me koronavirus, për kufizimin e lirive.

Duke thirrur “hajdutë” dhe “poshtë qeveria”, protestuesit me maska u mblodhën jashtë parlamentit.

Protesta u organizua nga "Protestival", një grup civil, i mbështetur nga disa parti opozitare, përfshirë ish-kryeministrin Marjan Sarec, i cili dha dorëheqje në shkurt, për shkak të fërkimeve brenda koalicionit të tij.

"Derisa shoqëria jonë po i përgjigjet epidemisë me solidaritet, qeveria e [kryeministrit] Janez Jansa, nën pretendimet se lufton koronavirusin, po prezanton masa të jashtëzakonshme dhe po zvogëlon liritë tona", tha Protestival.

Sllovenia, me mbi dy milionë banorë, ka raportuar mbi 1,450 raste të të infektuarve me koronavirus dhe 100 viktima.

Në përpjekje për të frenuar përhapjen e sëmundjes, qeveria ka urdhëruar izolimin e qytetarëve për një muaj, ka mbyllur kufijtë dhe ka ndaluar udhëtimin.

Autoritetet thonë këto masa janë në të mirë të qytetarëve.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG