Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
12:47 9.5.2020

Policia ndalon dhjetë persona që nuk respektuan masat kundër koronavirusit

Policia e Kosovës ka ndaluar 10 persona gjatë 24 orëve të fundit, pasi ata nuk kanë respektuar masat e vendosura nga autoritetet për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, katër persona janë ndaluar në Gjilan dhe Prizren dhe dy persona në Mitrovicën e Jugut.

Më 4 maj në Kosovë, ka nisur faza e parë e lehtësimit të masave të izolimit kundër koronavirusit.

Qytetarët kanë të drejtë të dalin për nga 90 minuta paradite dhe pasdite. Orari i qarkullimit bazohet në numrin e parafundit të numrit personal në letërnjoftim. Në fazën e parë është lejuar edhe rihapja e disa bizneseve.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në Kosovë janë regjistruar 862 raste me koronavirus, ku 622 pacientë janë shëruar dhe 28 kanë vdekur.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente të shëndetit publik.

Prishtinë.
Prishtinë.

12:20 9.5.2020

Sfida e rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë

Rimëkëmbja ekonomike pas përfundimit të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi, do të jetë sfidë për Kosovën, kur merren parasysh dëmet e paraqitura në nivel lokal dhe global, thonë ekspertë për çështje ekonomike.

Shumica e bizneseve në Kosovë, gati në të gjithë sektorët, kanë raportuar vlera të mëdha të humbjeve financiare dhe zvogëlim të kapaciteteve prodhuese, nga masat e marra nga qeveria më 13 mars për parandalimin e pandemisë.

Deri më tani, nuk ka ndonjë shifër të saktë të humbjeve ekonomike, por sipas Ministrisë së Financave dhe Transfereve, vlerësohet se 6 milionë euro në ditë Kosova humb për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Arikullin e plotë mund ta lexoni këtu.

Një punëtor dezinfekton një shportë ushqimesh në një supermarket në Prishtinë. 17 prill, 2020.
Një punëtor dezinfekton një shportë ushqimesh në një supermarket në Prishtinë. 17 prill, 2020.

11:55 9.5.2020

Shkon në 104 numri i viktimave nga koronavirusi në Bosnje e Hercegovinë

Në 24 orët e fundit, katër pacientë të infektuar me koronavirus kanë vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë. Të gjithë viktimat kishin edhe sëmundje të tjera kronike, njoftuan autoritetet shëndetësore.

Numri i përgjithshëm i viktimave nga koronavirusi ka arritur në 104, ndërkaq të infektuar janë 2,095 persona. Prej tyre, 942 persona janë shëruar.

Ndërsa, sipas të dhënave të Institutit për Shëndet Publik të Republikës serbe, vdekshmëria në Republikën serbe aktualisht është më e larta në rajon dhe arrin në rreth pesë për qind. Mosha mesatare e viktimave është rreth 70 vjeç.

Sarajevë. Foto nga arkivi.
Sarajevë. Foto nga arkivi.

11:42 9.5.2020

Në Klinikën Infektive po trajtohen shtatë pacientë me COVID-19

Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, po trajtohen shtatë pacientë që janë të prekur nga koronavirusi i ri.

Infektologu Valbon Krasniqi, tha për Radion Evropa e Lirë, se gjendja e pacientëve në përgjithësi është stabile. Sipas tij, vetëm një paciente është në gjendje më të rënduar.

“Sot në klinikë me COVID-19 janë shtatë pacientë të konfirmuar, të cilët janë të shtrirë në klinikë. Gjendja e tyre shëndetësore e përgjithshme është e mirë, në përjashtim të një pacienteje e cila vazhdon të jetë në gjendje më të rënduar. Ajo është duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe po ashtu është në hemodializë të rregullt. Edhe një paciente që dje është konfirmuar pozitiv, herë pas here ka nevojë për oksigjen”, tha Krasniqi.

Sipas të dhënave të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në Kosovë janë konfirmuar 862 raste me koronavirus, ku 622 janë shëruar, ndërkaq, 28 pacientë kanë vdekur.

Rastet e para me COVID-19 në Kosovë u shënuan më 13 mars. Për shkak të pandemisë së koronavirusit, autoritetet kanë shpallur gjendje emergjente të shëndetit pubik.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG