Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
14:56 9.5.2020

Pavarësisht pandemisë, Bjellorusia mban paradë ushtarake

Presidenti i Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko ka injoruar këshillat për të frenuar përhapjen e koronavirusit dhe ka organizuar sot një paradë ushtarake.

Parada ushtarake u organizuar për të shënuar 75-vjetorin e fitores në Luftën e Dytë Botërore.

Ushtarë dhe tanke marshuan në rrugët e kryeqytetit bjellorus, Minks.

Lukashenko madje ka thënë se është “psikozë” frika nga sëmundja COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi. Ai ka paralajmëruar se masat izoluese mund të dëmtojnë ekonominë e vendit.

Në Bjellorusi, ligat lokale të futbollit vazhdojnë të zhvillojnë ndeshje me praninë e tifozëve.

Sipas të dhënave të publikuara nga Universiteti Johns Hopkins afro 4 milionë persona janë infektuar me koronavirus, ndërkaq, 275 mijë të tjerë kanë humbur jetën.

Minks, 9 maj, 2020.
Minks, 9 maj, 2020.

14:19 9.5.2020

Sllovakia nuk regjistron asnjë rast të ri me koronavirus

Zyrtarët në Sllovaki kanë njoftuar se në 24 orët e fundit nuk kanë regjistruar asnjë rast me koronavirus.

Kjo është hera e parë që në këtë vend, në dy muajt e fundit, nuk është regjistruar asnjë rast i ri me koronavirus.

Në Sllovaki, që tre ditë, autoritetet kanë hequr disa masa të izolimit, duke lejuar që të gjitha dyqanet, përveç qendrave tregtare, të rihapen. Po ashtu, në Sllovaki janë hapur galeritë, muzetë, megjithatë shkollat vazhdojnë të jenë të mbyllura.

Po ashtu, ritet fetare dhe dasmat do të lejohen të mbahen, edhe pse autoritetet kanë vendosur kufizime në numrin e pjesëmarrësve.

Sllovakia, që ka rreth 5,5 milionë banorë deri më tani ka 1,455 raste me koronavirus dhe 26 viktima. Ndërkaq, mbi 900 pacientë janë shëruar.

Rastet e para u shënuan më 6 mars.

13:51 9.5.2020

Shënohet Dita e Evropës në kohën e pandemisë së koronavirusit

Sot, më 9 maj, shënohet Dita e Evropës, teksa kontinenti evropian po përballet me pandeminë e koronavirusit.

Ky është viti i parë të 27 vendet e Bashkimit Evropian, shënojnë këtë ditë pa Mbretërinë e Bashkuar, si pjesë të tyre.

Mbretëria e Bashkuar u largua nga BE-ja, periudha e tranzicionit pas daljes nga BE-ja, gjatë së cilës Mbretëria e Bashkuar vazhdon t’i ndjekë rregullat e BE-së pritet të përfundojë në dhjetor.

Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Spanja janë vendet të goditura më së keqi nga koronavirusi në Evropë.

Në Kosovë, Dita e Evropës është festë zyrtare.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se sot bëhen 70 vjet që kur “ideja për zhvillim ekonomik mes shteteve themelore të kontinentit të vjetër u bë bazë e forcimit të paqes, prosperitetit dhe vizionit të Bashkimit Evropian”.

Ndërkaq, shefja e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Natalyia Apostolova në këtë kohë të pandemisë ka falënderuar të gjithë ata që po ndihmojnë në këtë luftë.

Ajo përmes një video-mesazhi ka treguar se BE-ja e mbështetë Kosovën për të stabilizuar ekonominë, pas pandemisë.

“Bashkimi Evropian është duke ofruar mbështetje ekonomike në formën e granteve dhe huazimeve me qindra miliona euro për ta mbështetur ekonominë, për të mbrojtur vendet e punës të rrezikuara nga pandemia në të gjithë Ballkanin. Vetëm për Kosovën ne po synojmë t’i ndajmë mbi 160 milionë euro për stabilizim makro-ekonomik dhe mbështetje socio-ekonomike. Kosova mund të llogaris në mbështetjen tonë,”ka thënë Apostolova në video mesazh.

Dita e Evropës është ditë ceremoniale, që shënohet më 9 maj të çdo viti, nga Bashkimi Evropian, në njohje të paqes, prosperitetit dhe unitetit të arritur brenda Evropës, që nga formimi i kësaj organizate.

Kjo ditë, në vendet anëtare, shënohet duke vendosur flamurin e Evropës.

13:15 9.5.2020

Në Pakistan nis lehtësimi i masave të izolimit

Pakistani ka lehtësuar masat e izolimit, pavarësisht se numri i rasteve të reja me koronavirus është duke u rritur.

Dyqanet dhe disa biznese të tjera nisën të rihapen në kryeqytetin pakistanez, Islamabad, si pjesë e njërës prej fazave të lehtësimit të masave.

Dyqanet e rrobave, këpucëve dhe tregjet e vogla janë hapur, por qendrat tregtare vazhdojnë të jenë të mbyllura.

Të premten, në Pakistan u shënuan 2 mijë raste të reja me koronavirus, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në mbi 27 mijë. Në këtë shtet po ashtu deri më tani nga sëmundja COVID-19 – që shkaktohet nga koronavirusi i ri – kanë humbur jetën afro 600 persona.

Komuniteti i biznesit në Pakistan ka mirëpritur vendimin për rihapjen e ekonomisë, duke thënë se ekonomia e shtetit nuk mund të mbyllet për një kohë të gjatë dhe se me këto lehtësime do të shpëtohen miliona vende pune.

Kryeministri pakistanez, Imran Khan më herët gjatë javës ka thënë se shteti i tij është i varfër dhe nuk mund të qëndrojë i izoluar për një kohë të gjatë, prandaj ai ka thënë se qytetarët duhet të mbajnë distancë fizike në kohën kur po lehtësohen masat izoluese.

Ekonomia e Pakistanit tashmë ka marrë goditje nga koronavirusi, duke shënuar rënie të remitencave por edhe rënie të eksporteve.

Një punëtor dezinfekton rrugët e Karaçit.
Një punëtor dezinfekton rrugët e Karaçit.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG