Rritet numri i të infektuarve, vihen në pikëpyetje masat lehtësuese në Maqedoninë e V.
Në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar edhe 36 raste me koronavirus, që ka ngritur alarmin e institucioneve shëndetësore mbi përkeqësimin e mundshëm të gjendjes, pas rënies të numrit të të infektuarve në dhjetë ditët e fundit.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në Tetovë janë regjistruar 12 raste, shumica prej tyre raste të reja, pra persona që nuk kanë pasur ndonjë kontakt me të infektuar të tjerë. Në Shkup janë regjistruar shtatë raste, në Veles gjashtë, në Kumanovë dhe Prilep nga katër, ndërsa në disa qytete tjera nga një rast.
Po ashtu, edhe një person ka vdekur, që ka çuar në 91 numrin e përgjithshëm të atyre që kanë humbur betejën me sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi. Nga 1,622 raste të të infektuarve, aktivë janë 419, ndërsa 1,112 tashmë janë shëruar.
Zëvendëskryeministri Bujar Osmani ka thënë se rastet e reja në Tetovë theksojnë nevojën për kujdes në respektimin e masave nga të gjithë qytetarët.
“Rastet pozitive në Tetovë, prej të cilave 11 janë raste të reja, janë shenjë se më e keqja ende nuk ka kaluar sa i takon pandemisë dhe se ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm. Kjo ka bërë që të mbajmë një koordinim të jashtëzakonshëm me zëvendësministrin e Shëndetësisë, me drejtorin e Institutit për Shëndet Publik dhe drejtorin e Klinikës të Tetovës, për të bërë një diagnozë për gjendjen me pandeminë këtu në Tetovë dhe në rajonin e Tetovës, dhe cilat duhet të jenë masat shtesë që eventualisht duhet të merren në të ardhmen”, ka theksuar Osmani gjatë një vizite në Tetovë.
Nga e hëna, qeveria kishte paralajmëruar masa lehtësuese për bizneset dhe orën policore, por ende nuk dihet nëse ato do të miratohen për shkak të paraqitjes së rasteve të reja me koronavirus.
Kthehen 143 kosovarë nga SHBA-ja
Në Kosovë, të shtunën janë rikthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës 143 qytetarë, të cilët kishin qenë të bllokuar atje, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Ambasada e Kosovës në Uashington ka njoftuar se kthimi i qytetarëve është bërë në bashkëpunim me autoritetet e Kosovës.
“Sot në Prishtinë arriti fluturimi i riatdhesimit të qytetarëve të Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me ndihmën e institucioneve të Republikës së Kosovës, 143 bashkatdhetarë të ngujuar në SHBA për shkak të pandemisë COVID-19 tashmë janë rikthyer në shtëpi”, thuhet në njoftim.
Sipas masave të ndërmarra nga autoritetet në Prishtinë, të gjithë qytetarët që kthehen në Kosovë, duhet të qëndrojnë për 14 ditë në karantinë, në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.
Deri më tani në Kosovë janë konfirmuar 862 raste me koronavirus, ku 622 janë shëruar, ndërkaq, 28 pacientë kanë vdekur.
Përzierja e tri ilaçeve rezulton pozitive kundër koronavirusit
Hulumtuesit në Hong Kong kanë parë rezultatet pozitive nga një testim kundër koronavirusit që ka përfshirë tri ilaçe të ndryshme.
Një studim i ri, i publikuar të premten në revistën mjekësore, The Lancet, ka thënë se pacientët me simptoma të lehta me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi, janë shëruar më shpejt, nëse kanë marrë këtë trajtim.
Ky studim ka përfshirë 127 të rritur, duke përfshirë 86, të cilëve u është dhënë kombinimi i ilaçeve: interferon beta-1b, opinavir-ritonavir dhe ribavirin.
Autorët i kanë përshkruar të gjeturat si “të hershme por të rëndësishme” dhe kanë bërë thirrje për më shumë kërkime, duke përfshirë trajtimin e pacientëve me simptoma të rënda.
“Testimet tona demostrojnë se trajtimi i hershëm i simptomave të lehta të koronavirusit me kombinimin e këtyre ilaçeve mund të shtypë sasinë e virusit në trupin e njeriut”, ka thënë Kwok-Yung Yuen, që ka udhëhequr kërkimet.
Mburojat që mbrojnë foshnjat nga koronavirusi
Organizata gjermane ‘Help Kosovo’ ka dhuruar 200 mburoja për fytyrë për foshnjat e porsalindura në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Këto mburoja shërbejnë për t’u mbrojtur nga koronavirusi.