Dalja nga izolimi në Britani do të jetë "graduale"
Qeveria britanike do të vëzhgojë me “vëmendje ekstreme” procesin e daljes nga izolimi, ka thënë Sekretari për Transport Grant Shapps, derisa ka bërë të ditura planet për “rikthim të lëvizjes në Britani”.
Ai është zotuar për ndarje të 250 milionë funtave për përmirësim të infrastrukturës për ecje dhe çiklizëm.
Megjithatë ai nuk ka konfirmuar nëse do të miratohet karantina 14-ditore për pasagjerët që hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar.
Në 24 orët e fundit në këtë territor janë regjistruar 346 vdekje të reja nga koronavirusi, duke e rritur shifrën totale në 31,587.
Sekretari për Transport ka thënë se procesi i tejkalimit të sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, do të jetë “gradual”.
Ai ka thënë se edhe nëse rrjeti i transportit britanik do të aktivizohet në kapacitet të plotë, distancimi fizik nënkupton se vetëm 1 në 10 pasagjerë do të mund të udhëtojnë.
Ai ka përmendur se së fundmi në Britani është regjistruar shkallë e pashembullt e ecjes dhe çiklizmit.
“Ndonëse është shumë e rëndësishme që të qëndrojmë nëpër shtëpi, kur shteti të kthehet sërish në punë, neve na duhet t’ju kërkojmë njerëzve që të vazhdojnë ecjen dhe çiklizmin”, është shprehur mes tjerash ai.
Përveç numrit më të madh të viktimave në kontinentin e Evropës, ky territor ka regjistruar mbi 200,000 të prekur nga ky virus.
Rreth 45 mijë kërkesa për shtyrje të kredive
Bankat komerciale në Kosovë kanë pranuar rreth 45 mijë kërkesa, në vlerë 1.3 miliard eurove, për shtyrje të pagesave të kësteve të kredive, pas situatës së krijuar nga pandemia me koronavirus.
Banka Qendrore e Kosovës (BQK), së bashku me Shoqatën e Bankave, patën marrë vendim që bizneset dhe individët, të cilët kanë pasur rënie të të hyrave për shkak të sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi t'iu mundësohet pezullimi i pagesave të kësteve të kredisë, nga data 16 mars për një periudhë 3-mujore.
Kushtrim Ahmeti, zëdhënës në BQK, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, ka bërë të ditur se vlera e tërësishme e 44,670 kërkesave për shtyrje të pagesës së kësteve deri më 31 mars 2020 është 1.3 miliard euro.
“Sa i përket aspektit në kontekst sektorial, bizneset përbëjnë shumicën e vlerës së kërkesave për shtyrje prej 30,3 për qind e portofolit kreditor apo 71,5 për qind e gjithsej vlerës së kërkesave. Sa u përket personave fizikë, gjithsej kërkesat ishin 12,1 për qind e portofolit kreditor, ku 39,5 për qind e tyre janë kërkesa të personave fizikë që janë punonjës në sektorin privat”, thotë Ahmeti.
Por, sa është i qëndrueshëm sektori bankar në Kosovë?
E kuptoni, duke klikuar këtu.
Zyrtari kinez pranon dobësitë e sistemit shëndetësor
Pandemia me koronavirus është “test i madh”, i cili ka shpërfaqur dobësitë e sistemit shëndetësor në Kinë, ka thënë një zyrtar i lartë për median kineze.
Drejtori i Komisionit Kombëtar për Shëndetësi në Kinë, Li Bin, ka bërë këtë deklaratë të rrallë pas kundërshtimit të kritikave të bëra nga vendet e huaja rreth përgjigjjes së Kinës ndaj këtij virusi.
Ai ka thënë se Kina tani do të jetë me e kujdesshme sa i përket parandalimit të sëmundjes, sistemit publik të shëndetësisë dhe mbledhjes së të dhënave.
Li u ka thënë gazetarëve se pandemia ka qenë sfidë e madhe për qeverisjen kineze dhe se ajo ka shpërfaqur “dobësitë në të adresuarit e epidemive të mëdha si dhe në sistemin shëndetësor publik”.
Kina është akuzuar për përgjigjje tejet tw ngadalshme të virusit kur ai është shfaqur për herë të parë në Vuhan, si dhe për dështim në njoftimin e komunitetit ndërkombëtar për këtë sëmundje.
Kina ka refuzuar vazhdimisht thirrjet e pavarura ndërkombëtare për të kuptuar origjinën e virusit.
Në muajin prill, Bashkimi Evropian ka akuzuar Kinën përmes një raporti për shpërndarje të dezinformatave për krizën.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, Kina ka regjistruar 4,637 të vdekur dhe mbi 84,000 të infektuar me koronavirus.
Në gjithë botën nga ky virus janë kanë vdekur 275,000 persona derisa afro 4 milionë janë infektuar.
Masa e karantinës duhet të përmbushë “kushtet mjekësore”
Aeroporti Heathrow i Londrës ka thënë se cilado masë e karantinës duhet të përmbushë kushtet mjekësore, pritjet e publikut dhe të zbatohet nga aeroportet.
Këto komente vijnë teksa janë duke u shqyrtuar mundësi për zbatim të karantinës 14-ditore për udhëtarët që hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar.
“Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbështetur qeverinë në luftimin e krizës shëndetësore, derisa mbajmë gjallë rrugët tregtare për bizneset britanike në secilën pjesë të Mbretërisë së Bashkuar”, ka thënë një zëdhënës i aeroportit.
“Heathrow është më shumë sesa aeroport, është zemra nga e cila rrjedh gjaku ekonomik i këtij shteti, dhe i cili është vital, ashtu që industria jonë të kthehet shpejt, kur Mbretëria e Bashkuar të jetë gati të bashkojë Britaninë”.
Shefat e këtij aeroporti kanë thënë se duhet të ketë standarde të përbashkëta ndërkombëtare sa u përket kushteve shëndetësore nëpër aeroplanë.
Mbretëria e Bashkuar është prekur më së keqi në Evropë nga koronavirusi i ri.
Mbi 200,000 persona janë infektuar me këtë virus në territorin britanik derisa mbi 30,000 prej tyre kanë vdekur.