SHBA: “Një e treta” e vdekjeve nga koronavirusi, nëpër shtëpi kujdesi
Një artikull në të përditshmen amerikane New York Times sugjeron se një e treta e vdekjeve në Shtetet e Bashkuara nga koronavirusi, mund të kenë ndodhur në shtëpi kujdesi.
Zyrtarët ende nuk kanë prezantuar të dhëna të tilla për fatalitete, mirëpo të dhënat e mbledhura nga kjo gazetë, sugjerojnë se 25,600 banorë dhe punëtorë të shtëpive të kujdesit kanë vdekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Në raportimin e saj është thënë se 143,000 raste janë vërejtur në rreth 7,500 objekte të tilla banimi.
Në disa shtete, përfshirë Masaçusets dhe Pensilvani, numri i të vdekurve në shtëpi të kujdesit përbën 50 për qind të shifrës totale të viktimave.
Në udhëzimet e Qendrës për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve është thënë se objektet për përkujdesje përballen me “rrezikun më të lartë” të përhapjes së virusit, për shkak të kushteve të jetesës.
Kjo Qendër ka bërë thirrje për veprim “agresiv”, me qëllim të mbrojtjes së banorëve aty, duke përfshirë kufizimin e vizitave dhe detyrimin e kryerjes së kontrolleve.
Deri më tani në Shtetet e Bashkuara janë regjistruar 1.3 milion të infektuar dhe mbi 77,000 të vdekur si pasojë e koronavirusit.
Kosovarja që ndihmon të prekurit me COVID-19 në Londër
Hedije Hoti nga Suhareka është kryeinfermiere në një spital në Londër. Dy muajt e fundit, ajo vazhdimisht ka ndihmuar pacientët me COVID-19.
Spanjollëve u bëhet thirrje për vëmendje para lirimit të masave
Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez u ka bërë thirrje banorëve të Spanjës që të kenë “vëmendje të plotë” para lehtësimit të pjesëve të masave të izolimit.
Më shumë se gjysma e shtetit, apo rreth 23 milionë persona do të fillojnë “fazën e parë” të strategjisë për lehtësim të izolimit prej ditës së hënë.
Restorantet dhe baret do të mund t’iu shërbejnë njerëzve jashtë, dyqanet jo të domosdoshme do të hapen dhe do të lejohen grumbullimet e më shumë se 10 personave.
Mirëpo Sanchez ka thënë se në vendet ku masat e izolimit do të lehtësohen, njerëzit “duhet të kenë kujdes thuajse se janë të infektuar”.
“Virusi nuk është zhdukur. Ai është ende vërdallë”, ka thënë Sanchez përmes një adresimi televiziv.
Numri i personave të vdekur si pasojë koronavirusit në këtë shtet është rritur për 179 në 24 orët e fundit, apo 26,478 në total.
Ky shtet ka regjistruar edhe mbi 220,000 të infektuar me këtë virus, shteti me më së shumti të prekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi, pas Shteteve të Bashkuara.
Koronavirusi rrit interesimin e qytetarëve për pagesat online
Frika nga infektimi me koronavirusin e ri ka ndikuar në rritjen e pagesave elektronike nga ana e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Për dallim nga periudha e parë e pandemisë, tani të dhënat e Bankës Popullore flasin për një rritje prej 30 për qind të pagesave përmes postës elektronike bankare. Drejtuesit e bankave kanë regjistruar rritje të pagesave apo marrjes së shërbimeve tjera edhe përmes bankomatëve, celularëve dhe formave tjera ku nuk duhet prani fizike e klientëve të tyre.
"Të dhënat preliminare flasin për një rritje të theksuar të përdorimit të kartave elektronike të pagesës. Për shembull, vetëm gjatë muajit mars kemi një rritje prej 30 për qind krahasuar me muajin mars të vitit të kaluar. Kemi rritje të përdorimit aparateve apo bankomatëve, pastaj të pagesës përmes internetit, përmes celularëve dhe kjo është për t’u përshëndetur. Apelet tona ishin në drejtim të ruajtjes së shëndetit. Qytetarët duhet të bëjnë çmos që të aftësohen për pagesat elektronike për të shmangur radhët e gjata para bankave. Me pagesën elektronike ata jo vetëm që ruajnë shëndetin e tyre, por edhe kursejnë kohë”, ka deklaruar Guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska.
Megjithatë, drejtuesit e bankave thonë se përballja me radhët e gjatë ende mbetet sfidë për punonjësit e tyre, por edhe për vetë qytetarët, të cilët vazhdojnë të jenë të ekspozuar nga infektimi i mundshëm nga koronavirusi.
Artikullin e plotë e gjeni këtu.