Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
22:58 9.5.2020

Elon Musk zotohet për bartje të selisë së kompanisë Tesla

Shefi i kompanisë Tesla, Elon Musk ka thënë se do të bartë selinë e fabrikës së prodhimit të makinave jashtë Kalifornisë, pasi i është kërkuar që të mbyllë atë.

“Tesla do të ndryshojë selinë dhe programet e së ardhmnes në Teksas/Nevada”, ka njoftuar ai.

Kjo kompani ka thënë se do të ngre padi kundër qarkut Alameda në Kaliforni.

Departamenti shtetëror i këtij qarku ka refuzuar që t’i lejojë fabrikës Tesla që të rihapet të premten, duke përmendur masat e izolimit si arsyetim.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, 2,632 persona kanë vdekur në Kaliforni, si pasojë e koronavirusit.

Prej 23 marsit, të gjitha operacionet, përveç atyre bazike, janë pezulluar në kompaninë Tesla, afër San Franciskos, për shkak të vendimeve të marra nga autoritetet.

Kjo kompani ka mbi 10,000 punëtorë dhe krijon rreth 415,000 makina çdo vit.

Elon Musk.
Elon Musk.

22:32 9.5.2020

Edhe tetë raste të reja me Covid-19 në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK) ka regjistruar të shtunën tetë persona të infektuar dhe 31 persona të shëruar nga koronavirusi.

"Rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Prishtinës 3 raste (sipas vendbanimit: 3 raste Prishtinë), komuna e Mitrovicës 2 raste (sipas vendbanimit: 2 raste Mitrovicë) dhe me nga 1 rast vendbanimet: Llazarevë- Obiliq, Fushë Kosovë dhe Gjilan", është thënë në njoftim.

Përgjatë 24 orëve të fundit, ky Institut ka thënë se janë kryer 177 teste për këtë virus.

Marrë parasysh të dhënat e fundit, deri më tani në Kosovë janë regjistruar 880 persona të infektuar, 653 të shëruar dhe 28 të vdekur si pasojë e sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi.

22:15 9.5.2020

Obama: Përgjigjja amerikane ndaj koronavirusit, katastrofë kaotike

Ish-presidenti amerikan, Barack Obama ka kritikuar ashpër pasardhësin e tij, Donald Trump për përgjigjjen ndaj krizës me koronavirus.

Në një bisedë private, ai e ka konsideruar përgjigjen amerikane ndaj pandemisë si “një katastrofë kaotike”.

Obama ka thënë se dëshiron të luajë rol më të madh për të mbështetur Joe Bidenin në garën e tij për president në muajin nëntor.

Rrjeti amerikan, CNN ka raportuar se deklaratat e tij të fundit janë bërë me qëllim të inkurajimit të ish-stafit të tij, për t’u angazhuar tani në fushatën e Bidenit.

Qasja e Trumpit ndaj qeverisë duhet të fajësohet pjesërisht për përgjigjjen amerikane ndaj koronavirusit, ka thënë Obama.

“Do të ishte qenë keq edhe me qeverinë më të mirë”, është cituar të ketë thënë ai gjatë bisedës.

Deri më tani më shumë se 77,000 persona kanë vdekur nga koronavirusi, derisa mbi 1,2 milion persona janë infektuar nga po ai në Shtetet e Bashkuara.

Shumë shtete patën prezantuar masa të izolimit në muajin mars, mirëpo tani të njëjtat i kanë lehtësuar, duke mundësuar shkuarjen e njerëzve në punë.

21:43 9.5.2020

Bie numri i viktimave nga koronavirusi në Francë

Numri i personave që kanë vdekur nga koronavirusi në Francë është rritur për 80, duke e rritur numrin total në 26,310, ka thënë Ministria e Shëndetësisë.

Kjo është rritje më e vogël e numrit të të infektuarve në krahasim me një ditë më parë, 243.

Kjo ministri ka thënë numri i personave që gjenden në kujdes intensiv- një matës kyç për kapacitetin e sistemit shëndetësor për t’u përballur me epideminë – ka rënë për 56, apo 2,812.

Kjo shifër është më pak se gjysma e numrit të pacientëve, në krahasim me kohën e pikut të sëmundjes më 8 prill, kur kanë qenë të shtrirë 7,148.

Numri i personave të shtrirë në spital është 22,724.

Franca ka nisur të lehtësojë masat e izolimit nga dita e hënë, pas gati dy muajve prej kur ka marrë vendim për ashpërsim të lëvizjes.

Ky është shteti i pestë me numrin më të madh të viktimave si pasojë e këtij virusi në botë: më shumë se 26,000.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG