Ndalohen 31 persona, nuk respektuan masat kundër koronavirusit
Tridhjetenjë persona janë ndaluar nga Policia e Kosovës, pasi nuk kanë respektuar masat e vendosura nga autoritetet për të parandaluar përhapjen e mëtejmë të koronavirusit.
Kështu bëhet e ditur në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, ku thuhet se 31 persona kanë shkelur rregullat. Në Prizren është numri më i lartë i personave që nuk kanë respektuar masat, përkatësisht janë ndaluar 19 persona. Ndërkaq, në Gjilan janë ndaluar nëntë persona, në Mitrovicë të Jugut dy dhe një person është ndaluar në Ferizaj.
Më 4 maj, në Kosovë ka nisur faza e parë e lehtësimit të masave të izolimit kundër koronavirusit.
Qytetarët kanë të drejtë të dalin 90 minuta paradite dhe 90 minuta pasdite. Orari i qarkullimit bazohet në numrin e parafundit të numrit personal në letërnjoftim. Në fazën e parë është lejuar edhe rihapja e disa bizneseve.
Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, deri më tani në Kosovë janë regjistruar 880 persona të infektuar, 653 të shëruar dhe 28 pacientë kanë vdekur si pasojë e sëmundjes, COVID-19, që shkakton koronavirusi.
Një zyrtar i lartë i task-forcës së SHBA-së për koronavirus është vetizoluar
Drejtori i Institutit Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Infektive të SHBA-së, Anthony Fauci është vetizoluar, së bashku edhe me dy anëtarë të tjerë të task-forcës së SHBA-së për koronavirus, pasi kanë pasur kontakt me një person të infektuar.
Fauci, 79 vjeç, ka dalë negativ në testin për sëmundjen COVID-19, por do të testohet në vazhdimësi, ka njoftuar një zëdhënës i Institutit Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Infektive.
Drejtori i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Robert Redfield, që është vetizoluar “do të punojë nga shtëpia për dy javë”, pasi ka pasur kontakt me një person në Shtëpinë e Bardhë që ka dalë pozitiv për COVID-19, ka raportuar sot Washington Post.
Edhe komisioneri në Administratën për Ushqim dhe Barna (FDA), Stephen Hahn, është në vetizolim, ka thënë një zëdhënës i FDA për Reuters.
Shtetet e Bashkuara janë vendi i goditur më së keqi në botë nga koronavirusi. Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në SHBA janë mbi 1,3 milion të prekur nga koronavirusi dhe mbi 79 mijë persona kanë vdekur.
Koreja e Jugut paralajmëron për një valë të re infektimesh
Raste të reja me koronavirus në Korenë e Jugut kanë detyruar autoritetet që të mbyllin kafiteritë dhe klubet e natës në kryeqytetin jugkorean, nga frika se një valë e dytë e infektimeve mund ta godasë vendin, i cili ka nisur të lehtësojë masat e izolimit.
Të dielën, Koreja e Jugut ka raportuar për 34 raste të reja me COVID-19, që paraqet numrin më të madh të rasteve ditore gjatë një muaji. Numri i përgjithshëm i personave të infektuar ka arritur në 10,874.
Koreja e Jugut ka ndërmarrë masa menjëherë pas paraqitjes së rasteve të para me koronavirus, duke u cilësuar si storie suksesi, për shkak të strategjisë agresive që përdori për të parandaluar përhapjen e mëtejme të virusit.
Por, të shtunën, vetëm disa ditë pasi nisën të lehtësohen masat e izolimit, kryetari i Seulit urdhëro që të gjitha kafiteritë të mbyllen sërish, duke thënë se kjo po bëhet nga frika për shpërthim të mëtejmë të infeksioneve.
Njëri nga personat e infektuar është një 29-vjeçar, i cili kishte qenë në një zonë mjaft të frekuentuar në Seul. Tani autoritetet janë duke gjurmuar dhe testuar afro 1,510 persona që kishin qenë në vendin e njëjtë ku kishte qëndruar i infektuari.
Presidenti jugkorean, Moon Jae-in tha se rastet e reja të infektimeve kanë “rritur vetëdijen se edhe gjatë fazave stabile, situata të ngjashme mund të ndodhin sërish, në çdo kohë”.
Mbi 4 milionë persona të infektuar me koronavirus në botë
A arritur në mbi katër milionë, numri i personave të infektuar me koronavirus në mbarë botën, sipas të dhënave të publikuara nga Universiteti Johns Hopkins.
Numri i vdekjeve nga sëmundja COVID-19 – që shkakton koronavirusi i ri – ndërkaq ka kaluar shifrën prej 279 mijë.
Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë shteti i goditur më së keqi nga koronavirusi me 1,3 milion raste të të infektuarve dhe afro 79 mijë të vdekur.
Ekspertët paralajmërojnë se numri i të të infektuarve mund të jetë më i lartë, për shkak të testimeve të pakta që kryhen në shumë shtete.
Në baza ditore, në disa vende ka nisur të bie numri i viktimave, përfshirë edhe në Spanjë, por ka shqetësime se lehtësimi i masave të izolimit mund të çojë deri te një “valë e dytë” e infektimeve.
Rastet e para me koronavirusin e ri u raportuan për herë të parë në Vuhan të Kinës, në fundin e vitit 2019. Që atëherë, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, 187 shtete kanë raportuar për raste me koronavirus.