Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
15:51 10.5.2020

Raka: Kosova fitoi një betejë, por jo luftën kundër COVID-19

Kosova mund të ketë fituar një betejë më koronavirusin e ri, mirëpo si çdo shtet në botë është shumë larg për ta mundur atë tërësisht, ka thënë mikrobiologu Lul Raka i cili është në frontin e parë në Kosovë, në luftën kundër pandemisë që ka kapluar të gjithë botën.​

Që nga 4 maji, në Kosovë janë lehtësuar disa masa që ka inkurajuar njerëzit t’i hapin disa dyqane si dhe është rritur numri i personave që dalin në rrugë.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në këtë link.

15:38 10.5.2020

Rritet shkalla e infeksionit në Gjermani

Gjermania po shënon rritje të shkallës së numrit të të infektuarve me koronavirusin e ri, vetëm disa ditë pasi ky vend lehtësoi masat e izolimit.

Lajmi u konfirmua nga Instituti Robert Koch (RKI), një qendër për biomjeksinë që këshillon Qeverinë gjermane.

Tani, një person i infektuar mund të bartë virusin tek më shumë se një person tjetër.

Më herët kjo shkallë ishte më e ulët.

Të shtunën mijëra gjermanë u mblodhën në protesta duke kërkuar dhënien fund të të gjitha masave të izolimit të cilat qeveria gjermane i ka vendosur për të parandaluar përhapjen e sëmundjes COVID-19 që e shkakton koronavirusi i ri.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, pas bisedimeve që kishte me drejtuesit e 16 landeve të Gjermanisë, njoftoi të mërkurën një relaksim të gjerë të kufizimeve.

Vendimi përfshinte rihapjen e dyqaneve, kthimin gradual të nxënësve në shkolla dhe rifillimin e ndeshjeve të futbollit të Bundesligës gjermane.

Të dielën, Instituti Robert Koch raportoi se numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 169,218 ndërsa i viktimave 7,395.

Policia gjermane përdori gazin lotësjellës për të shpërndarë protestuesit që kërkonin lehtësimin e masave të izolimit.
Policia gjermane përdori gazin lotësjellës për të shpërndarë protestuesit që kërkonin lehtësimin e masave të izolimit.


15:03 10.5.2020

Kurti: Nuk është momenti që ta kthejmë mbrapsht progresin e shënuar kundër COVID-19

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti thotë se Kosova ka arritur të ulë dukshëm lakoren e koronavirusit, duke shtuar se në 13 ditët e fundit, në vend janë regjistruar më shumë raste të të shëruarve se të infektimeve të reja.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë masat e autoriteteve shëndetësore, me qëllim, që siç tha ai, të arrihet “fitorja e shumëpritur” kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi.

“Nuk është momenti për ta kthyer mbrapsht gjithë progresin e shënuar. Le të mos e humbim ndeshjen në 10 minutat e fundit. Kemi bërë një rrugë të gjatë dhe të vështirë për të arritur deri në këtë pikë. Jemi kaq afër fitores, saqë rikthimi i virusit në mesin tonë do të ishte edhe më zhgënjyes sesa vetë ardhja e tij”, ka shkruar Kurti.

Në Kosovë janë shënuar 880 raste me koronavirus, ku 653 prej pacientëve janë shëruar dhe 28 kanë vdekur.

Nga 4 maji ka nisur faza e parë e lehtësimit të masave të izolimit. Qytetarët kanë të drejtë që të dalin çdo ditë për një orë e gjysmë – 90 minuta paradite dhe 90 të tjera pasdite. Orari i qarkullimit është i ndarë në grupe dhe është i rregulluar në bazë të numrit të parafundit personal në letërnjoftim.

Në fazën e parë – që ka nisur më 4 maj dhe do të jetë deri më 18 maj – është lejuar hapja e disa bizneseve si: ndërtimtaria dhe patundshmëria, tregtia e automjeteve, pjesërisht tregtia me pakicë, pjesërisht riparimi i artikujve personalë dhe i orendive, si dhe zyrat e konsulencës.

Faza e dytë fillon nga 18 maji deri më 2 qershor dhe gjatë saj do të fillojë operimi i bizneseve, si: tregtia me pakicë, dentistët dhe fizioterapeutët, floktarët dhe sallonet e ondulimit, tregu i gjelbër, gastronomia, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndër-urban dhe qendrat e thirrjeve.

Faza e tretë, ndërkaq, hyn në fuqi më 2 qershor e deri në vendimin e radhës dhe do të lejohen transporti urban dhe ndër-urban, taksitë, gastronomia, provimet në arsimin e lartë, testi i maturës dhe arritshmërisë, hapja e kinemave, e teatrove dhe hapja selektive e aktiviteteve sportive.

14:35 10.5.2020

Spanja shënon rënie të numrit të viktimave nga koronavirusi

Spanja të dielën ka raportuar për numrin më të ulët të viktimave nga koronavirusi në dy muaj, teksa shteti ka nisur të lehtësojë masat e izolimit.

Ministria e Shëndetësisë së Spanjës tha se 143 persona kanë vdekur në 24-orët e fundit, duke e çuar në total numrin e viktimave në 26,621.

Kjo është shifra më e ulët e vdekjeve nga koronavirusi në Spanjë që prej 18 marsit, dy ditë pasi ky shtet kishte hyrë në karantinë.

Numri më i lartë i të vdekurve ndodhi më 2 prill, kur u shënuan 950 viktima.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez tha të shtunën se në pjesën më të madhe të vendit, ku jetojnë 51 për qind e popullatës, do të nisë “faza e parë”, e daljes nga izolimi.

Spanja ka një plan të daljes nga izolimi prej katër fazash. Sipas Sanchez, faza e parë do të nisë të hënën.

Restorantet dhe baret do të lejohen që t’u shërbejnë klientëve jashtë lokaleve dhe dyqanet që shesin artikuj jo-esencialë po ashtu do të hapen. Tubimet private prej dhjetë apo më pak personave, po ashtu do të lejohen.

Sipas autoriteteve spanjolle, qyteti i Madridit dhe Barcelonës aktualisht nuk plotësojnë kriteret për të nisur fazën e parë të daljes nga izolimi, andaj ata parashikojnë që do të duhet të kalojë edhe një javë tjetër, para se në këto qytete të nisë zbatimi i fazës së parë të daljes nga izolimi.

Madrid, Spanjë.
Madrid, Spanjë.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG