Mbi 200 viktima të reja në Mbretërinë e Bashkuar
Të dielën (10 maj) në Mbretërinë e Bashkuar janë konfirmuar 269 vdekje të reja nga koronavirusi i ri.
Numri i përgjithshëm i viktimave, që nga fillimi i pandemisë, ka arritur në 31,855.
Sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins, në Mbretërinë e Bashkuar janë raportuar gjithsej 216,526 raste të të infektuarve me koronavirus.
Në Vuhan paraqitet një rast i ri me koronavirus
Qyteti kinez Vuhan, ku filloi shpërthimi i koronavirusit të ri, në fund të vitit të kaluar, ka raportuar edhe një rast të ri me COVID-19.
Ky është rasti i parë pas më shumë se një muaji.
Rasti është një nga 14 të infektuarit e ri të raportuar nga Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinë.
Pacienti, një burrë 89 vjeç, është në gjendje kritike dhe më parë kishte qenë asimptomatik përpara se të dilte pozitiv në testin për koronavirus.
Vendi ku banonte ky burrë, është vënë nën kufizime të rrepta, raportojnë mediat lokale.
Kina ka raportuar gjithsej 82.901 raste të të infektuarve dhe 4,633 vdekje nga Covid-19, sëmundja që e shkakton koronavirusi i ri.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka shtuar së fundmi kritikat kundër Kinës, duke thënë se ky shtet nuk ka bërë mjaftueshëm për të ndalur koronavirusin kur është shfaqur për herë të parë në Vuhan dhe Hubei.
Në Kinë këto akuza janë hedhur poshtë.
Shtetet e Bashkuara nuk janë të sigurta sa i përket origjinës së koronavirusit të ri, ka thënë më 6 maj, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.
“Ne nuk jemi të sigurt, ndonëse ka të dhëna të rëndësishme që tregojnë se ka ardhur nga një laborator”, ka thënë ai.
Më herët, Pompeo ka thënë se ka parë “shumë të dhëna” se virusi ka ardhur nga një laborator në Vuhan.
Zoran Zaev kërkon mbajtjen e zgjedhjeve më 14 qershor
Kryetari i Lidhjes Social Demokrate në Maqedoninë e Veriut, Zoran Zaev kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 14 qershor.
Duke prezantuar qëndrimin e koalicionit “Mundemi” të udhëhequr nga LSDM-ja në pushtet, Zaev tha se duhet shfrytëzuar stabilizimin e gjendjes me koronavirusin dhe sa më shpejtë që të jetë e mundur, të mbahen zgjedhjet për të mos lejuar, siç tha, shkeljen e Kushtetutës.
Lajmin e plotë mund ta lexoni në këtë link.
French Open mund të mbahet pa praninë e shikuesve
Presidenti i Federatës franceze të Tenisit, thotë se turneu French Open – që është shtyrë për shkak të koronavirusit – mund të mbahet në muajin shtator dhe tetor, por pa praninë e shikuesve.
Ky turne i tenisit, që njihet edhe me emrin Roland Garros, fillimisht ishte planifikuar të mbahet në fund të majit, por për shkak të pandemisë së koronavirusit, u shty mbajtja e tij.
Presidenti i Federatës franceze të Tenisit, Bernard Giudicelli tha për gazetën Le Journal du Dimanche se “organizimi pa shikues do të lejonte që një pjesë e ekonomisë të ketë përfitime, sa i përket të drejtave televizive dhe sponsorëve”.
“Nuk kemi përjashtuar asnjë opsion”, shtoi ai.
Turnetë e tenisit në mbarë botën janë anuluar deri më 13 korrik. Edhe Wimbledon tashmë është anuluar.