Franca përgatitet për dalje nga izolimi
Më 10 maj Franca raportoi për 70 vdekje të reja nga COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri.
Ky është numri më i ulët ditor i vdekjeve në javët e fundit.
Në Francë deri më tani janë shënuar gjithsej 26,380 viktima nga koronavirusi.
Ky vend do të dalë të hënën nga izolimi, megjithëse shumë kufizime do të mbesin në fuqi.
"Përpjekjet tona gjatë izolimit shpëtuan mijëra jetë", tha ministria e Shëndetësisë në Francë.
Megjithatë, sipas zyrtarëve shëndetësorë, epidemia është ende "aktive" dhe se rreziku i një vale të dytë të të infektuarve mbetet si kërcënim.
Në kuadër të masave lehtësuese të izolimit, qeveria franceze i ka ndarë rajonet në zona të gjelbërta dhe të kuqe, varësisht nga shkalla e rrezikut të përhapjes së virusit.
Parisi dhe tre rajona tjera janë klasifikuar në zonën e kuqe.
Bie numri i viktimave në Itali
Të dielën (10 maj) Italia raportoi për 165 viktima nga koronavirusi. Ky është numri më i ulët i viktimave të regjistruara në baza ditore, që nga 9 marsi.
Një ditë më parë ishte raportuar për 194 vdekje.
Agjencia e Mbrojtjes Civile tha se numri i përgjithshëm i viktimave, që nga fillimi i pandemisë më 21 shkurt, është 30,560.
Italia është vendi i tretë me numrin më të lartë të viktimave në botë, pas Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe.
Të dielën, për herë të parë që nga fillimi i marsit, numri i rasteve të reja të të infektuarve ishte nën 1.000.
Që nga shpërthimi i pandemisë në Itali janë regjistruar gjithsej 219,070 raste me koronavirusin e ri.
Në fillim të javës, autoritetet italiane filluan heqjen graduale të kufizimeve të rrepta që ishin vendosur në fillim të muajit mars, për të parandaluar përhapjen e sëmundjes.
Infografikë:
Sopranoja kosovare që po afron publikun me operën
Kohën e izolimit, sopranoja kosovare, Arta Jashari, po e shfrytëzon për të përkthyer veprat e famshme të operës në gjuhën shqipe, në mënyrë që ta afrojë edhe më shumë publikun kosovar me artin e operës.