OBSH-ja kundërshton raportimet se fshehu informacionet e COVID-19
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) i ka hedhur poshtë si "pretendime të rreme" raportet e mediave, sipas të cilave, OBSH-ja i fshehu informacionet për koronavirusin e ri, pas presionit nga Kina.
OBSH-ja tha në një deklaratë se raporti i një reviste gjermane për një bisedë telefonike midis shefit të OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus dhe presidentit kinez, Xi Jinping, më 21 janar ishte "i pabazuar dhe i pavërtetë".
Gazeta gjermane Der Spiegel raportoi se gjatë bisedës Xi i kërkoi shefit të OBSH-së që të fshehë informacionet në lidhje me transmetimin e virusit nga njeriu në njeri si dhe të vonojë shpalljen e një pandemie.
Revista citoi agjencinë e zbulimit të Gjermanisë, BND, e cila nuk pranoi të komentojë për këto raporte.
Der Spiegel gjithashtu pretendoi se BND ka ardhur në përfundim se janë humbur deri në gjashtë javë kohë për të luftuar shpërthimin e virusit, për shkak të politikës së informacionit të Kinës.
OBSH-ja tha se shefi i saj dhe presidenti kinez "kurrë nuk kanë folur me telefon" duke shtuar se "raportet e të tilla të pasakta shpërqendrojnë dhe shkatërrojnë përpjekjet e OBSH-së dhe botës, për t'i dhënë fund pandemisë së COVID-19."
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka qenë një ndër kritikët më të ashpër të mënyrës se si e ka trajtuar pandeminë OBSH-ja, duke e akuzuar atë për keqmenaxhim si dhe duke anuluar fondet për organizatën.
Dy të shëruar dhe 14 raste të reja me koronavirus në Kosovë
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, ka njoftuar se të dielën (10 maj) janë konfirmuar 14 raste të reja me COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri.
"Rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Gjilanit 9 raste, komuna e Prizrenit 2 raste dhe me nga 1 rast Peja, Vushtrria dhe Prishtina", thuhet në njoftimin e Institutit.
Që nga data 8 shkurt deri më 10 maj, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë ka arritur në 884.
Të dielën, sipas njoftimit të Institutit, janë shëruar edhe dy persona duke e çuar numrin e të shëruarve në 655.
Deri më tani 28 pacientë kanë vdekur.
Në mëngjes, Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), tha se nëntë pacientë të prekur nga sëmundja COVID-19 po marrin trajtim shëndetësor, ndërkaq edhe tre pacientë pritet që të shtrohen në këtë Klinikë.
Doktoresha Sadije Avdiu nga Klinika Infektive, tha për Radion Evropa e Lirë se vetëm një paciente është në gjendje më të rënduar shëndetësore.
“Në Klinikën Infektive janë të shtruar 17 raste, prej tyre nëntë pacientë pozitivë me COVID-19. Për tri raste të tjera jemi në pritje që të pranohen në Klinikë. Tri pacientë janë me oksigjenoterapi. Gjendja më e përkeqësuar është e pacientes është pranuar para një jave, e cila është nga Rahoveci dhe që është edhe në dializë. Ajo e ka pak gjendjen më të rënduar”, tha Avdiu.
Kosova ka lehtësuar disa masa të izolimit, mirëpo autoritetet shëndetësore po u bëjnë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë me mbajtjen e maskave dhe distancës fizike.
"Lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë", thuhet në njoftimin e Institutit.
Mbretëria e Bashkuar fillon me daljen e "kujdesshme" nga izolimi
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, tha se nuk do të ketë dalje të menjëhershme nga izolimi, por do të fillojë lehtësimi gradual i masave.
Në një konferencë për media në Londër, Johnson shpalli disa prej masave që do të lehtësohen, duke filluar nga java e ardhshme.
Nga e hëna, britanikët që nuk mund të punojnë nga shtëpia, do të inkurajohen të shkojnë në punë, tha ai.
Ndërsa, nga dita e mërkurë, njerëzit do të lejohen të bëjnë ushtrime në natyrë, për sa kohë që ata i përmbahen udhëzimeve për distancim fizik.
"Ju mund të uleni në diell në parkun tuaj lokal, ju mund të vozisni në destinacione të tjera, madje mund të luani sporte, por vetëm me anëtarët e familjes tuaj", tha kryeministri britanik.
Johnson, në muajin prill ishte infektuar me koronavirusin e ri, dhe kishte qëndruar disa ditë në kujdes intenziv.
"Vendi do të rimëkëmbet nga kjo sëmundje djallëzore", tha Johnson.
Mbretëria e Bashkuar "do të ndryshojë nga kjo përvojë", tha ai, duke shfaqur shpresën se "britanikët mund të jemi më të fortë dhe më të mirë se kurrë më parë".
Të dielën (10 maj) në Mbretërinë e Bashkuar janë konfirmuar 269 vdekje të reja nga koronavirusi i ri.
Numri i përgjithshëm i viktimave, që nga fillimi i pandemisë, ka arritur në 31,855.
Sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins, në Mbretërinë e Bashkuar janë raportuar gjithsej 216,526 raste të të infektuarve me koronavirus.
Greqia do të vazhdojë masën e izolimit në kampet e migrantëve
Greqia do të mbajë nën izolim kampet e migrantëve deri më 21 maj.
Masa ishte paraparë të shfuqizohej të hënën, por autoritetet greke thanë se izolimi do të vazhdojë të jetë në fuqi.
"Masat kundër koronavirusit për ata që jetojnë në kampe migrantësh dhe në qendrat e pritjes në Greqi janë zgjatur deri më 21 maj", tha ministria e Migracionit dhe Azilit përmes një deklarate.
Greqia ka filluar lehtësimin e masave të izolimit mbarëkombëtar para gjashtë ditësh.
Ministria nuk njoftoi pse ishte vendosur që kampet të mbesin të izoluara.
Në Greqi janë të regjistruar rreth 2.710 raste me koronavirusin e ri dhe 151 vdekje.
Deri më tani, sipas autoriteteve nuk ka pasur raste të koronavirusit në kampet e ishullit të Egjeut.
Sipas Kombeve të Bashkuara numri i përgjithshëm i azilkërkuesve dhe migrantëve në Greqi është rreth 120,000.
Qeveria greke ka premtuar se do të transferojë nga ishujt mijëra migrantë dhe azilkërkues, me qëllim të shmangjes së mbipopullimit në kampe.