Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
12:29 11.5.2020
Një shkollë në Kinë
Një shkollë në Kinë

Kinë: Testohen pajisje për matjen e temperaturës së studentëve dhe nxënësve

Një numër shkollash në Pekin janë duke testuar disa pajisje dore, për matjen e temperaturës së nxënësve, në përpjekje për të kontrolluar pandeminë e koronavirusit.

Matja e temperaturës do të monitorohet nga shkolla dhe prindërit përmes një aplikacioni, sipas mediave lokale.

Shkollave u është kërkuar të monitorojnë të dhënat dhe të zbatojnë një plan përgjigjeje nëse një student ka ethe dhe temperaturë.

Një mësues në një shkollë të mesme i tha Global Times se byzylykët janë të ngjashëm me një orë dore fitnesi. Studentëve u është kërkuar të mbajnë pajisjen 24 orë në ditë.

Kina ka vendosur kamera termike në vende publike për të matur temperaturën e qytetarëve.

Koronavirusi i ri u shfaq për herë të parë në Kinë në fund të vitit të kaluar. Edhe pse ky vend thotë se e ka vënë nën kontroll situatën e epidemisë, shumë shtete e kanë akuzuar për fshehje të dhënash.

11:53 11.5.2020

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në vetizolim

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se është vetizoluar dhe do të punojë nga shtëpia, pasi ka pasur kontakt me një zyrtar, i cili ka pasur kontakt të ngushtë me një person që ka dalë pozitiv në testin e COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri.

"Sot është dita e parë kur nuk do të dal në punë në Kryeministri. Një zyrtar i Ministrisë së Integrimeve Evropiane ka pasur kontakt të ngushtë me një nga personat e dalur pozitiv në testin për COVID-19. Janë marrë mostrat dhe po presim rezultatin", ka thënë Kurti përmes një postimi në Facebook.

Kurti ka sqaruar se ka pasur kontakt me këtë zyrtar, ndonëse gjithnjë duke respektuar rregullat për distancën fizike.

"Do t'i kryejmë detyrat nga largësia me përkushtimin e njëjtë, do t'i marrim vendimet e duhura me përgjegjësinë e njëjtë", ka thënë Kurti.

11:15 11.5.2020

Kryetari i Londrës u bën thirrje banorëve të mos e përdorin transportin publik

Kryetari i Londrës në Britaninë e Madhe, Sadiq Khan, u ka kërkuar njerëzve që të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos përdorin transportin publik, pas njoftimit të qeverisë për lehtësime në masat e izolimit.

Ai i tha BBC-së se të hënën ka pasur një rritje prej 10% në përdorimin e transportit të metrosë në Londër, krahasuar me të njëjtën kohë javën e kaluar.

"Mesazhi kryesor nga kryeministri mbrëmë dhe unë sot është që të mos përdorin transportin publik - transporti publik është vetë për punëtorët thelbësorë", tha ai.

Kryetari i Mançesterit, Andy Burnham, u bëri jehonë fjalëve të tij.

Ai këshilloi banorët që të jenë "shumë të kujdesshëm".

Më 10 maj, kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, tha se nuk do të ketë dalje të menjëhershme nga izolimi, por do të fillojë lehtësimi gradual i masave.

Në një konferencë për media në Londër, Johnson shpalli disa prej masave që do të lehtësohen, duke filluar nga kjo javë.

Nga e hëna, britanikët që nuk mund të punojnë nga shtëpia, do të inkurajohen të shkojnë në punë, tha ai.

Ndërsa, nga dita e mërkurë, njerëzit do të lejohen të bëjnë ushtrime në natyrë, për sa kohë që ata i përmbahen udhëzimeve për distancim fizik.

Johnson, në muajin prill ishte infektuar me koronavirusin e ri, dhe kishte qëndruar disa ditë në kujdes intenziv.

"Vendi do të rimëkëmbet nga kjo sëmundje djallëzore", tha Johnson.

10:32 11.5.2020

Infografikë:

Si e ka infektuar Agroni “gjithë ndërtesën” me Covid-19?

Si e ka infektuar Agroni “gjithë ndërtesën” me Covid-19?
Si e ka infektuar Agroni “gjithë ndërtesën” me Covid-19?

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG