Edhe pesë raste të reja me koronavirus në Vuhan
Raste të reja me koronavirus u raportuan të hënën në Vuhan të Kinës – qytetin e origjinës së koronavirusit.
Të dielën, Vuhani raportoi rastin e parë qysh më 3 prill, ndërsa sot tha se ka konfirmuar edhe pesë raste të tjera.
Sipas autoriteteve atje, të gjithë të infektuarit e rinj janë identfikuar në të njëjtin kompleks banesor.
"Duhet ta parandalojmë rrezikun e rikthimit të sëmundjes", tha Autoriteti Shëndetësor i Vuhanit.
Të gjitha rastet e fundit janë klasifikuar më herët si asimptomatike - domethënë, ato kanë testuar pozitive për virusin, por nuk kanë shfaqur shenja klinike, të tilla si kollë apo temperaturë.
Këta njerëz mund ta përhapin virusin pavarësisht se nuk janë të sëmurë, por Kina nuk i numëron rastet asimptomatike në numrin zyrtar të të infektuarve të konfirmuar, deri sa të tregojnë simptoma.
Qindra raste asimptomatike janë duke u monitoruar nga autoritetet shëndetësore në Vuhan.
Kina i ka lehtësuar masat e izolimit në javët e fundit, pasi numri i rasteve të reja ka rënë.
Në gjithë Kinën, mbi 84,000 njerëz janë infektuar me koronavirus dhe mbi 4,600 kanë vdekur.
Sllovenia raporton për tre raste të reja me COVID-19
Në 24 orët e fundit, në Slloveni janë konfirmuar tre raste të reja me koronavirus, ndërsa lehtësimi i masave epidemiologjike ka vazhduar me hapjen e transportit publik dhe përgatitjet për rihapjen e shkollave dhe kopshteve, njoftoi qeveria sllovene.
Numri i testeve ishte pak më i ulët, siç ndodh zakonisht gjatë fundjavave, kështu që me 537 teste, u zbuluan tre raste të reja të koronavirusit. Numri i përgjithshëm i të infektuarve që nga fillimi i epidemisë është rritur në 1.460.
Në 24 orët e fundit, në Slloveni nuk u regjistruan vdekje të reja, kështu që numri i përgjithshëm i vdekjeve mbetet në 102.
Shkup: 22 raste të reja me koronavirus
Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, ka njoftuar për 22 raste të reja me koronavirusin e ri.
Prej tyre, 13 janë regjistruar në Shkup, 7 në Tetovë dhe 2 në Prilep.
Sipas të dhënave, numri i të infektuarve ka arritur në 1664 dhe prej tyre 1200 janë shëruar, 91 kanë vdekur dhe 373 janë ende pozitiv.
Komisioni i sëmundjeve Infektive ka diskutuar gjendjen pas rritjes së numrit të të infektuarve në tre ditët e fundit dhe më këtë rast ka bërë të ditur se “lehtësimi i masave duhet të bëhet në mënyrë graduale, pasi përvoja e vendeve që kanë liruar masat tregon për rritje të numrit të pacientëve të rinj”.
Komisionit për Sëmundje Infektive i ka rekomanduar institucioneve kompetente të kryejnë kontrolle të shpeshta dhe të vazhdueshme të subjekteve me qëllim të ruajtjes së shëndetit.
Ministria e Punëve të Brendshme ndërkohë ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit, 29 persona nuk kanë respektuar vendimin për kufizim të lëvizjes dhe 22 prej tyre janë ndaluar nga policia për procedurë të mëtejmë kundërvajtëse.
Greqia fillon fazën e dytë të daljes nga izolimi
Greqia ka hyrë në fazën e dytë të heqjes së masave të izolimit duke lejuar hapjen dyqaneve me pakicë që u mbyllën në mars dhe shkollave të mesme për studentët e klasave të fundit, njoftuan autoritetet e këtij vendi, raporton AP.
Qendrat tregtare do të vazhdojnë të mbesin të mbyllura.
Të gjitha bizneset e tjera të shitjes me pakicë, përfshirë dyqanet e veshjeve dhe kozmetikës, u rihapen, duke zbatuar masat e distancimit fizik për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri që shkakton sëmundjen COVID-19.