Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
08:45 12.5.2020

Rastet e reja në Gjermani rriten për gati 1,000

Autoritetet në Gjermani thanë se kanë konfirmuar edhe 933 të infektuar me koronavirus, që e rrisin në 170,508 numrin e përgjithshëm të tyre.

Të dhënat e fundit paraqesin rritje të madhe, krahasuar me 357 rastet e reja, të raportuara një ditë më parë.

Por, sipas autoriteteve shëndetësore, kjo lëvizje mund të jetë pasojë e raportimeve të vonuara gjatë fundjavës.

Numri zyrtar i viktimave në Gjermani u rrit për 116, përkatësisht në 7,533.

08:25 12.5.2020

Stafi i Shtëpisë së Bardhë urdhërohet të vendosë maska

Stafi i Shtëpisë së Bardhë u urdhërua të vendosë maska në fytyrë, pasi dy pjesëtarë të tij dolën pozitivë në testet për koronavirus.

Zyra e personelit të Shtëpisë së Bardhë tha se stafi duhet të mbulojë fytyrën në çdo kohë, përveç kur është ulur në tavolinë apo në distancë të mjaftueshme fizike.

Presidenti Donald Trump tha se e ka kërkuar këtë politikë.

Megjithatë, ai u paraqit pa maskë në konferencë për media, por tha se ndodhet “larg secilit”.

“Kemi qindra njerëz që hyjnë në Shtëpinë e Bardhë çdo ditë. Mendoj se jemi duke bërë një punë të mirë në frenimin e koronavirusit”, tha Trump.

Urdhri i ri për maska vjen pasi një ndihmës i nënpresidentit Mike Pence dhe një shërbëtor i presidentit Trump janë infektuar.

Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh të të prekurve dhe viktimave me koronavirus.

Mbi 1.3 milion njerëz atje janë infektuar dhe mbi 80,000 kanë humbur jetën.

Presidenti amerikan, Donald Trump.
Presidenti amerikan, Donald Trump.

08:05 12.5.2020

Numri i viktimave nga koronavirusi në SHBA kalon 80,000

Numri ditor i viktimave nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara ka qenë në rënie, por 830 rastet e vdekjeve, të raportuara të hënën, e kanë çuar në mbi 80,000 numrin e përgjithshëm të tyre.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, SHBA-ja ka 80,682 viktima nga koronavirusi - më shumë se çdo vend tjetër në botë.

Ky vend ka po ashtu numrin më të madh të të infektuarve: mbi 1.3 milion.

Shifrat e fundit vijnë pasi disa vende në Evropë kanë lehtësuar tutje masat e izolimit të hënën.

Edhe guvernatori i Nju Jorkut, shtetit më të goditur amerikan, ka thënë se rihapja e ekonomisë atje do të rinisë më 15 maj.

Andrew Cumo ka thënë se kurba e të infektuarve të rinj në Nju Jork ka rënë ndjeshëm dhe se tani ndodhet në nivelin e 20 marsit, kur ka pasur afro 520 raste të reja.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përsëritur të hënën se vendet duhet të kenë “vigjilencë të jashtëzakonshme” derisa lehtësojnë masat e izolimit.

Në gjithë botën, mbi 4.1 milionë njerëz janë infektuar me koronavirus dhe mbi 286,000 kanë vdekur.

00:28 12.5.2020

Një zyrtar i Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë, pozitiv në testin për koronavirus

Ministria e Drejtësisë e Kosovës njoftoi se gjatë ditës së hënë, një zyrtar i kësaj ministrie ka rezultuar pozitiv në testin për koronavirus.

Në njoftimin e lëshuar për media bëhet e ditur se zyrtari është karantinuar sipas udhëzimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK).

“Të gjithë zyrtarët e tjerë, të cilët kanë pasur kontakte me zyrtarin e identifikuar me Covid-19 [sëmundjen që e shkakton koronavirusi] janë karantinuar dhe pritet që, ditët në vijim, të testohen nga IKSHPK-ja”, thuhet në njoftim.

Të hënën, edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe disa zyrtarë të kabinetit të tij janë vetizoluar për shkak të kontakteve me një zyrtar që ka qenë në kontakt me një person të infektuar me koronavirus.

Më vonë është konfirmuar se zyrtari që është bërë shkas për vetizolimin e Kurtit dhe të tjerëve, ka dalë negativ.

Në Kosovë, gjithsej 895 vetë janë konfirmuar me koronavirus - prej tyre 657 janë shëruar dhe 28 kanë vdekur.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG