Vuhani planifikon ta testojë gjithë popullatën për koronavirus
Qyteti Vuhan i Kinës është duke hartuar plane për testimin e të 11 milionë banorëve të tij për koronavirus, raportojnë mediat shtetërore.
Sipas tyre, plani është ende në fazat fillestare dhe të gjitha qarqeve në Vuhan u janë kërkuar detaje se si mund ta bëjnë testimin brenda dhjetë ditësh.
Këto raporte vijnë pasi Vuhani – vendi i origjinës së koronavirusit – ka regjistruar gjashtë raste të reja gjatë fundjavës.
Përpara tyre, ai nuk ka pasur asnjë rast të ri qysh më 3 prill.
Vuhani, i cili ka qenë në izolim të plotë për 11 javë, ka nisur të rihapet më 8 prill.
Në total, Kina ka raportuar për mbi 84,000 raste me koronavirus dhe mbi 4,600 viktima.
Të martën, autoritetet kineze thanë se kanë regjistruar vetëm një rast të ri.
Disa këshilla nga Organizata Botërore e Shëndetësisë:
Tesla do të rihapë fabrikën në Kaliforni pa leje
Shefi ekzekutiv i kompanisë Tesla, Elon Musk, tha se do të rinisë prodhimin e makinave elektrike në fabrikën e tij në Kaliforni, përkundër urdhrit për të qëndruar mbyllur, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Përmes një postimi në Twitter, Musk tha se është i gatshëm të arrestohet.
“Nëse dikush arrestohet, kërkoj që ai të jem unë”, tha Musk.
Musk gjithashtu tha se situata është bërë rrëmujë, pasi zyrtarët e shtetit e kanë miratuar rihapjen e fabrikës, por më pas ajo është bllokuar nga autoritetet lokale.
Ai tha se ndjen se Tesla po “veçohet”, pasi prodhuesit e tjerë të makinave në Shtetet e Bashkuara janë lejuar të rihapen.
Qarku Alameda, ku ndodhet fabrika e tij, ka vendosur që t’i mbajë mbyllur bizneset - përveç atyre që konsiderohen thelbësore - deri në fund të majit.
Autoritetet e qarkut kanë thënë se nuk e konsiderojnë Tesla-n biznes thelbësor.
Pesë pacientë me COVID-19 vdesin nga zjarri në një spital në Rusi
Një zjarr në një spital të Shën Petersburgut ka vrarë pesë pacientë që trajtoheshin për koronavirus.
Sipas mediave ruse, zjarri, me sa duket, ka shpërthyer nga një lidhje e shkurtër e rrymës në një ventilator.
Ministria e Emergjencave e Rusisë tha se zjarri është vënë nën kontroll dhe se 150 persona janë evakuuar nga spitali.
Nuk është e qartë se sa njerëz janë plagosur.
Të gjithë pacientët që kanë vdekur, kanë qenë të kyçur në ventilatorë.
"Ventilatorët po punojnë me kapacitete të plota. Sipas treguesve paraprakë, ata kanë qenë të mbingarkuar dhe janë përfshirë nga zjarri", tha një burim i Departamentit të Emergjencave në Shën Petersburg për agjencinë ruse të lajmeve Interfax.
Rusia ka tani numrin e tretë më të lartë të të infektuarve me koronavirus.
Mbi 221,000 njerëz atje janë prekur me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi, dhe mbi 2,000 kanë vdekur.