Mbretëria e Bashkuar me numrin më të madh të viktimave në Evropë
Numri i viktimave nga koronavirusi në Mbretërinë e Bashkuar kaloi të martën 38,000.
Shifrat e publikuara nga Zyra e Statistikave Kombëtare për Anglinë dhe Uellsin e sollën numrin zyrtar të viktimave në Mbretëri në 38,228.
Me këtë shifër, Mbretëria e Bashkuar ka numrin më të lartë të viktimave në Evropë.
Në aspektin global prin SHBA-ja me mbi 80,000 viktima.
Nga korriku, Ryanair do të rikthejë 40 për qind të fluturimeve
Kompania ajrore e fluturime Ryanair tha se nga muaji korrik, do të rikthejë 40 për qind të fluturimeve.
Për shkak të pandemisë së koronavirusit, veshja e maskës do të jetë e obligueshme në avionët e kompanisë irlandeze.
Po ashtu do të praktikohet matja e temperaturës së pasagjerëve dhe ekuipazhit, por jo edhe distanca e vazhdueshme fizike.
Kjo e fundit “do të rekomandohet kur është e mundur”.
“Në aeroplan, pagesa për pije dhe ushqim do të jetë e mundur vetëm me kartat bankare dhe jo me para të gatshme, ndërsa do të ndalohet të pritet në radhë për të shfrytëzuar tualetin”, njoftoi kompania.
Ryanair po ashtu tha se planifikon të rikthejë 1,000 fluturime në 90 për qind të destinacioneve ku ka fluturuar para pandemisë.
Në kohë të pandemisë, Maqedonia e Veriut diskuton për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve
Me insistimin për mbajtjen e shpejtë të zgjedhjeve parlamentare, partitë politike në Maqedoninë e Veriut, sipas njohësve të çështjeve politike, po dëshmojnë se për to interesi partiak është edhe më i rëndësishëm se shëndeti i qytetarëve.
Në takimin te presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, dy partitë më të mëdha politike, Lidhja Social Demokrate dhe VMRO-DPMNE, shkojnë me qëndrime të ndryshme.
LSDM-ja e ish-kryeministrit Zoran Zaev kërkon që zgjedhjet të mbahen nga mesi i qershorit, ndërsa VMRO-DPMNE-ja opozitare kërkon që ato të mbahen jo para mesit të korrikut, apo edhe më vonë.
Zgjedhjet e parapara për prill, janë shtyrë për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.
Rusia konfirmon edhe gati 11,000 raste të reja me koronavirus
Autoritetet në Rusi thanë se në 24 orët e fundit kanë regjistruar 10,899 raste të reja me koronavirus, të cilat e çojnë në mbi 232,000 numrin e përgjithshëm të tyre.
Me këtë shifër, Rusia ka numrin më të madh të të infektuarve në botë, pas Shteteve të Bashkuara, të cilat kanë mbi 1.3 milion.
Deri më tash, SHBA-ja është ndjekur nga Spanja, Mbretëria e Bashkuar dhe Italia.
Numri aktual i viktimave në Rusi është 2,116.
Përkundër shifrave, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim që nga sot, izolimi mbarëkombëtar nga koronavirusi të lehtësohet dhe bizneset t’i rikthehen punës.
Ngjarjet e mëdha publike do të mbeten të ndaluara dhe njerëzit ende duhet t’i ndjekin udhëzimet shëndetësore, por është në interes të të gjithëve që ekonomia "të kthehet shpejt në normalitet", ka thënë Putin të hënën, teksa ka njoftuar për lehtësimin e masave të izolimit.