Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
15:15 12.5.2020

Zëdhënësi i Kremlinit infektohet me koronavirus

Dmitry Peskov, zëdhënësi i presidentit rus, Vladimir Putin ka thënë se ka dalë pozitiv në testin për koronavirus dhe tani është në spital, duke u trajtuar për sëmundjen Covid-19, që shkakton ky virus.

“Po, jam sëmurë. Jam duke u trajtuar”, është cituar të ketë thënë zëdhënësi i Kremlinit më 12 maj.

Peskov është i fundit zyrtar i lartë që infektohet me këtë virus në Rusi, i cili ka prekur edhe kryeministrin rus, Mikhail Mishustin, ministren e Kulturës, Olga Lyubimova dhe ministrin e Infrastrukturës, Vladimir Yakushev.

Ky njoftim ka ardhur një ditë pasi Putin ka thënë se Rusia është treguar e suksesshme në uljen e shkallës së infektimit me koronavirus, andaj ka bërë të ditura disa lehtësime të kufizimeve, të cilat janë marrë me qëllim të luftimit të kësaj sëmundjeje.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkis, Rusia të martën është kthyer në shtetin e dytë të prekur më së keqi në botë me Covid-19, pasi ka regjistruar mbi 230,000 persona të sëmurë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

14:56 12.5.2020

Emetimet e CO2-shit në Indi bien për herë të parë në gati katër dekada

Emetimet e dioksidit të karbonit në Indi kanë rënë për herë të parë në gati katër dekada.

Sipas një analize të bërë nga ueb-faqja britanike e mjedisit, Carbon Brief, kjo nuk ka ndodhur vetëm si rezultat i izolimit nga koronavirusi.

Zvogëlimi i përdorimit të energjisë elektrike dhe konkurrenca nga burimet e rinovueshme kanë dobësuar kërkesën për lëndë djegëse fosile edhe para pandemisë së koronavirusit, thuhet në analizë.

Megjithatë, sipas saj, ka qenë izolimi mbarëkombëtar në mars që ka kthyer mbrapsht trendin 37-vjeçar të rritjes së emetimeve të CO2-shit.

Studimi tregon se emetimet e tilla në Indi kanë rënë për 15% në mars dhe ka të ngjarë të kenë rënë për 30% në prill.

Ambientalistët shpresojnë se ajri i pastër këto ditë do të rrisë presionin e publikut ndaj Qeverisë indiane, për të pastruar sektorin e energjisë dhe për të përmirësuar cilësinë e ajrit.

14:15 12.5.2020

Irani rihap të gjitha xhamitë përkohësisht

Të gjitha xhamitë në Iran, të mbyllura për shkak të pandemisë së koronavirusit, do të rihapen përkohësisht, nisur nga sot.

Drejtori i Organizatës për Zhvillimin Islamik, Mohammad Qomi, tha se vendimi është marrë në konsultim me Ministrinë e Shëndetësisë.

Ai tha se xhamitë do të jenë të hapura vetëm për tri ditë, për të shënuar disa net specifike të Muajit të Ramazanit.

Irani ka përjetuar shpërthimin më vdekjeprurës të koronavirusit në Lindjen e Mesme.

Mbi 6,600 njerëz kanë vdekur atje, ndërsa gati 110,000 janë infektuar.

Përkundër shifrave, autoritetet kanë nisur lehtësimin e disa masave të izolimit.

Shkollat do të rihapen javën e ardhshme, ka paralajmëruar presidenti Hassan Rohani.

Javën e kaluar, Rohani po ashtu ka thënë se xhamitë në 132 qarqe që konsiderohen me rrezik të ulët për përhapjen e koronavirusit, mund të hapen.

14:01 12.5.2020

Infografikë:

Pse distancimi shoqëror është kaq i rëndësishëm?

Pse distancimi shoqëror është kaq i rëndësishëm?
Pse distancimi shoqëror është kaq i rëndësishëm?

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG