Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
16:51 12.5.2020

Vala e dytë e koronavirusit në Danimarkë, “pak e mundur”

Gjermania është duke u përballur me rritje të shkallës së përhapjes së koronavirusit, pas lehtësimit të masave të izolimit, duke rritur shqetësimet se virusi mund të përhapet sërish në shtetet që u japin fund ndalesave.

Danimarka ka qenë një prej kombeve të para evropiane që ka adoptuar masat e izolimit dhe një prej të parave që u ka dhënë atyre fund.

Nxënësit e shkollave fillore janë kthyer nëpër klasa më 15 prill dhe parukeritë janë rihapur vetëm disa ditë më vonë.

Tani në këtë shtet ka filluar rihapja e restoranteve dhe qendrave tregtare, teksa autoritetet kanë prezantuar masa të reja për vëzhgim të të infektuarve.

Shefi i epidemiologjisë, Kare Molbak u ka thënë gazetarëve se edhe pas heqjes së të gjitha masave, shkalla e infektimit mbetet e vogël, andaj nuk beson se do të ketë valë të dytë të koronavirusit në Danimarkë.

“Asnjë shtet nuk është përballur me valë të dytë deri më tani. Disa shtete kanë parë rritje ose zvogëlim të rasteve të koronavirusit”, ka thënë ai.

“Mirëpo me njohuritë që kam tani, unë e shoh shumë pak të mundur ardhjen e valës së dytë”, është shprehur mes tjerash ai.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, autoritetet daneze kanë regjistruar 10,789 të infektuar dhe 533 të vdekur me koronavirus.

16:30 12.5.2020

Kosovë: Kufizimet "mund të ashpërsohen" nëse nuk respektohen

Komiteti për menaxhimin e pandemisë me koronavirus në Kosovë, u ka kërkuar qytetarëve që t’i respektojnë maksimalisht masat për luftim të këtij virusi, pasi nëse ndodh e kundërta, kufizimet mund të ashpërsohen.

Këto komente janë bërë pas mbajtjes së një takimi, me qëllim të analizimit të situatës së krijuar pas përhapjes së këtij virusi.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti ka thënë para mediave se në takim janë diskutuar rezultatet e masave që janë marrë.

"Po tërheqim vërejtjen se në rast se bie disiplina e qytetarëve në zbatimin e masave, dhe në rast se edhe bizneset e keqpërdorin këtë fazë të hapjes graduale, atëherë faza tjetër, mund të shtyhet. Indikacionet janë se në dy tre ditët e fundit kemi pasur rritje të numrit të rasteve me Covid-19 dhe ky është një tregues se ne duhet të jemi më të kujdesshëm" , është shprehur Hoti.

Zyrtarët e këtij Komiteti kanë thënë edhe se gjendja e deritanishme me Covid-19 në Kosovë ka qenë e menaxhueshme.

Marrë parasysh të dhënat e fundit, autoritetet shëndetësore në këtë shtet kanë regjistruar 895 raste me koronavirus.

Prej tyre, 657 pacientë janë shëruar dhe 29 kanë vdekur.

15:54 12.5.2020

Vdes një 63-vjeçare me koronavirus në Kosovë

Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka njoftuar se të martën ka vdekur edhe një paciente e prekur me koronavirus, duke e rritur numrin total të viktimave në 29.

Viktima, 63-vjeçare, ka qenë nga Komuna e Rahovecit.

“Pacientja ishte pranuar në Klinikën Infektive me datën 03.05.2020 në gjendje të rëndë, paraprakisht e konfirmuar për Covid-19 dhe me disa sëmundje të tjera shoqëruese”, është thënë në njoftim.

Marrë parasysh të dhënat e fundit, autoritetet shëndetësore në këtë shtet kanë regjistruar 895 raste me koronavirus.

Prej tyre, 657 pacientë janë shëruar dhe 29 kanë vdekur.

15:37 12.5.2020

Testi i maturës në Kosovë mbahet në korrik

Ministria në detyrë e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), në Kosovë, ka njoftuar të martën se Provimi i Maturës Shtetërore 2020, do të mbahet në javën e parë të muajit korrik, ndonëse data nuk është caktuar ende.

Kjo ministri ka njoftuar përmes një komunikate se provimi do të mbahet brenda një dite për të gjitha lëndët dhe për të gjithë maturantët.

Zyrtarë të kësaj ministrie kanë njoftuar se për zhvillimin e këtij procesi janë konsultuar me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Ky Institut ka rekomanduar që provimi i maturës të organizohet në atë mënyrë që të ketë numër sa më të vogël të maturantëve brenda një qendre të testimit dhe brenda klasave të testimit, si dhe të zbatohen të gjitha masat për luftim të sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi.

"Komisioni Shtetëror i Maturës (KSHM) i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka vendosur që testi do të ketë gjithsej 100 kërkesa (pyetje, detyra), nga 25 kërkesa për secilën nga katër lëndët e përfshira dhe do të zgjasë 150 minuta. Në test do përfshihen tri lëndë obligative (gjuhë shqipe, gjuhë angleze dhe matematikë) dhe një lëndë zgjedhore (që përzgjidhet nga vet nxënësi nga mesi i lëndëve zgjedhore që do të ofrohen)", është thënë në komunikatë.

Marrë parasysh të dhënat e fundit, autoritetet shëndetësore në këtë shtet kanë regjistruar 895 raste me koronavirus.

Prej tyre, 657 pacientë janë shëruar dhe 28 kanë vdekur.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG