Ariu i zi nga Oregoni duke u zbavitur në vaskë
Derisa kopshti zoologjik në Oregon po kërkon donacione për t’u rihapur pas pandemisë me koronavirus, ariu i zi me emrin Takoda në këtë kopsht po zbavitet duke u larë në një vaskë me ujë.
Rihapja e shpejtë e SHBA-së mund të ketë “pasoja të mëdha”
Eksperti i sëmundjeve infektuese në Shtetet e Bashkuara, Anthony Fauci ka thënë të martën para Kongresit se rihapja e parakohshme e ekonomisë amerikane mund të rezultojë me shpërthime tjera të koronavirusit.
Drejtori i Institutit Kombëtar për Sëmundje Infektuese dhe Alergji ka paralajmëruar një panel të Senatit amerikan se shtetet duhet të ndjekin rekomandimet e ekspertëve shëndetësorë dhe të presin derisa të ulet numri i të infektuarve para rihapjes.
Në anën tjetër, presidenti amerikan, Donald Trump ka inkurajuar shtetet që t’iu japin fund masave tash e disa javë për mbyllje të ekonomisë.
“Nëse disa zona, qytete apo shtete, hapen para kohës, pa pasur kapacitetet që të përgjigjjen me efikasitet, shqetësimi im është se ne do të shohim shenja të vogla që mund të kthehen në shpërthime. Pasojat mund të jenë shumë serioze”, ka deklaruar ai.
Fauci, anëtar i task-forcës së Trumpit për koronavirus, i ka thënë Komitetit të Senatit për Shëndetësi, Edukim, Punësim dhe Pensione se përpjekjet për ta luftuar virusin vdekjeprurës duhet të “fokusohen në praktikat e vërtetuara të shëndetit publik për ndalim dhe zbehje” të sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Fauci, 79-vjeçar ka raportuar nga dhoma e tij, pasi gjendet ne vetizolim, meqë mund të ketë qenë në kontakt me ndonjërin prej dy pjesëtarëve të stafit të Shtëpisë së Bardhë, që janë diagnostikuar me sëmundjen Covid-19, që shkakton virusi.
Shtetet e Bashkuara janë prekur më së keqi në botë nga koronavirusi, pasi kanë raportuar mbi 1 milion të prekur dhe mbi 80,000 të vdekur si pasojë e sëmundjes, Covid-19, që shkakton ky virus.
Trump: Kompanisë Tesla duhet t'i lejohet hapja e fabrikës
Presidenti amerikan, Donald Trump i ka bërë thirrje Kalifornisë që të lejojë rihapjen e kompanisë Tesla, pasi shefi ekzekutiv i saj, Elon Musk, ka thënë se do të rinisë prodhimin në fabrikë, pavarësisht vendimeve për mbyllje, për shkak të pandemisë me koronavirus.
“Kalifornia duhet të lejojë Teslan dhe Elon Musk që të hapin fabrikën tani. Mund të bëhet shpejt dhe sigurt”, ka thënë Trump përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.
Trump i ka bërë këto komente një ditë pasi Musk ka njoftuar se prodhimi do të nisë në fabrikë dhe nëse dikush duhet të arrestohet, atëherë ai është personi i duhur.
Musk ka kritikuar në javët e fundit vendimet e Kalifornisë për të zbatuar masat e izolimit, me qëllim të luftimit të koronavirusit.
Kjo kompani ka nisur ankesë tek autoritetet lokale lidhur me ndalesën e hapjes së fabrikës, duke kërcënuar me bartje të selisë së Teslas jashtë këtij shteti.
Qarku Alameda, ku gjendet fabrika, është urdhëruar që të qëndrojë i mbyllur deri në fund të muajit maj, përveç bizneseve të domosdoshme.
Sipas këtij Qarku, Tesla nuk është pjesë e bizneseve të domosdoshme.
Autoritetet e kësaj zone kanë thënë se shkelja e masave të izolimit është e ndëshkueshme me gjobë, burgim, apo të dyja.
Shtetet amerikane janë duke kërkuar për mënyra të rihapjes së ekonomisë së tij, duke rrezikuar përhapjen edhe më të madhe të koronavirusit.
Përhapja e pandemisë ka rezultuar me mbyllje të bizneseve dhe largim nga puna të miliona amerikanëve.
Shtetet e Bashkuara janë prekur më së keqi në botë nga koronavirusi, pasi kanë raportuar mbi 1 milion të prekur dhe mbi 80,000 të vdekur si pasojë e sëmundjes, Covid-19, që shkakton ky virus.
Bie importi i naftës, buxheti nën presion
Përhapja e pandemisë me koronavirus ka bërë që edhe në Kosovë të ketë ulje të dukshme të importit të naftës.
Të dhënat e Doganës se Kosovës tregojnë se vetëm në muajin prill në Kosovë ka hyrë naftë në vlerë prej 8 milionë eurosh, në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, ku vlera ishte 24 milionë euro.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se izolimi nga koronavirusi edhe në Kosovë ka ulur kërkesën për naftë, përkundër se çmimi është më i ulët sesa viteve të fundit.
“Pandemia sikurse në gjithë globin, ndikim ka pas edhe në Kosovë. Furnizimet në këtë kohë vitin e kaluar, brenda 24-orëve kanë hyrë 120 autobot, ndërsa tash në këto ditë maksimumi që brenda një dite hyjnë në Kosovë janë 35 autobot”, thotë Berjani.
Disa qytetarë tregojnë se nga fillimi i zbatimit të masave emergjente për parandalimin e koronavirusit, daljet me vetura i kanë pasur të kufizuara, kështu që edhe shpenzimi i sasisë së naftës ka qenë më i ulët.
Argumentet e tyre i lexoni këtu.