IKSHPK regjistron 24 raste të reja me koronavirus
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka regjistruar të martën 24 raste të reja me koronavirus, pas testimit të 257 mostrave.
“Rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Gjilanit 14 raste (sipas vendbanimit: 6 raste Përlepnicë, 5 raste Gjilan, 1 rast Velekincë, 1 rast Cërnicë dhe 1 rast Livoç i epërm), komuna e Prishtinës 4 raste (sipas vendbanimit: 4 raste Prishtinë), komuna e Vushtrrisë 3 raste (sipas vendbanimit: 2 raste Vushtrri dhe 1 rast Pestovë) dhe me nga 1 rast vendbanimet: Topanicë-Kamenicë, Mitrovicë dhe Talinoc i Jerlive – Ferizaj”, është thënë në njoftim.
Në po këtë ditë, Instituti ka njoftuar për shërimin e 14 pacientëve nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Marrë parasysh të dhënat e fundit, autoritetet shëndetësore në këtë shtet kanë regjistruar 919 raste me koronavirus.
Prej tyre, 671 pacientë janë shëruar dhe 29 kanë vdekur.
Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës miraton kredi për Kosovën
Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës (CEB), ka miratuar një kredi për Kosovën, në vlerë prej 35 milionë eurosh.
Banka ka thënë se synon t’i mbështesë përpjekjet e autoriteteve kosovare për të ofruar kujdes shëndetësor për ata që preken nga pandemia e koronavirusit.
Kjo Bankë ka miratuar gjithashtu një grant prej 1 milion eurosh si subvencion për normën e interesit të kredisë.
“Kredia e bankës do të mbulojë kostot e kujdesit urgjent shëndetësor dhe do të mundësojë ngritjen e njësive të specializuara, në spitale të zgjedhura, si dhe blerjen e pajisjeve për trajtim dhe diagnostikim” është thënë në njoftimin e Bankës.
Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës ka thënë se ekonomia e Kosovës pritet të tkurret për 5 për qind këtë vit, për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe ka vlerësuar se shpenzimet për kujdesin shëndetësor dhe masat ekonomike, si rezultat i pandemisë, do të jenë rreth 280 milionë euro.
Zëvendësministri në detyrë i Financave në Kosovë, Agim Krasniqi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se të gjitha kreditë që i merr Kosova do të jenë pjesë e një fondi të konsoliduar, i cili përdoret për të mbuluar masat e miratuara tashmë nga Qeveria në detyrë.
Krasniqi ka shtuar se nënshkrimi i marrëveshjes do të bëhet në përputhje me Ligjin për Marrëveshje Ndërkombëtare në Kosovë.
Krasniqi ka thënë se marrëveshja duhet të ratifikohet në Kuvend nga shumica prej dy të tretave.
“Sesa do të zgjasë kjo, varet. Bëhet fjalë për marëdhëniet në mes të Qeverisë dhe Kuvendit dhe kjo është një marrëveshje ndërkombëtare që duhet të ratifikohet me shumicën e dy të tretave”, ka thënë Krasniqi.
Për të forcuar sistemin shëndetësor në luftën kundër koronavirusit, Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar më 8 maj, nismën për të nënshkruar marrëveshje me Bankën Botërore për kredi në vlerë prej 48 milionë dollarësh.
Në muajin prill Fondi Monetar Ndërkombëtar ka miratuar po ashtu një kredi në vlerë të 52 milionë eurosh.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Krasniqi po ashtu ka thënë se Kosova është në negociata me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për një kredi prej 25 milionë eurosh, e cila do të mbështeste likuiditetin e kompanive publike.
Nga Komisioni Evropian po ashtu është premtuar një kredi prej 100 milionë eurosh.
“Gjithçka është në fazën e negociatave. Fondi i premtuar nga Komisioni Evropian është po ashtu në fazën e negociatave dhe duhet të miratohet nga qeveria dhe më pas parlamenti”, ka thënë Krasniqi.
Gjermania nuk është alarmuar nga rritja e shkallës së infektimit me koronavirus
Instituti Robert Koch, që këshillon Qeverinë gjermane për koronavirus, ka thënë se nuk është e shqetësuar nga shkalla e përhapjes së virusit, e cila është rritur në tre ditët e fundit.
Shkalla më shumë se 1.0 nënkupton që një person është duke bartur virusin te më shumë se një person tjetër.
Lars Schaade nga ky Institut ka thënë se vetëm nëse shkalla rritet për 1.2 ose 1.3 për disa ditë, atëherë duhet të ketë shqetësime.
Ai po ashtu ka thënë se sa më i vogël numri i përgjithshëm i të infektuarve, aq më i rëndësishëm është ndikimi i shpërthimit në shkallën e përhapjes.
Qindra punëtorë në thertore gjermane - shumica prej tyre në Evropën Lindore – kanë dalë pozitivë në testet për koronavirus, dhe tani mijëra teste tjera janë duke u kryer në këtë sektor.
Në vetëm një thertore në Coesfeld, Westphalia janë regjistruar 260 raste të të infektuarve.
Instituti Robert Koch, ka thënë të martën se numri total i të vdekurve nga koronavirus në Gjermani, ka arritur në 7,533.
Mesatarja e viktimave javën e kaluar ka qenë nga 100 në 200 persona.
Numri i të vdekurve në disa shtetet evropiane, përfshirë Italinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Spanjën, ka qenë shumë më i madh.
Infermierët në Kosovë kërkojnë rritje pagash dhe kushte më të mira
Sindikata e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë shëndetësorë, përmes një letre të hapur drejtuar institucioneve të Kosovës, ka kërkuar rritjen e koeficientit të pagave si dhe përfitimeve tjera.
Në letrën që i drejtohet Qeverisë në detyrë të Kosovës, Ministrisë në detyrë të Shëndetësisë, Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) si dhe drejtorive të shëndetësisë të të gjitha komunave të Kosovës, është thënë se infermierët janë lënë pas dore në 20 vjetët e fundit.
Sipas kësaj Sindikate, infermierët vazhdojnë të punojnë në kushte të vështira.
“Ka ardhur koha që tani të veprohet që infermierëve t’ju plotësohen kushtet: Koeficienti i pagës 3.2, të ngrihet pagesa e ndërrimeve të natës për 100 për qind, të paguhen orët shtesë, të paguhet rrezikshmëria, të paguhet puna gjatë vikendeve për 50 për qind, të miratohet ligji i cili ua njeh infermierëve punën gjatë viteve 1990 deri 1999, punësimi i infermierëve të rinj si dhe të krijohen kushte më të favorshme për punë”, është thënë në letrën e Sindikatës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë shëndetësorë.
Sindikata e Infermierëve rikujton se Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur vitin 2020 si vit të infermierëve.
Kërkesa e Infermierëve të Kosovës bëhet pikërisht në ditën 12 maj kur shënohet “Dita Ndërkombëtare e Infermierisë”.
Pjesëtarë të kësaj Sindikate kanë kërkuar edhe në të kaluarën që t’iu bëhet një zgjidhje lidhur me kërkesën e tyre për ngritjen e koeficientit.
Personeli mjekësor në Kosovë ka qenë i sfiduar muajve të fundit pas shfaqjes së rasteve të prekura nga koronavirusi i ri.
Pas kontakteve me pacientë, disa mjekë dhe infermierë në Kosovë rezultuan pozitivë në testin për sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi.
Aktualisht, një mjek specialist në Kosovë ka pagë prej rreth 600 eurosh në muaj, derisa infermierët marrin pagë prej rreth 400 eurove në muaj.