Franca tejkalon Spanjën me numër të viktimave nga Covid-19
Franca ka tejkaluar Spanjën sa u përket vdekjeve të regjistruara si pasojë e koronavirusit, duke u kthyer në shtetin e katërt të prekur më keq në botë, pas Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar dhe Italisë.
Në 24 orët e fundit janë regjistruar 248 vdekje, duke e rritur shifrën totale të viktimave në 26,991 - 17,003 prej të cilëve kanë vdekur nëpër spitale dhe 9,988 nëpër shtëpi kujdesi.
Megjithatë, numri i personave nëpër spitale dhe kujdes intensiv ka vazhduar të shënojë rënie.
Ekspertët kanë paralajmëruar se është e vështirë që të bëhen krahasime ndërkombëtare në mes të numrit të viktimave, pasi shtetet kanë mënyra të ndryshme të regjistrimit të të vdekurve.
Ahmeti: Rastet e reja mund të vonojnë relaksimin e masave
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se rritja e numrit të personave të prekur nga koronavirusi mund të ketë ndikim në shtyrjen e relaksimit të masave.
Ahmeti i ka bërë këto komente pasi Instituti i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka njoftuar të martën për 24 raste të reja, katër prej të cilave në Prishtinë.
“Katër raste të reja në Prishtinë e 24 në krejt Kosovën. Pakujdesia mund të vonojë relaksimin e masave. Po mundohemi në çdo mënyrë ta kufizojmë këtë rritje të dytë të rasteve por na duhet bashkëpunimi i të gjithëve. Përndryshe IKSHP dhe Ministria e Shëndetësisë mund të shlyejnë relaksimin e masave”, ka shkruar Ahmeti në rrjetin social, Facebook.
Instituti i Shëndetësisë Publike të Kosovës ditëve të fundit u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat e kufizimit të lëvizjes në mënyrë që të pamundësohet shtimi i rasteve të reja me koronavirus.
Deri me tani autoritetet në Kosovë kanë regjistruar 919 raste pozitive me koronavirus dhe 671 të shëruar.
Që nga shfaqja e rastit të parë me 13 mars kanë vdekur 29 persona.
Maqedonia e Veriut rihap xhamitë për besimtarët
Pas gati dy muajve, besimtarët janë falur në oborrin e Xhamisë së Mustafë Pashës në Shkup. Bashkësia Fetare Islame ka njoftuar se janë rihapur të gjitha xhamitë në mbarë vendin. Por, për shkak të koronavirusit, kjo bashkësi ka njoftuar se besimtarët duhet të mbajnë maska, të marrin sixhade me vete dhe duhet të mbajnë distancë fizike nga njëri-tjetri.
Spanjë: 113-vjeçarja shërohet nga koronavirusi
Në Spanjë, një 113-vjeçare, që besohet se është personi më i vjetër në këtë shtet, është shëruar nga koronavirusi, kanë thënë zyrtarët.
Maria Branyas ka jetuar për dy dekada në një shtëpi kujdesi në qytetin verilindor, Olot.
Ajo ka festuar ditëlindjen e saj në muajin mars, pak para shpërthimit të pandemisë.
Familja e saj mund të kenë menduar se nuk do ta shohin atë më kurrë, pasi infektimit me koronavirus.
Mirëpo pas disa javëve të izolimit, ajo është shëruar, pasi është përballur vetëm me simptoma të lehta.
Maria ka lindur në qytetin amerikan San Francisko më 1907, në vitin e një tërmeti të madh.
Ajo ka tejkaluar dy luftëra botërore, një luftë civile dhe gripin spanjoll më 1918-19.
E pyetur për sekretin e jetës së saj të gjatë, ajo ka thënë se ka vetëm ka gëzuar shëndet të mirë.