Singapori do të testojë për koronavirus të gjithë punëtorët migrantë
Të 323,000 punëtorët e huaj që jetojnë në konvikte në Singapor, do të testohen për koronavirus, thanë autoritetet.
Singapori, i cili është marrë si shembull i luftës kundër koronavirusit, është goditur nga një shpërthim i madh i sëmundjes në mesin e punëtorëve migrantë.
Punëtorët, kryesisht nga Azia Jugore, jetojnë në konvikte të stërmbushura – shpesh nga 16 vetë në një dhomë.
Mijëra sish janë vendosur në karantinë, por qindra janë duke dalë pozitivë në testet për koronavirus.
Deri më tash, mbi 32,000 punëtorë janë testuar, apo 10 për qind e totalit.
Ministri i Zhvillimit Kombëtar, Lawrence Wong, tha se rreth 3,000 teste kryhen çdo ditë.
Singapori ka konfirmuar deri më tash 24,671 të infektuar me koronavirus - gati të gjithë punëtorë migrantë - dhe 21 viktima.
Si shpërndahet COVID-19 dhe si ta mbroni veten kundër tij?
Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019. Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje. Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
Numri i viktimave nga koronavirusi në SHBA rritet për gati 2,000
Shtetet e Bashkuara regjistruan në 24 orët e fundit edhe 1,894 viktima nga koronavirusi, të cilat e çojnë në 82,387 numrin e përgjithshëm të tyre.
Shifra paraqet një rritje të mprehtë krahasuar me më pak se 1,000, sa ka qenë në dy ditët paraprake.
Numri total i të infektuarve në SHBA aktualisht qëndron në mbi 1.3 milion.
Eksperti i sëmundjeve infektive atje, Anthony Fauci, paralajmëroi të martën për shpërthime të reja të sëmundjes, nëse masat e izolimit hiqen shumë shpejt.
Nëse udhëzimet federale për rihapjen e ekonomisë nuk ndiqen, "pikat e vogla" do të bëhen shpërthime, tha Fauci.
Ai foli para një komiteti të Senatit të Shteteve të Bashkuara, përmes një video-lidhjeje.
Mesazhi i tij u interpretua si kundërshim i qëndrimeve të presidentit Donald Trump, i cili do që ekonomia amerikane të rihapet sa më shpejt.
Disa shtetet amerikane tashmë kanë nisur lehtësimin e masave të izolimit.
Nju Jorku, shteti më i prekur në SHBA, ka paralajmëruar se do t’i relaksojë kufizimet nga data 15 maj.
Me 1.3 milion njerëz të infektuar me koronavirusi dhe me mbi 82,000 të vdekur, SHBA-ja është vendi më i goditur në botë.
Rreth 1 për qind e popullsisë hungareze besohet se ka pasur koronavirus
Të dhënat preliminare të një sondazhi mjekësor për popullsinë hungareze kanë sugjeruar se rreth 1 për qind e banorëve të Hungarisë ka pasur koronavirus.
Nga 8,700 persona të testuar, vetëm dy kanë rezultuar pozitivë, derisa nëntë veçse kanë kaluar virusin.
Testimet janë duke u kryer në baza vullnetare dhe nuk përfshijnë pacientët nëpër institucione siç janë ato për kujdes ndaj të moshuarve.
Në javën e ardhshme pritet të kryhen edhe 9,000 teste tjera.
Statistikat zyrtare në Hungari kanë treguar se 3,300 persona kanë pasur virusin, ndërsa 425 kanë vdekur.
Sondazhi tregon se në mes të 0,27 për qind deri në 1.1 për qind e popullsisë besohet se ka pasur virusin – apo 22,000 deri në 93,000 persona në mesin e 8.3 milionë hungarezëve të moshës 14-vjeçare e tutje.
Hungaria është një prej shteteve të prekura më së paku me koronavirus, mirëpo qeveria e këtij shteti ka miratuar masa të rrepta, duke përfshirë vendimin për të udhëhequr me dekret, derisa të shfuqizohet vendimi për gjendje të jashtëzakonshme.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban ka thënë se masat kanë qenë të domosdoshme “për t’u përgatitur për më të keqen dhe për të shpresuar për më të mirën”.
Ai ka urdhëruar që 36,000 nga 65,000 shtretërit e spitaleve, të përgatiten për pacientë me koronavirus.
Deri më tani nuk janë mbushur as 1,000 prej tyre në kohën e njëjtë.