Arabia Saudite do të izolohet plotësisht gjatë festës së Bajramit
Arabia Saudite tha se do të izolohet plotësisht gjatë festës së Bajramit, për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Ministria e Brendshme tha të mërkurën se izolimi do të jetë në fuqi nga data 23 maj, kur nis Fiter-Bajrami, deri më 27 maj, kur edhe përfundon.
Bajrami shënon fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit dhe zakonisht festohet me vizita të familjarëve te njëri-tjetri.
“Deri më 23 maj, aktivitetet ekonomike do të qëndrojnë të hapura dhe njerëzit do të mund të lëvizin lirshëm ndërmjet orës 9 të mëngjesit dhe 5 të pasdites”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.
Arabia Saudite ka raportuar për afro 43,000 persona të infektuar me koronavirus dhe 264 viktima.
Në muajin mars, autoritetet atje kanë anuluar pelegrinazhin Umrah, nga frika e përhapjes së koronavirusit në vendet e shenjta islame.
Ato nuk kanë marrë ende vendim për pelegrinazhin e Haxhit, i cili këtë vit i bie në fund të korrikut.
Vitin e kaluar, rreth 2.5 milionë myslimanë nga e gjithë bota kanë udhëtuar në Arabinë Saudite për të marrë pjesë në Haxh.
Serbia rihap kufijtë për shtetasit e rajonit nga 1 qershori
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se Serbia, nga 1 qershori, do t’i rihapë kufijtë për shtetasit e Bosnje dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Kufijtë në rajon janë mbyllur qysh në mes të muajit mars, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Daçiq tha se kufizimet për qytetarët e vendeve të Bashkimit Evropian do të mbeten në fuqi së paku deri më 15 qershor.
Duke folur për mediat serbe, Daçiq tha se këto janë qëndrimet e Serbisë dhe se hyrja e qytetarëve serbë në vendet e tjera do të varet nga rregullat që i kanë ato vende.
Ai po ashtu tha se Serbia, që nga fillimi i pandemisë, ka riatdhesuar rreth 15,000 qytetarë të saj nga vende të ndryshme të botës.
Ata janë kthyer me fluturime humanitare, tha Daçiq.
Serbia është vendi më i prekur nga koronavirusi në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Mbi 10,000 njerëz janë infektuar atje, ndërsa kanë vdekur 220.
Javën e kaluar, Kuvendi i Serbisë ka votuar për heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme në këtë vend, e cila është vendosur më 15 mars, si masë për frenimin e koronavirusit.
Dy pacientë me COVID-19 në Kosovë, në gjendje më të rënduar
Dymbëdhjetë pacientë të prekur nga sëmundja COVID-19, të cilën e shkakton koronavirusi, janë të shtrirë në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Në njoftimin e QKUK-së thuhet se tetë pacientë janë në gjendje stabile, ndërsa katër janë në trajtim me okisgjenoterapi dhe përkujdesje intensive.
Prej tyre, dy pacientë janë në gjendje më të rënduar dhe njëri prej tyre është i shtrirë në repartin e mjekimit intensiv.
“Dy pacientë do të lëshohen në shtëpi, pasi kanë rezultuar negativë në testimet e fundit”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.
Sipas të dhënave të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në Kosovë deri më tani janë regjistruar 919 raste me koronavirus. Prej tyre, 671 pacientë janë shëruar dhe 29 kanë vdekur.
Twitter i lejon stafit të punojë përgjithmonë nga shtëpia
Punonjësit e kompanisë Twitter mund të punojnë nga shtëpia përgjithmonë.
Gjiganti me seli në San Francisko tha se 5,000 punëtorët e tij kanë punuar nga distanca qysh në fillim të marsit, kur edhe ka shpërthyer pandemia e koronavirusit.
Marrëveshja ka funksionuar aq mirë, saqë Twitter tha se është i gatshëm t’i lejojë ata të vazhdojnë, nëse pozitat ua lejojnë punën nga shtëpia.
“Muajt e fundit kanë dëshmuar se mund ta bëjmë këtë”, tha shefi ekzekutiv i rrjetit social Twitter, Jack Dorsey.
“Nëse punonjësit tanë janë në një rol dhe situatë që ua lejon atyre të punojnë nga shtëpia dhe ata duan të vazhdojnë ta bëjnë këtë përgjithmonë, ne do t’ua mundësojmë”, tha Dorsey në një email dërguar punëtorëve.
Për ata që nuk mund të punojnë përgjithmonë nga shtëpia, Twitter tha se ka gjasa që t’i hapë zyrat nga fundi i vitit, “por jo përpara shtatorit”.
Twitter ka 35 zyra në gjithë botën, përfshirë ato në Nju Delhi, Londër dhe Singapor.
Kompani të ngjashme, si Facebook dhe Google, u kanë thënë po ashtu punëtorëve të tyre se mund të punojnë nga distanca gjatë pjesës së mbetur të vitit.