Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
12:29 13.5.2020

Laboratorët privatë në Kosovë s’kanë leje të bëjnë teste koronavirusi

Sektori publik i shëndetësisë në Kosovë ende nuk ka filluar të bëjë teste serologjike, në bazë të të cilave mund të vërtetohet nëse një person e ka pasur koronavirusin.

Testet e tilla janë të rëndësishme për të përcaktuar shkallën e imunitetit ndaj sëmundjes COVID-19, e cila shkaktohet nga koronavirusi i ri, posaçërisht te personat që nuk kanë shfaqur simptoma.

Por, Besim Nuhiu, një qytetar nga Prishtina, thotë se këtë test, ai ka arritur ta bëjë në një laborator privat.

“Unë e kam bërë para një kohe testin me gjak, për të ditur nëse e kam pasur koronavirusin. Kam rezultuar negativ. Por, kur kam kërkuar t’ua bëj testin edhe familjarëve, nuk kam pasur mundësi, pasi kjo procedurë u ndërpre”, tha zoti Nuhiu.

Laboratori privat Avicena në Prishtinë, përmes një njoftimi në ueb-faqe, njofton se është furnizuar me teste për detektimin e COVID-19 dhe se “kapaciteti i testeve është 50 në ditë me një çmim prej 20 eurosh”.

Testi që përdoret, sipas këtij njoftimi, është “test i shpejtë dhe preciz kromatografik për detektim të antitrupave të krijuara nga koronavirusi”.

Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.

12:17 13.5.2020

Brazili shënon numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi brenda një dite

Brazili regjistroi numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi brenda një dite, thanë zyrtarët shëndetësorë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 881 njerëz humbën jetën të martën, duke e çuar në 12,400 numrin e përgjithshëm të viktimave në këtë vend.

Me këtë shifër, Brazili, i cili është epiqendër e shpërthimit të koronavirusit në Amerikën Latine, është tani vendi i gjashtë më i goditur sa i përket numrit të viktimave.

Ekspertët thonë se shifra reale mund të jetë shumë më e lartë, për shkak të mungesës së testimeve.

"Brazili teston vetëm njerëz që përfundojnë në spital", tha Domingo Alves, nga Universiteti i Sao Paulos, për agjencinë e lajmeve AFP.

Numri i të infektuarve në Brazil është mbi 177,000.

Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, vazhdimisht ka minimizuar kërcënimin nga koronavirusi dhe ka kritikuar guvernatorët dhe kryetarët e bashkive për miratimin e masave të rrepta kufizuese, për të frenuar përhapjen e sëmundjes.

11:25 13.5.2020

Ndalohen 17 persona që s'i respektuan masat kundër koronavirusit

Gjatë 24 orëve të fundit, Policia e Kosovës tha se ka ndaluar 17 persona, të cilët nuk i kanë respektuar masat e vendosura nga autoritetet për të frenuar përhapjen e mëtejme të koronavirusit.

Në njoftimin e policisë thuhet se numri më i madh i personave që nuk i respektuan masat është nga Komuna e Prizrenit, përkatësisht 12 vetë.

Ndërkaq, në Pejë janë ndaluar tre persona dhe në Mitrovicë të Jugut dhe atë të Veriut nga një person.

Në Kosovë, që nga 4 maji ka nisur faza e parë e lehtësimit të masave kundër COVID-19, sëmundjes që e shkakton koronavirusi.

Qytetarët kanë të drejtë të dalin tre orë në ditë dhe orari i qarkullimit është i rregulluar në bazë të shifrës së parafundit të numrit personal të letërnjoftimit.

Në fazën e parë, po ashtu është lejuar rihapja e disa bizneseve.

Faza e dytë pritet të nisë nga 18 maji deri më 2 qershor, ndërsa e treta më 2 qershor.

Megjithatë, Ministria në detyrë e Shëndetësisë paralajmëroi se mund të ashpërsojë masat e izolimit, nëse rritet numri i të infektuarve me koronavirus.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në Kosovë janë konfirmuar 919 raste me koronavirus; 671 pacientë janë shëruar dhe 29 kanë vdekur.

10:52 13.5.2020

Demokratët në SHBA propozojnë ndihmë të re për trajtimin e pasojave nga koronavirusi

Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara propozuan një paketë të re të ndihmës, për trajtimin e pasojave nga koronavirusi.

Paketa në vlerë prej tre trilionë dollarësh vjen në kohën e shqetësimeve në rritje për ndikimin ekonomik të pandemisë.

Ajo përfshin afro një trilion dollarë ndihmë për qeveritë lokale dhe shtetërore, miliona dollarë për testimin e njerëzve dhe miliona të tjerë për familjet dhe bizneset e vogla.

Megjithatë, paketa e ndihmës u kundërshtua nga republikanët e Senatit amerikan.

Udhëheqësi i shumicës në senat, Mitch McConnell, tha se ajo është "një listë dëshirash partiake", pa asnjë shans për t’u miratuar.

Dhoma e Përfaqësuesve do të mblidhet më 15 maj dhe do të votojë për paketën.

Kryetarja e Dhomës, Nancy Pelosi, tha se paketa është e nevojshme për të përballuar “sfidat e papara sociale dhe ekonomike që ka shkaktuar koronavirusi në Shtetet e Bashkuara”.

Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka ndarë tashmë tre trilionë dollarë për trajtimin e pasojave të koronavirusit dhe republikanët thonë se duan të shohin ndikimin e kësaj shume, përpara se të miratojnë të reja.

SHBA-ja është vendi më i goditur në botë nga koronavirusi, me mbi 1.3 milion njerëz të infektuar dhe mbi 82,000 viktima.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG