Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
13:56 13.5.2020

Numri i të infektuarve të rinj në Gjermani mbetet nën 1,000

Gjermania regjistroi 798 raste të reja të të infektuarve me koronavirus në 24 orët e fundit, njoftuan autoritetet.

Sipas tyre, numri i viktimave u rrit për 101, përkatësisht në 7,634.

Të dyja shifrat janë në përputhje me statistikat e ditëve të kaluara.

Në total, Gjermania ka konfirmuar mbi 171,000 raste me koronavirus.

Shumica e tyre tashmë janë shëruar dhe rreth 18,000 raste mbeten aktive.

Gjermania ka nisur të lehtësojë masat e izolimit.

Berlin, Gjermani
Berlin, Gjermani

13:44 13.5.2020

BERZH: Shqipëria me rënien më të madhe ekonomike në Ballkan

Vendet e Ballkanit do të bien në recesion gjatë vitit 2020, për shkak të krizës së koronavirusit.

Shqipëria, sipas parashikimeve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), do të pësojë tkurrjen më të madhe, ndërsa rritja e saj ekonomike do të zbresë në -9 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Sipas raportit të publikuar të mërkurën, “ekonomia shqiptare do të preket ndjeshëm nga epidemia, si pasojë e varësisë së saj të lartë nga turizmi dhe fasoneria".

"Një reduktim i pritshëm i dërgesave nga emigrantët do të ndikojë gjithashtu në rënie”, vlerëson raporti, sipas të cilit, “rimëkëmbja do të varet nga lehtësimi gradual i masave në vend për ndalimin e përhapjes së virusit dhe kthimi në normalitet në gjysmën e dytë të vitit”.

Sipas parashikimeve të BERZH-it, ekonomia shqiptare mund të ketë një rimëkëmbje të shpejtë, duke u rritur me 12 për qind në vitin e ardhshëm.

Sa i përket Kosovës, e cila vitin e kaluar rregjistroi rritjen më të lartë në rajon, BERZH-i parashikon se “efektet e masave që synojnë kontrollimin e pandemisë dhe një rënie e mundshme e dërgesave në para do të rezultojnë me një rënie të Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 5.0% në vitin 2020, për t’iu rikthyer një rritjeje pozitive prej 7.5 për qind më 2021”.

13:11 13.5.2020

Pompeo: Irani, edhe në kohë të koronavirusit, nxit terror

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se Irani po i përdor burimet e tij "për të nxitur terror", edhe pse qytetarët e tij janë duke përjetuar një nga shpërthimet më të këqija të koronavirusit në Lindjen e Mesme.

Pompeo i bëri këto komente në Jerusalem, ku do të takojë kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe zyrtarë të tjerë të Qeverisë së re izraelite për të diskutuar rreth aktiviteteve të Iranit në Lindjen e Mesme, konfliktit në Siri, pandemisë së koronavirusit dhe çështje të tjera.

"Edhe gjatë pandemisë, iranianët janë duke shfrytëzuar burimet e regjimit të ajatollahut, për të nxitur terror në gjithë botën", tha Pompeo përpara takimit me dyer të mbyllura me Netanyahun.

"Kjo tregon shumë për shpirtin e atyre njerëzve që udhëheqin atë vend", tha Pompeo.

Tensionet midis Teheranit dhe Uashingtonit janë përkeqësuar qëkur presidenti amerikan, Donald Trump, ka marrë detyrën në janar të vitit 2017.

Ato kanë arritur kulmin kur Trump është tërhequr nga një marrëveshje bërthamore me Iranin në vitin 2018 dhe ka rikthyer sanksionet ekonomike kundër Republikës Islamike.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, në Izrael.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, në Izrael.

12:49 13.5.2020

Do të kemi sezon turistik veror, premton BE-ja

Komisioni Evropian tha se do të propozojë hapjen graduale të kufijve të BE-së, për t’i dhënë shtytje industrisë së turizmit, e cila është goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit.

Në përpjekje për të frenuar përhapjen e sëmundjes, Bashkimi Evropian i ka mbyllur kufijtë në muajin mars, përfshirë edhe zonën e lëvizjes së lirë, Schengen.

“Mesazh i yni është se ne do të kemi sezon turistik këtë verë, qoftë me kufizime apo me masa të sigurisë”, tha komisionari për Ekonomi i BE-së, Paolo Gentiloni.

Duke folur në një intervistë për gjashtë gazeta evropiane, Gentiloni tha se industria e turizmit në Evropë përballet me një humbje prej 40% të aktivitetit të saj.

Komisionari për Ekonomi i BE-së, Paolo Gentiloni.
Komisionari për Ekonomi i BE-së, Paolo Gentiloni.

Shtetet veç e veç kanë nisur të rihapin kufijtë.

Austria dhe Gjermania janë dy vendet e fundit të BE-së që janë pajtuar për heqjen e kufizimeve në udhëtim.

Nga e premtja, në vendkalimet e tyre kufitare do të ketë kontrolle, ndërsa nga 15 qershori do të rinisë lëvizja e lirë.

“Duam t’ua lehtësojmë jetën e përditshme qytetarëve tanë dhe të ndërmarrim një hap tjetër drejt normalizimit”, tha kancelari austriak, Sebastian Kurz.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG