Merkel kërkon kujdes nga qytetarët pas lehtësimit të masave të izolimit
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, u bëri thirrje gjermanëve të jenë "guximtarë dhe vigjilentë" derisa vendi po del nga izolimi.
Ajo u bëri thirrje atyre që të shmangin një rikthim në kufizime duke respektuar udhëzimet e qeverisë dhe institucioneve shëndetësore, për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri që shkakton sëmundjen COVID-19.
Gjermania filloi të lehtësojë kufizimet e koronavirusit më 20 prill, rreth një muaj pasi ato u vendosën.
Rregulla e distancës fizike mbetet në fuqi.
Disa rajone gjermane kanë qenë më pak të durueshëm se të tjerët, dhe Merkel vazhdimisht ka kërkuar kujdes.
Të mërkurën, ajo tha se nuk duhet rrezikuar atë që është arritur.
"Pra, le të jemi të guximshëm dhe vigjilentë - le të rihapim jetën publike dhe ekonomike dhe të mbajmë gjithmonë në vëmendje zhvillimin e pandemisë", tha ajo.
Gjermania ka shënuar 173,000 të infektuar me koronavirusin e ri dhe 7,756 të vdekur.
Si po përballen shtetet me rritje të papunësisë në kohë koronavirusi?
Shifrat janë të zymta, përtej rritjes së numrit të vdekjeve për shkak të pandemisë me koronavirus.
Në gjithë botën, shtetet janë duke u përballur me efektet e shkaktuara nga virusi në fushën e shëndetit publik dhe mirëqenie, të cilat varen nga ekonomia. Dhe në mesin e dëmit kolateral, të nxitur nga pandemia, shkalla e papunësisë mbetet e lartë.
Gjysma e fuqisë punëtore në botë – rreth 1.6 miliard njerëz – përballen me humbje të financave në gjysmën e parë të vitit 2020, sipas të dhënave të fundit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës.
Ky trup i Kombeve të Bashkuara parashikon një ulje të pashembullt të orëve të punës, që të kombinuara do të ishin të barabarta me 305 milionë vende të plota të punës. Aktiviteti ekonomik do të bie, varfëria relative do të rritet në mesin e të punësuarve, derisa sektorët e goditur më së keqi do të jenë: shitja, prodhimi, rregullimi i makinave, shërbimet e ushqimit dhe patundshmëria.
Dhe situata është gati po aq keq në gjithë globin – Amerika është duke u përballur me humbjen më të madhe të orëve të punës, rreth 12 për qind, Evropa dhe Azia Qendrore, 11,8 për qind dhe rajonet tjera në botë me mbi 9,5 për qind.
Teksa shtetet konsiderojnë mundësi si të mbrojnë shëndetin e qytetarëve dhe qarkullimin ekonomik, ato janë duke shqyrtuar në tavolinë një mori qasjesh.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në këtë link.
Në Kosovë gjatë pandemisë janë kthyer 1,500 persona
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Glauk Konjufca, ka njoftuar në mbledhjen e qeverisë, se deri më tani në Kosovë, nga shtetet e ndryshme, janë kthyer 1,500 persona.
Institucionet e Kosovës kanë organizuar disa riatdhesime duke vendosur shumë nga këta persona në karantinën e cila ndodhet në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.
Konjufca tha se për pak kohë do të kthehen edhe 740 persona të tjerë.
"Ne po e vazhdojmë këtë aktivitet me aq sa po na lejojnë rrethanat dhe aq sa janë kapacitet tona", tha Konjufca.
Konjufca theksoi se kthimi i qytetarëve po bëhen, duke marrë parasysh rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës dhe Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
Regjistrohen 3 të vdekur nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut
Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut ka njoftuar për tre të vdekur nga koronavirusi, gjatë 24 orëve të fundit.
Një burrë i moshës 59 vjeç nga Prilepi dhe një grua 68 vjeçe nga Tetova kanë ndërruar jetë rrugës për në Klinikën Infektive në Shkup, ku po ashtu ka vdekur një tjetër person i moshës 76 vjeç nga Velesi, i cili ishte në spital nga data 6 maj.
Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi, ka arritur në 95.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, në 24 orëve të fundit, 20 persona kanë rezultuar pozitiv me koronavirus; 10 raste janë regjistruar në Shkup, 5 në Prilep, 4 në Tetovë dhe 1 në Veles.
Instituti i Shëndetit Publik brenda 24 orëve të fundit ka regjistruar 24 të shëruar nga Covid-19.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, nga 1694 të infektuar me koronavirus 1229 janë shëruar ndërsa 370 janë ende aktiv.