Kroaci: Gjashtë raste të reja, tre vdekje nga koronavirusi
Kroacia ka regjistruar edhe gjashtë persona me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve në këtë vend ka arritur në 2,213, ka njoftuar ministri i Shëndetësisë së Kroacisë, Vili Berosh.
Gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar tre të vdekur, një grua 93 - vjeçare në Split, një grua 84 - vjeçare në Koprivnica dhe një burrë 83 - vjeç në Zagreb.
Numri i përgjithshëm i vdekjeve në Kroaci është 94.
Ministri Berosh bëri të ditur se aktualisht në spitale janë të shtrirë 150 persona.
Ekonomia britanike rrezikon një "recesion të madh"
Kancelari britanik, Rishi Sunak, tha se është shumë e mundshme që ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar të jetë futur në një recesion të thellë.
Komentet pasojnë të dhënat e Zyrës së Statistikave Kombëtare që trgojnë se ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar është tkurrur për 2 për qind në tremujorin e parë të këtij viti.
Ky rezultat thuhet se paraqet ritmin më të shpejtë të tkurrjes që nga kriza financiare e vitit 2008.
Duke folur për BBC-në, Sunak tha se “vetëm pak ditë të ndikimit të koronavirusit në mars” kanë çuar në rënie të ekonomisë.
"Tani ka shumë të ngjarë që ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar të përballet me një recesion të madh këtë vit”, tha Sunak.
Pandemia e koronavirusit ka bërë që pjesa më e madhe e ekonomisë britanike të mbyllet.
Lehtësimi i masave të izolimit ka nisur këtë javë, edhe pse numri i viktimave nga koronavirusi ka arritur në mbi 32,700 - që është më i larti në Evropë.
Mbretëria e Bashkuar është po ashtu ndër vendet me numrin më të madh të të infektuarve, me mbi 227,000.
Maqedonia e Veriut lehtëson një sërë masash
Në Maqedoninë e Veriut nga sot ka nisur faza e parë e lehtësimit të masave kundër koronavirusit.
Lehtësimi i masave është bërë sipas kushteve të përcaktuara nga Komisioni i Sëmundjeve Infektive dhe është miratuar nga qeveria.
Punën e kanë rinisur qendrat tregtare – por jo dhe restorantet dhe kafenetë që gjenden në to – organet e administratës, auto-shkollat, trajnimet për sportet individuale në hapësira publike, bastoret sportive përmes sistemit të sporteleve, qendrat për edukim, trajnim dhe seminare për të rritur, Enti për Rehabilitim dhe sektorë të tjerë.
Nisja e lehtësimit të masave është mirëpritur nga bizneset, të cilat thonë se po përballen me pasoja të rënda ekonomike dhe rënie të vëllimit të punës.
Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.
Iftar virtual me nënën
Në pamundësi të takohen dhe të bëjnë iftar së bashku, Arnesa dhe nëna e saj Sanija nga Mitrovica kanë zgjedhur metodën virtuale për të bërë iftar së bashku, duke biseduar përmes kamerës së telefonit.