OBSH: Botën e pret një rrugë e gjatë përballjeje me pandeminë
Botën e pret një "rrugë e gjatë" për të vënë nën kontroll pandeminë e koronavirusit, ka thënë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Kreu i programit të emergjencave në OBSH, Mike Ryan, tha se rreziku nga COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri, mbetet i lartë "në nivel kombëtar, rajonal dhe botëror".
"Ajo që ne të gjithë i frikësohemi është hyrja në një cikël të keq të shëndetit publik dhe katastrofave ekonomike në raste se masat e izolimit janë lehtësuar pa e pasur aftësinë për të zbuluar shpërthime të reja të përhapjes së virusit", tha Ryan.
Qeveritë në të gjithë botën janë duke u përpjekur të rihapin ekonomitë e tyre ndërsa ende përballen me përhapjen e virusit, i cili ka infektuar 4.29 milionë njerëz në të gjithë botën.
Komisioni Evropian tha se do të propozojë hapjen graduale të kufijve të BE-së, për t’i dhënë shtytje industrisë së turizmit, e cila është goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit.
Por, ekspertët e shëndetit publik thonë se nevojitet kujdes për të shmangur shpërthimet e reja të epidemisë.
"Ne duhet ta mbajmë në mendje se do të marrë ca kohë për të dalë nga kjo pandemi", tha Maria van Kerkhove, një epidemiologe e OBSH-së.
Partitë thonë se Vetëvendosje organizoi tubim të paligjshëm në Prishtinë
Partitë politike në Kosovë kanë reaguar pas një organizimi të martën para objektit të Qeverisë së Kosovës në Prishtinë, të cilin e kishte organizuar Lëvizja Vetëvendosje.
Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se vikendin e kaluar policia kishte ndërhyrë ndaj disa bujqve në Rahovec në ndërkohë që sipas tij, nuk pati asnjë reagim ndaj qindra personave që u mblodhën në Prishtinë në një aksion që nga aktivistët e Vetëvendosjes u cilësua si “provë për protestë”.
“Ministri i Shëndetësisë, që menaxhon urgjencën e shëndetit publik, nuk e tha asnjë fjalë. Kurse Kryeministri ne ikje ishte sigurisht i zënë me dërgimin e letrave nëpër botë. Apo ndoshta paradat politike për te intimiduar demokracinë nuk i nënshtrohen ligjit?”, ka shkruar Hoti.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në këtë link.
Rusi: 100 vjeçarja shërohet nga koronavirusi
Një grua 100 vjeçare është shëruar nga koronavirusi i ri në një spital të Moskës në Rusi.
Spitali njoftoi se, Pelageya Poyarkova, e përfundoi trajtimin mjekësor dhe dalja e saj nga spitali përkoi me 100 vjetorin e lindjes së saj.
Televizioni rus tregoi pamje të gruas së moshuar, e cila kishte vendosur një maskë mbrojtëse dhe në dorë mbante një tufë me trëndafila të kuq, ndërsa dilte nga spitali me një karrocë.
Ajo u përshëndet nga mjekë dhe gazetarë të shumtë, raporton AFP.
Poyarkova ishte infektuar nga një pacient në një spital tjetër, ku ajo ishte duke marrë një trajtim rutinë.
E lindur në Moskë, gruaja e moshuar tani jeton me vajzën dhe dhëndrin e saj. Burri i saj u vra në Luftën e Dytë Botërore, duke e lënë atë të kujdeset vetëm për fëmijën e saj, tha spitali.
Deri të mërkurën Rusia ka raportuar 242,271 raste të të infektuarve me COVID-19, sëmundja që e shkakton koronavirusi i ri.
Koronavirusi i ri është veçanërisht i rrezikshëm për njerëzit e moshuar dhe ata me sëmundje kronike.
Teatri s’ndalet as në kohën e pandemisë
Sallat e Teatrit Kombëtar të Kosovës janë boshe, si pasojë e pandemisë së koronavirusit të ri, por ky institucion nuk e ka ndalur punën dhe shfaqjet po i transmeton drejtpërsëdrejti në rrjete sociale. Aktori Adrian Morina i fton qytetarët që t’i shikojnë shfaqjet në kohën sa ata janë në izolim.