Shënohen tetë raste të reja me koronavirus në Kosovë
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) njofton për tetë raste të reja të konfirmuara pozitiv me koronavirusin e ri.
Sipas IKSHPK-së, personat që rezultuan pozitivë janë raste kontakti, katër nga komuna e Rahovecit, dy nga Mitrovica dhe dy nga komuna e Vushtrrisë.
IKSHPK njofton se janë testuar gjithsej 255 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.
Për dallim nga ditët e kaluara, të mërkurën nuk është raportuar për ndonjë rast që është shëruar nga COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi.
Që nga shfaqja e rastit të parë me koronavirus në Kosovë janë testuar gjithsej 10,642 mostra dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 927 raste, me gjithsej 29 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.
Në Kosovë, që nga 4 maji ka nisur faza e parë e lehtësimit të masave kundër COVID-19, sëmundjes që e shkakton koronavirusi.
Qytetarët kanë të drejtë të dalin tre orë në ditë dhe orari i qarkullimit është i rregulluar në bazë të shifrës së parafundit të numrit personal të letërnjoftimit.
Në fazën e parë, po ashtu është lejuar rihapja e disa bizneseve.
Faza e dytë pritet të nisë nga 18 maji deri më 2 qershor, ndërsa e treta më 2 qershor.
Megjithatë, Ministria në detyrë e Shëndetësisë paralajmëroi se mund të ashpërsojë masat e izolimit, nëse rritet numri i të infektuarve me koronavirus.
Ndërkohë është raportuar për 671 persona të shëruar.
IKSHPK, iu bën thirrje qytetarët të vazhdojnë respektimin e masave parandaluese duke përfshirë bartjen e maskave dhe respektimin e distancës fizike prej së paku dy metrash.
Rritje e lehtë e numrit të viktimave në Itali
Të mërkurën në Itali janë regjistruar 195 të vdekur nga sëmundja COVID-19 që e shkakton koronavirusi i ri.
Agjencia e Mbrojtjes Civile tha se kjo shifër shënon një rritje të lehtë të numrit të viktimave, për dallim nga një ditë më parë, ku ishin shënuar 172 të vdekur.
Epidemia e koronavirusit në Itali shpërtheu më 21 shkurt dhe që nga atëherë janë regjistruar 31,106 viktima.
Numri i përgjithshëm i personave që janë infektuar me koronavirusin e ri ka arritur në 222,104.
Agjencia tha se 1.779 milion njerëz janë testuar deri më tani.
Rreth 5% e popullatës spanjolle kanë imunitet ndaj koronavirusit
Në bazë të rezultateve paraprake të një hulumtimi në Spanjë, vetëm rreth 5 për qind e popullatës kanë fituar imunitet ndaj koronavirusit të ri.
Ministria e Shëndetësisë në Spanjë tha se rezultatet dallonin mes rajoneve.
Studimi, i kryer nga Instituti i Shëndetit Carlos III dhe Instituti Kombëtar i Statistikave, filloi më 27 prill dhe kishte si synim testimin e 90,000 njerëzve për praninë e antitrupave që luftojnë virusin.
Testimi mund të ndihmojë qeverinë që të vlerësojë masën e vërtetë të epidemisë, duke marrë parasysh edhe ata që mund të jenë imun ose rezistent ndaj infeksionit.
Spanja është ndër vendet më të goditura në botë nga pandemia e koronavirusit të ri.
Në bazë të të dhënave nga Universiteti John Hopkins në SHBA, Spanja deri më tani ka regjistruar 228,030 persona të infektuar me koronavirusin e ri.
Numri i viktimave ka arritur në 26,920.
Kosovë: Punëtorët shëndetësorë ofrojnë ndihmë për Luginën e Preshevës
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) është shprehur e interesuar që pjesëtarë të saj të shkojnë për të ndihmuar shqiptarët në Luginë të Preshevës, rreth parandalimit të pandemisë së koronavirusit të ri.
Kryetari i FSSHK-së, Blerim Syla ka kërkuar nga kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë, Arben Vita dhe ministri i punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, që të mundësohet një vizitë monitoruese në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Në letrën e drejtuar Kurtit, Vitisë dhe Konjufcës, Syla thotë se vizita në Luginë të Preshevës do të kishte për qëllim, njohjen nga afër me gjendjen e qytetarëve shqiptarë gjatë pandeminë COVID-19, sëmundjes që e shkakton koronavirusi i ri.
“Ne dëshirojmë të njoftohemi nga dora e parë se a janë testuar dhe si po menaxhohet situata atje. Po ashtu, ofrojmë edhe ndihmën tonë profesionale, në koordinim të plotë me udhëzimet dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës”, thuhet në letrën e Sylës.
FSSHK përmend si argument edhe ardhjen e punëtorëve shëndetësor nga Serbia në Kosovë për të monitoruar situatën në komunat e banuara kryesisht me serbë.
Ditë më parë, Qeveria e Kosovës ndau 500 mijë euro për Luginën e Preshevës, si mbështetje financiare për përballimin e gjendjes së krijuar nga pandemia e koronavirusit të ri.