Nuk ka datë për rifillimin e garave sportive në Kosovë
Institucionet e Kosovës ende nuk kanë bërë të ditur ndonjë datë për rifillimin e garave sportive të cilat u ndërprenë në muajin mars, për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri.
Vendosja e një date nuk u bë e mundur as pas takimit të së mërkurës në mbrëmje ndërmjet të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi si dhe Përfaqësuesve të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe të Komitetit Olimpik.
Në njoftimin për media pas takimit, thuhet se kryetari i FFK-së, Agim Ademi shprehu nevojën që ndeshjet e futbollit të mbahen sa më parë për shkak të afateve që i ka vendosur UEFA për mbylljen e këtij edicioni garues.
Në njoftim thuhet se ministri i Shëndetësisë, Vitia e ka informuar komunitetin sportiv se po ndërmerren të gjitha veprimet e duhura që gradualisht të rifillojnë edhe aktivitetet sportive, në pajtim me rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Garat sportive, tubimet dhe ngjarjet kulturore janë ndërprerë që nga muaji mars kur në Kosovë u shfaqën rastet e para me koronavirusin e ri. Shumë vende evropiane janë duke kaluar nëpër një proces të lehtësimit të masave sa i takon kufizimeve të lëvizjes dhe organizimit të aktiviteteve sportive.
Liga Gjermane e Futbollit mbetet ndër të parat që do të fillojë ndeshjet sportive me 16 maj, me dyer të mbyllura dhe pa publik.
Protesta në mbarë botën kundër izolimit
Qeveritë në të gjithë botën po përballen me presionin në rritje, për të hequr bllokimet që synojnë parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri.
Arrestimi i priftërinjëve nxit trazira në Mal të Zi
Policia e Malit të Zi ka përdorur gazin lotsjellës ndaj qytetarëve në Nikshiq dhe Prevle të Malit të Zi të cilët kundërshtonin arrestimin e disa priftërinjëve të Kishës Ortodokse Serbe.
Policia e Malit të Zi përmes një postimi në Twitter tha se gjatë përleshjeve janë plagosur 4 policë.
"Sonte, qytetarët u mblodhën në Prevlje dhe në drejtim të policisë hodhën gurë, shishe qelqi dhe pajisje piroteknike Si rezultat u plagosën 4 oficerë. Një veprim i shpejtë i policisë siguroi vendosjën e rregullit. Arrestimi i atyre që janë përgjegjës për këtë incident është duke u zhvilluar", thuhet në njoftimin e policisë.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në këtë link.
Zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë dalin negativ në testin për koronavirus
Ministria e Drejtësisë në Kosovë ka njoftuar se të gjithë zyrtarët e kësaj ministrie të cilët janë testuar nga Instituti Kombëtar për Shëndetësi Publike të Kosovës (IKSHPK), kanë rezultuar negativ në testimin për COVID-19, sëmundje që e shkakton koronavirusi i ri.
Testimi i këtyre zyrtarëve u bë pasi ata kishin kontakt me një koleg të tyre në Ministrinë e Drejtësisë i cili me 11 maj rezultoi pozitiv në testin për koronavirus.
Ky institucion njofton se është në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarin i cili ka rezultuar pozitiv dhe se gjendja e tij dhe e familjes së tij është stabile.
Pas shfaqjes së rastit pozitiv në Ministrinë e Drejtësisë, ky institucion thotë se ka ndërmarrë të gjitha masat e parapara nga IKSHPK-ja, duke përfshirë dezinfektimin e ambienteve të punës dhe vendosjen e mjeteve të tjera higjienike.