Më pak se 1,000 të infektuar me koronavirus në Gjermani në 24 orë
Gjermania ka regjistruar 933 raste të reja me koronavirus, duke e çuar shifrën totale të të infektuarve në 172,239.
Numri i të vdekurve është rritur për 89, apo 7,723 në total.
Lakorja e infektimit në këtë shtet është në rënie edhe pas lehtësimit të masave të izolimit më 20 prill.
Nga shpërthimi i pandemisë me koronavirus, Gjermania ka qenë më pak e prekur, në krahasim me fqinjtë e saj perëndimorë.
Mirëpo teksa kufizimet lehtësohen, ekzistojnë shqetësime se numri i të infektuarve mund të rritet sërish.
Trump: Paralajmërimet e Faucit, të papranueshme
Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se një paralajmërimi i ekspertit për sëmundje infektuese, Anthony Fauci, rreth lehtësimit të masave kufizuese shumë shpejt, ka qenë i papranueshëm.
Ai ka akuzuar Faucin se dëshiron “të luajë të gjitha anët e ekuacionit” në dëshminë që ka bërë para ligjvënësve të martën.
Presidenti ka thënë se ka qenë tejet i pakënaqur me deklaratën e Faucit rreth hapjes së shkollave shumë shpejt.
“Unë kam qenë i befasuar nga përgjigja e tij, sepse nuk ka qenë përgjigjje e pranueshme, sidomos kur është fjala për shkollat”, ka thënë presidenti para gazetarëve.
Fauci ka theksuar se është e rëndësishme të mos mendohet se fëmijët janë plotësisht imunë ndaj efekteve të koronavirusit.
Presidenti amerikan synon të lejejë kthimin e banorëve të Shteteve të Bashkuara në punë, andaj edhe ka përshëndetur vendimet e disa governatorëve që mendojnë njëjtë.
Fauci ka thënë të martën para Kongresit se rihapja e parakohshme e ekonomisë amerikane mund të rezultojë me shpërthime tjera të koronavirusit.
Drejtori i Institutit Kombëtar për Sëmundje Infektuese dhe Alergji ka paralajmëruar një panel të Senatit amerikan se shtetet duhet të ndjekin rekomandimet e ekspertëve shëndetësorë dhe të presin derisa të ulet numri i të infektuarve para rihapjes.
“Nëse disa zona, qytete apo shtete, hapen para kohës, pa pasur kapacitetet që të përgjigjjen me efikasitet, shqetësimi im është se ne do të shohim shenja të vogla që mund të kthehen në shpërthime. Pasojat mund të jenë shumë serioze”, ka deklaruar ai.
Sëmundja, Covid-19, që shkakton koronavirusi ka infektuar 1.4 milionë persona në Shtetet e Bashkuara, dhe ka vrarë 84,000 në mesin e tyre.
OBSH: Koronavirusi mund të mos zhduket kurrë
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se koronavirusi “mund të mos zhduket kurrë”.
Duke folur në një konferencë për media të mërkurën, drejtori për Emergjenca në OBSH, Mike Ryan ka bërë paralajmërime dhe jo parashikime se kur mund të zhduket virusi.
Ai ka shtuar se edhe nëse gjendet vaksina, kontrollimi i virusit do të kërkojë “përpjekje masive”.
Gati 300,000 persona në gjithë botën është raportuar të kenë vdekur me koronavirus, derisa më shumë se 4.3 milionë persona janë infektuar nga ai.
Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se pandemia është duke shkaktuar probleme të mëdha të shëndetit mendor- sidomos në vendet ku ka mungesë të investimeve në kujdes të shëndetit mendor.
OKB-ja ka thënë se qeveritë duhet ta konsiderojnë shëndetin mendor si pjesë të përgjigjjes së tyre të përgjithshme kundër koronavirusit.
Restoranti me një tavolinë në Suedi
Në mënyrë që të respektohet distanca fizike, një çift nga Suedia ka hapur një restorant në një fushë ku ndodhet vetëm një tavolinë dhe ushqimi sillet me anë të një shporte të lidhur me litar nga kuzhina deri te tryeza.