Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
11:00 14.5.2020

Rrezikohen kreditë ndërkombëtare, qeveria nuk mund t’i çojë në kuvend

Qeveria në detyrë e Kosovës është duke negociuar madje edhe aprovuar marrëveshje me disa institucione financiare ndërkombëtare për marrjen e kredive, të cilat do të përdoren për të mbuluar humbjet nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Por, problem mbetet ratifikimi i këtyre marrëveshjeve në Kuvendin e Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë. Qeveria është sponsorja kryesore e ligjeve të cilat miratohen në kuvend.

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, në mbledhjen e qeverisë të mërkurën ka thënë se janë duke punuar për të pasur të hyra shtesë në buxhet për ta përballuar krizën. Deri më tani, sipas tij, kanë negociuar me institucione të ndryshme financiare ndërkombëtare për kredi në vlerë mbi 300 milionë euro.

Çfarë thonë zyrtarë të kuvedit për këtë çështje?

E kuptoni, duke klikuar këtu.

10:25 14.5.2020

SHBA-ja akuzon Kinën për hakim të kërkimeve rreth koronavirusit

Hakerë të lidhur me Kinën janë duke shënjestruar organizata amerikane që po kryejnë kërkime për sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi, kanë thënë autoritetet në Shtetet e Bashkuara.

Byroja Federale e Hetimeve (FBI) dhe Agjencia për Siguri Kibernetike dhe Siguri të Infrastrukturës, kanë thënë se janë duke hetuar “aktorë kibernetikë dhe koleksionistë jotradicionalë” të lidhur me Kinën, që kanë shënjestruar organizata, të cilat kanë kryer kërkime për koronavirusin në Shtetet e Bashkuara.

“Këta aktorë janë vëzhguar teksa kanë qenë duke tentuar që të identifikojnë dhe marrin pronë intelektuale dhe të dhëna të shëndetit publik që lidhen me vaksina, trajtime dhe testime të personelit të lidhur me sëmundjen Covid-19”, që shkakton koronavirusi, është thënë në deklaratë.

Megjithatë, ende nuk janë ofruar shembuj të aktivitetit kibernetik.

Autoritetet amerikane kanë akuzuar vazhdimisht Kinën për spiunim kibernetik, me qëllim të vjedhjes së pronës intelektuale.

Kina në anën tjetër mohon këto pretendime.

Ambasada kineze në Uashington, i ka konsideruar pretendimet e fundit si “gënjeshtra”.

Pandemia me koronavirus ka thelluar mospajtimet në mes të këtyre dy shteteve, pasi presidenti amerikan, Donald Trump akuzon Kinën se është përgjegjëse për përhapje të virusit në gjithë botën.

Kjo krizë ka shtuar presionin edhe në marëveshjen tregtare në mes të SHBA-së dhe Kinës, të nënshkruar në muajin janar.

Shtëpia e Bardhë dhe ligjvënësit republikanë kanë sugjeruar sanksione ekonomike dhe masa tjera të ashpra kundër Kinës, vendit ku ka shpërthyer pandemia me koronavirus vitin e kaluar.

09:44 14.5.2020

Policia ndalon 28 persona, nuk respektuan rregullat kundër koronavirusit

Policia e Kosovës ka ndaluar 28 persona, të cilët nuk kanë respektuar masat e vendosura nga autoritetet, që kanë për qëllim luftimin e koronavirusit.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, në Komunën e Prizrenit është numri më i madh i të ndaluarve, përkatësisht 17 persona.

Në Gjilan janë ndaluar shtatë persona, në Pejë tre dhe një person që nuk ka respektuar masat është ndaluar në Gjakovë.

Në Kosovë, që nga 4 maji ka nisur faza e parë e lehtësimit të masave kundër sëmundjes, COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Qytetarët kanë të drejtë të dalin tre orë në ditë dhe orari i qarkullimit është i rregulluar në bazë të shifrës së parafundit të numrit personal të letërnjoftimit.

Në fazën e parë, po ashtu është lejuar rihapja e disa bizneseve.

Faza e dytë pritet të nisë nga 18 maji deri më 2 qershor, ndërsa e treta më 2 qershor.

Megjithatë, Ministria në detyrë e Shëndetësisë ka paralajmëruar se mund të ashpërsojë masat e izolimit, nëse rritet numri i të infektuarve me koronavirus.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në Kosovë janë konfirmuar 927 raste me koronavirus; 671 pacientë janë shëruar dhe 29 kanë vdekur.

09:09 14.5.2020

Njëmbëdhjetë pacientë të shtrirë me koronavirus në QKUK

Dy nga 11 pacientët e infektuar me koronavirus janë në gjendje të rëndë në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Ata janë duke u trajtuar me mjekim intensiv.

Dy pacientë tjerë janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive derisa shtatë tjerët kanë gjendje stabile shëndetësore.

Sipas të dhënave të fundit, në Kosovë janë regjistruar 927 raste me koronavirus; 671 persona janë shëruar dhe 29 pacientë kanë vdekur.

Në Kosovë rastet e para me koronavirusin e ri u shfaqën më 13 mars.

Për të frenuar përhapjen e mëtejmë të virusit, autoritetet kanë shpallur gjendje emergjente të shëndetit publik.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG