Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
16:03 14.5.2020

Policia malazeze arreston rreth 60 persona për protestat e dhunshme

Policia e Malit të Zi ka arrestuar rreth 60 persona, për shkak të protestave të dhunshme më 13 maj, përmes të cilave u kërkua lirimi i tetë priftërinjve të Kishës Ortodokse Serbe.

Përleshjet mes protestuesve dhe policisë ndodhën në qytetet: Nikshiq dhe Plevle.

Njëzet e gjashtë policë u plagosën gjatë përleshjeve, tha në një deklaratë policia, duke shtuar se njëri prej policëve të plagosur është shtruar në spital.

Tetë priftërinj në Mal të Zi mund të përballen me 12 vjet burgim për shkeljen e urdhrave të shëndetit publik, pasi drejtuan një liturgji të paligjshme, nëpër rrugët e qytetit Nikshiq.

Mijëra besimtarë të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, injoruan masën e ndalimit të tubimeve publike të cilën qeveria e ka vendosur për të parandaluar përhapjen e koronavirusit dhe morën pjesë në një liturgji fetare.

Tetë priftërinj në Mal të Zi mund të përballen me burgim
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:00:58 0:00

Beogradi ka kritikuar ashpër arrestimin e tetë zyrtarëve të Kishës Ortodokse Serbe.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe Patriarku ortodoks serb Irinej, thanë në një deklaratë të përbashkët se "shfaqin shpresën se arrestimet nuk do të shkaktojnë ndonjë "trazirë ose përleshje të padëshiruar".

Arrestimet pasojnë tensionet e vazhdueshme midis autoriteteve pro-perëndimore të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe.

Në fillim të këtij viti, Kisha Ortodokse Serbe zhvilloi për disa javë protesta në Mal të Zi kundër një ligji për Liritë Fetare.

Kisha Ortodokse serbe – e cila dominon për kohë të gjatë jetën fetare në Mal të Zi - pretendon se ligji do t’i marrë asaj pronën, duke përfshirë manastiret dhe kishat.

15:46 14.5.2020

Siriani që gjeti ‘belanë’ në Kosovë

Për më shumë se dy muaj, një i ri sirian është duke qëndruar në një spital në Prishtinë. Ai pësoi lëndime në këmbë në momentin kur hyri në Kosovë. Dëshira e tij është të vazhdojë rrugëtimin për në vendet e Evropës Perëndimore.​

Siriani që gjeti ‘belanë’ në Kosovë
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:02:17 0:00

15:17 14.5.2020

Situata epidemiologjike në Kroaci "shumë e mirë"

Kroacia gjatë 24 orëve të kaluara ka regjistruar tetë raste të reja me koronavirusin e ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve, që nga fillimi i pandemisë, ka arritur në 2,221, tha Maja Bujeviq, shefe e Shtabit të Mbrojtjes Civile në Kroaci.

Ajo tha se të shtruar në spital janë 146 persona, katër më pak se një ditë më parë.

Zagrebi gjatë kohës së pandemisë.
Zagrebi gjatë kohës së pandemisë.

Deri më tani në Kroaci janë regjistruar 94 viktima nga COVID-19, por gjatë 24 orëve të fundit nuk është shënuar asnjë vdekje.

Drejtori i Institutit kroat të Shëndetit Publik, Krunoslav Capak, vlerësoi se situata epidemiologjike në Kroaci është "shumë e mirë".

14:52 14.5.2020

Franca nuk pranon që SHBA-ja të ketë më shumë qasje në vaksinën kundër Covid-19

Ministrja franceze, Agnès Pannier-Runacher ka thënë se për Francën do të ishte e papranueshme që gjiganti francez i ilaçeve, Sanofi t’i japë prioritet tregut të Shteteve të Bashkuara nëse zhvillon vaksinën kundër sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Ajo i ka bërë këto komente pasi shefi i kompanisë Sanofi, Paul Hudson, ka thënë se “Qeveria amerikane ka të drejtë për të bërë porosinë më të madhe, sepse ka investuar në marrjen e rrezikut”.

Aktualisht, shumë laboratore janë të përfshira në kërkimet për gjetje të vaksinës për këtë virus, ndonëse këto të fundit marrin disa vjet për t’u krijuar.

“Për neve, do të ishte e papranueshme që të ketë qasje të privilegjuara për ndonjë shtet, për arsye financiare”, ka thënë Pannier-Runacher për radion franceze, Sud.

Më herët gjatë këtij muaji, Bashkimi Evropian ka mbajtur një samit online, për të shtyrë përpara kërkimet rreth vaksinës dhe trajtimit të koronavirusit, andaj edhe janë ndarë rreth 8 miliardë dollarë nga 40 shtete dhe donatorë të ndryshëm.

Mbretëria e Bashkuar ka qenë pjesë e samitit, por jo edhe Shtetet e Bashkuara, apo Rusia.

Bashkimi Evropian ka insistuar të enjten se të gjitha shtetet duhet të kenë qasje të barabartë në vaksinë.

“Vaksina kundër koronavirusit duhet të jetë e mirë publike globale dhe qasja në të duhet të jetë e barabartë dhe universale”, ka thënë zëdhënësi i Komisionit Evropian, Stefan de Keersmaecke.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG