Tetëdhjetëvjeçarja që ndihmon njerëzit në izolim
Prej kur ka filluar izolimi i njerëzve nëpër shtëpi në Rusi, një 80-vjeçare është duke ndihmuar me ushqime ata që kanë nevojë. Me furgonin e saj, ajo bart ushqimin nëpër disa shtëpi.
Italia shpreh gatishmëri për të ndihmuar Kosovën rreth pandemisë
Ambasadori i Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, ka bërë të ditur se vendi tij është duke ndërmarrë veprime për të ndihmuar Kosovën, në menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit të ri.
Ambasadori Orlando, gjatë një takimi me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti ka kërkuar nga qytetarët që të vazhdojnë me respektimin e masave të vendosura nga qeveria për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit të Kosovës.
Në takim, kryeministri në detyrë, Kurti, ka thënë se pas hartimit dhe zbatimit të Pakos Emergjente Fiskale, Qeveria e Kosovës ka filluar diskutimin gjithëpërfshirës për hartimin e pakos së dytë, atë të rimëkëmbjes së ekonomisë.
Ekspertët thonë se rimëkëmbja ekonomike pas përfundimit të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi, do të jetë sfidë për Kosovën.
Shumica e bizneseve në Kosovë, gati në të gjithë sektorët, kanë raportuar vlera të mëdha të humbjeve financiare dhe zvogëlim të kapaciteteve prodhuese që nga 13 marsi kur u vendosen masat në kufizimin e lëvizjes dhe e si pasojë u pezulluan shumë veprimtari ekonomike.
BE-ja po e vëzhgon nga afër situatën në Mal të Zi
Bashkimi Evropian (BE) do të "vëzhgojë nga afër zhvillimet" në Mal të Zi, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian (KE) Ana Pisonero.
"Ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje dhe të respektojnë sundimin e ligjit. Të gjitha shkeljet e mundshme të ligjit, duhet të zgjidhen nga institucionet kompetente, në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe standardet ndërkombëtare ", tha Pisonero gjatë një konference për media në Bruksel.
Në mërkurën në disa qytete malazeze, përkrahësit e Kishës Ortodokse Serbe zhvilluan protesta të dhunshme duke kërkuar lirimin e tetë priftërinjëve, të cilët u arrestuan një ditë më parë.
Ata mund të përballen me 12 vjet burgim për shkeljen e urdhrave të shëndetit publik, pasi drejtuan një liturgji të paligjshme, nëpër rrugët e qytetit Nikshiq.
Mijëra besimtarë të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, injoruan masën e ndalimit të tubimeve publike, të cilën qeveria e ka vendosur për të parandaluar përhapjen e koronavirusit dhe morën pjesë në liturgji.
Beogradi ka kritikuar ashpër arrestimin e tetë zyrtarëve të Kishës Ortodokse Serbe.
Arrestimet pasojnë tensionet e vazhdueshme midis autoriteteve pro-perëndimore të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe.
Në fillim të këtij viti, Kisha Ortodokse Serbe zhvilloi për disa javë protesta në Mal të Zi kundër një ligji për Liritë Fetare.
Trump kërcënon me ndërprerje të raporteve me Kinën
Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka akuzuar përsëri Kinën për trajtimin që i ka bërë pandemisë së koronavirusit, duke kërcënuar se do t'i japë fund marrëdhënieve me Pekinin.
"Ka shumë gjëra që mund të bëjmë. Ne mund të ndërpresim tërë marrëdhënien", tha Trump në intervistën për televizionin Fox Business.
Më herët u njoftua se rreth 36 milionë amerikanë janë regjistruar si të papunë, që nga shpërthimi i epidemisë së koronavirusit në SHBA, në mesin e muajit mars.
Shifrat e fundit të papunësisë vijnë dy javë pasi të dhënat treguan se ekonomia amerikane u tkurr 4.8 për qind në tremujorin e parë të vitit 2020.
Shtetet e Bashkuara janë prekur më së keqi në botë nga sëmundja Covid-19, që e shkakton koronavirusi.
Sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins, në Shtetet e Bashkuara, deri më tani, janë konfirmuar 1,391,238 raste të të infektuarve.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shtuar së fundmi kritikat kundër Kinës, duke thënë se ky shtet nuk ka bërë mjaftueshëm për të ndalur koronavirusin, kur është shfaqur për herë të parë në Vuhan dhe Hubei.
Ai ka thënë më 1 maj se ka parë prova që i japin atij një "shkallë të lartë besimi" se koronavirusi doli nga një laborator kinez i virologjisë.
Derisa zyrtarët kinezë kanë pranuar se ende nuk ka një përgjigje përfundimtare se nga e kishte origjinën sëmundja, shumica e ekspertëve besojnë se koronavirusi e ka origjinën në një treg të kafshëve të egra në Vuhan.