Shkencëtari izraelit zbulon testin e shpejt të koronavirusit, rezultati për 20 sekonda
Shkencëtari izraelit, Gabby Sarusi, ka zbuluar një test shumë të shpejt të sëmundjes COVID-19, që jep një rezultat pozitiv ose negativ në më pak se një minutë, dhe madje edhe pas 20 sekondash, raportojnë mediat izraelite.
Në një deklaratë të Universitetit Ben Gurion në Izrael, thuhet se kjo pajisje testimi fillimisht duhet të miratohet, një proces që zgjat dy deri në tre muaj.
Prodhimi i testit mund të fillojë në shtator ose tetor.
Vlerësohet se një pajisje mund të japë rezultatet e 4500 testeve në ditë, nëse llogaritet se një test zgjat 20 sekonda.
Pajisja kryesore do të kushtojë rreth 400,000 dollarë, dhe secili test 40 deri 50 dollarë amerikan, parashikon profesori Sarusi.
Deri më tani, testi ka treguar një saktësi prej 90 për qind dhe është provuar në një mostër prej 120 izraelitësh, nga të cilët 45 për qind ishin të infektuar me koronavirus dhe 55 për qind të shëndetshëm.
Kosovë: 18 raste të reja me koronavirus, 19 të shëruar
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), njofton se janë regjistruar 18 raste të reja të personave të infektuar me koronavirusin e ri.
“Rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Ferizajt 9 raste (sipas vendbanimit: 6 raste Talinoc i jerlive dhe 3 raste Rahovicë), komuna e Gjilanit 6 raste (sipas vendbanimit: 4 raste Gjilan dhe 2 raste Përlepnicë) dhe komuna e Vushtrrisë 3 raste (sipas vendbanimit: 3 raste Vushtrri)”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës bënë të ditur se gjatë 24 orëve të kaluara, 19 persona janë shëruar pasi kanë rezultuar negativ në testet për COVID-19, sëmundja që e shkakton koronavirusi i ri.
Sipas IKSHPK-së, të enjten janë testuar gjithsej 300 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.
Deri me tash në Kosovë janë regjistruar gjithsej 945 raste pozitive me koronavirus, me gjithsej 29 raste të vdekjes së pacientëve të cilët kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese, ndërkohë që janë raportuar 690 persona të shëruar nga COVID-19.
Mbi 300 mijë të vdekur nga koronavirusi në botë
Ka arritur në mbi 300 mijë numri i viktimave në botë, nga sëmundja COVID-19 që e shkakton koronavirusi i ri.
Të dhënat janë bërë të ditura nga Universiteti John Jopkins në Shtetet e Bashkuara.
Deri më tani llogaritet se në të gjithë botën me koronavirusin e ri janë infektuar 4,405,688 persona.
Vendi me numrin më të lartë të të infektuarve është SHBA-ja me 1,400,500 raste dhe 84,985 vdekje.
Pas SHBA-së, rradhiten Rusia, Mbretëria e Bashkuar dhe Spanja.
Përpilimi ditor që bën Universiteti Johns Hopkins për rastet globale me koronavirus është aktualisht më gjithëpërfshirësi në botë, por mbështetet në informacione që ofrojnë qeveritë.
Në shumë vende ka kufizime të informacioneve të tilla ose arsye përse nuk publikohet rrëfimi i plotë.
Metodologjia, shpejtësia, transparenca dhe cilësia e këtyre të dhënave mund të dallojë shumë nga vendi në vend.
Jep dorëheqje kryetari i Komitetit të Inteligjencës së Senatit amerikan
Kryetari i Komitetit të Inteligjencës së Senatit të SHBA-së, republikani, Richard Burr, ka dhënë dorëheqje nga pozita.
Vendimi i tij vjen në kohën kur po zhvillohet një hetim mbi një shitje të aksioneve, pak para rënies së tregjeve financiare, për shkak të pandemisë globale të koronavirusit.
Ai po hetohet nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI) nëse ka përdorur informacionet jopublike për të shitur aksionet dhe për të shmangur humbjet.
"Richard Burr kontaktoi me mua këtë mëngjes për të më informuar për vendimin e tij për t'u larguar si kryetar i Komitetit të Inteligjencës", tha udhëheqësi i shumicës së Senatit, Mitch McConnell në një deklaratë më 14 maj.
"Ne u pajtuam që ky vendim të ishte në interesin më të mirë të komitetit", shtoi McConnell.
Njoftimi për dorëheqje pasoi raportimet se telefoni i Burr-it, është konfiskuar nga ana e FBI-së në shtëpinë e tij në Uashington, si pjesë e hetimit të nisur nga Departamenti i Drejtësisë.
Të dhënat e Senatit tregojnë se Burr dhe gruaja e tij shitën midis afro 600,000 dhe 1.7 milionë dollarë aksione në fund të janarit deri nga mesi i shkurtit, pak para se tregjet financiare të fillonin të bien, nga frika e një krize ekonomike të shkaktuar nga përhapja e koronavirusit.
Disa senatorë të tjerë gjithashtu raportuan se kanë shitur aksione para rënies, por nuk është konfirmuar nëse po hetohen.
Në Shtetet e Bashkuara është e paligjshme për anëtarët e Kongresit të tregtojnë letra me vlerë në bazë të informacionit të fshehtë, që ata marrin gjatë kryerjes së detyrave të tyre zyrtare.