Ekonomia ia sheh sherrin politikës
Kosova është duke kaluar nga një krizë politike në tjetrën dhe kjo ka ngufatur ekonominë e cila sivjet pritet të goditet më së rëndi në dhjetë vjetët e fundit, thonë ekspertë të ekonomisë.
Ekspertët konsiderojnë se humbjet në ekonomi do të jenë edhe më të mëdha gjatë dhe pas pandemisë së COVID-19, derisa institucionet dhe liderët politikë në Kosovë vënë si prioritet çështjet politike dhe lënë anash ato ekonomike.
Kjo situatë, thonë ekspertë të ekonomisë, ka penguar institucionet në gjetjen e alternativave për të ndihmuar ekonominë në këtë kohë krize nga pandemia, ndonëse me këtë vlerësim nuk pajtohen zyrtarë të Qeverisë në detyrë të Kosovës.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në këtë link.
SHBA-ja mund të përballet me "dimrin më të errët" për shkak të pandemisë.
Një ish zyrtar i lartë shëndetësor i SHBA-së i ka thënë Kongresit amerikan se vendi mund të përballet me "dimrin e tij më të errët në historinë moderne" për shkak të koronavirusit.
Rick Bright, ishte udhëheqës i një agjencie qeveritare që bëri përpjekje të zhvillonte një vaksinë, por u shkarkua nga posti i tij, muajin e kaluar.
Ai ka thënë se ishte hequr nga puna për shkak të ngritjes së shqetësimeve, për mënyrën sesi SHBA-ja i është përgjigjur situatës me pandeminë.
Rick Bright ka qenë drejtor i Autoritetit të Kërkimit dhe Zhvillimit të Avancuar Biomjekësor në SHBA.
Ai dëshmoi para një paneli të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan.
Bright i tha nënkomitetit për Shëndetësinë të Dhomës së Përfaqësuesve se për shkak të "mosveprimit" nga ana e autoriteteve në fazat e hershme të pandemisë ka ndodhur "humbje të jetërave" nga koronavirusi.
Ai tha se e kishte ngritur çështjen e mungesës së pajisjeve mjekësore në muajin janar, në "nivelet më të larta" të Departamentit të Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS), por "nuk mori asnjë përgjigje".
Në Shtetet e Bashkuara nga koronavirusi i ri janë infektuar rreth 1.4 milionë njerëz dhe rreth 82 mijë kanë vdekur.
Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili po bën presion që ekonomia e SHBA-së të rihapet shpejt, ka thënë se e ka shkarkuar zyrtarin amerikan pasi ai ishte një "punonjës i pakënaqur".
"Për mua ai nuk është asgjë më shumë se një person me të vërtetë i pakënaqur", tha Trump të enjten para gazetarëve, duke shtuar se ai nuk e njihte personalisht zyrtarin Bright.
Në fillim të kësaj jave, eksperti kryesor për sëmundjet infektive në SHBA, Anthony Fauci, paralajmëroi një komitet të Senatit se një heqje e parakohshme e masave të izolimit, mund të çojë në një shpërthim të përhapjes së koronavirusit. Presidenti Trump të mërkurën e çuajti paralajmërimin e Faucit si të papranueshëm.
Rritet numri i vdekjeve nga koronavirusi në Itali
Italia ka raportuar 262 vdekje të reja nga koronavirusi i ri që e shkakton sëmundjen COVID-19.
Ky është numri më i lartë ditor i vdekjeve që nga data 7 maj.
Numri i përgjithshëm i viktimave në këtë vend ka arritur në 31,368.
Italia është vendi i tretë në botë që është goditur më së keqi nga pandemia e koronavirusit të ri, pas Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Italia filloi të lehtësojë masat e izolimit më 4 maj dhe tani banorëve u lejohet të vizitojnë të afërmit e tyre. Parqet, fabrikat dhe punishtet e ndërtimit janë rihapur.
Franca raporton për 351 vdekje të reja nga koronavirusi
Franca të enjten raportoi 351 vdekje të reja nga koronavirusi, duke e ngritur numrin e përgjithshëm të viktimave në 27.425.
Franca ka numrin e katërt më të lartë të vdekjeve në botë pas Shteteve të Bashkuara (83,720), Mbretërisë së Bashkuar (33,186) dhe Italisë (31.106).
Të hënën Franca ka lehtësuar disa prej masave të izolimit që ishin vendosur për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve, që nga fillimi i pandemisë ka arritur në 141.356.
"Epidemia COVID-19 mbetet aktive dhe virusi po qarkullon ende në Francë," tha ministria e Shëndetësië, përmes një deklarate.
Në kulmin e epidemisë më 31 mars, Franca regjistroi 7,578 persona të infektuar brenda 24 orësh. Qeveria ka thënë se ajo mund të vendosë përsëri në bllokim selektiv nëse nivelet ditore të të infektuarve rriten përsëri në mbi 3,000.