Ndalohen 12 persona që s’i respektuan masat kundër koronavirusit
Për shkak të mosrespektimit të masave të vendosura për të frenuar përhapjen e mëtejme të koronavirusit, Policia e Kosovës ka ndaluar 12 persona.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, në Komunën e Gjilanit janë ndaluar katër persona, ndërkaq në Prizren, Pejë, Gjakovë dhe Mitrovicë të Jugut nga dy persona.
Që nga 4 maji, në Kosovë ka nisur faza e parë e lehtësimit të masave kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi.
Qytetarët kanë të drejtë të dalin tre orë në ditë dhe orari i qarkullimit është i rregulluar në bazë të shifrës së parafundit të numrit personal të letërnjoftimit.
Në fazën e parë, po ashtu është lejuar rihapja e disa bizneseve.
Faza e dytë pritet të nisë nga 18 maji deri më 2 qershor, ndërsa e treta më 2 qershor.
Megjithatë, Ministria në detyrë e Shëndetësisë ka paralajmëruar se mund të ashpërsojë masat e izolimit, nëse rritet numri i të infektuarve me koronavirus.
Deri më tani, në Kosovë janë regjistruar 945 raste me koronavirus. Prej tyre, 690 persona janë shëruar dhe 29 kanë vdekur.
Teste në njerëz dhe kafshë, bota po nxiton ta gjejë vaksinën
Shumë shtete në botë kanë filluar t’i lehtësojnë masat e izolimit ndërkohë që ilaçi Remdesivir në SHBA po jep efekte premtuese në shërimin e personave të prekur me COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri. Ekspertë të OKB-së thonë se pandemia mund t’i lë pa të hyra rreth 1.6 miliard punëtorë në botë. Ndërkohë, shumë shtete në botë po bëjnë teste në njerëz dhe kafshë për të zbuluar vaksinën kundër virusit që ka kapluar gjithë botën.
Sllovenia shpall fundin e epidemisë së koronavirusit
Qeveria sllovene shpalli zyrtarisht fundin e epidemisë së koronavirusit duke u bërë vendi i parë në Evropë që e mori një vendim të tillë.
Autoritetet regjistruan më pak se shtatë raste të reja në ditë, në dy javët e fundit.
Njerëzit të cilët arrijnë në Slloveni nga vendet e tjera të BE-së nuk do të duhet më të zbatojnë një karantinë të detyrueshme për të paktën shtatë ditë, siç ka ndodhur që nga fillimi i prillit, thuhet në njoftimin e qeverisë sllovene.
Por, ata që hyjnë në Slloveni nga vendet që nuk janë anëtare të BE-së, me përjashtim të diplomatëve, duhet të hyjnë në karantinë në periudhë prej 14 ditësh.
Ky vend me dy milionë banorë deri më tani ka regjistruar 1.464 raste të të infektuarve dhe 103 viktima.
Masat e epidemisë u shpallën më 12 mars.
Konfirmohen rastet e para me koronavirus në kampin më të madh të refugjatëve në botë
Dy refugjatë Rohingya kanë rezultuar pozitiv në koronavirusin e ri, në kampin më të madh në botë për refugjatë në Bangladesh, thanë zyrtarët.
Këto janë rastet e para të konfirmuara midis refugjatëve në kampin e Rohingya, tha një mjek qeveritar.
Zyrtarët i thanë BBC-së se personat e infektuar janë izoluar dhe po trajtohen nga ekipet mjekësore.
Rreth 1.900 refugjatë të tjerë tani janë duke u izoluar dhe do të testohen, në kampin që mban rreth 1 milion persona.
Agjencitë humanitare kanë paralajmëruar për javë të tëra në lidhje me ndikimin e mundshëm të koronavirusit në kampin e refugjatëve Rohingya të cilët jetojnë në kushte të këqija, të bllokuar dhe kanë qasje të kufizuar në ujë të pastër.
"Tani që virusi ka hyrë në vendbanimin më të madh të refugjatëve në botë, ne po bëjmë një parashikim që mijëra njerëz mund të vdesin nga Covid-19", tha Shamim Jahan, Drejtori i Organizatës humanitare, Save the Children në Bangladesh.
"Kjo pandemi mund ta kthejë Bangladeshin mbrapa me dekada", tha ai.
Vetëm në vitin 2017, rreth 740,000 myslimanë Rohingya kanë ikur nga Mianmari drejt Bangladeshit, duke thënë se ushtria ua ka djegur fshatrat, i ka dëbuar dhe torturuar.
Mianmari, që njihet edhe si Birmani, është vend me shumicë budiste.