Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
12:22 15.5.2020

Shqipëria paralajmëron rivendosjen e masave të izolimit nëse nuk respektohen rregullat

Autoritetet shëndetësore në Shqipëri kanë thënë se mund të rivendosin masat e izolimit, në rast se do të vazhdojë rritja e numrit të të infektuarve me koronavirusin e ri.

Në 24 orët e fundit në Shqipëri janë regjistruar 18 raste të reja me COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri.

Kjo shifër, sipas ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, është me e lartë se në ditët e kaluara.

"Nëse gjërat vazhdojnë të përkeqësohen sikurse ditët e fundit do të detyrohemi të bëjmë hapa pas. Rregullat janë bërë për tu respektuar dhe jo anashkaluar. Ne nuk e negociojmë shëndetin e qytetarëve me asgjë dhe me askënd", tha Manastirliu.

Ajo tha se si institucione shëndetësore e mbështesin lehtësimin e masave, por vetëm me kushtin që qytetarët të respektojnë rregullat.

"Kam një thirrje për të gjithë qytetarët, fakti që shumë prej jush nuk ka një të afërm, familjarë apo të njohur të prekur nga virusi nuk do të thotë që virusi nuk është i pranishëm. Aq më pak është kjo arsye për të mos zbatuar rregullat dhe për të ulur vigjilencën", ka thënë Manastirliu.

Deri më tani në Shqipëri janë testuar 12 mijë qytetarë dhe prej tyre mbi 900 raste kanë rezultuar pozitiv në COVID-19.

11:25 15.5.2020

Greqi: Dy azilkërkues dalin pozitiv në COVID-19

Dy azilkërkues në ishullin Lesbos të Greqisë kanë rezultuar pozitiv në sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.

Deri më tani janë katër raste të të infektuarve në këtë kamp dhe që të gjithë kanë arritur aty gjatë muajit maj.

Që nga 1 marsi, të gjithë migrantët që arrijnë në Lesbos janë vendosur në karantinë larg kampeve të ishullit.

Greqia deri më tani e ka parandaluar mirë shpërthimin e COVID-19, pasi ka vetëm 2,770 raste të të infektuarve dhe 156 vdekje.

Autoritetet kanë lehtësuar masat e izolimit që ishin vendosur në mes të muajit mars.

Megjithatë, izolimi i kampeve të azilkërkuesve dhe migrantëve është shtyrë deri më 21 maj.

Sipas Kombeve të Bashkuara numri i përgjithshëm i azilkërkuesve dhe migrantëve në Greqi është rreth 120,000.

Qeveria greke ka premtuar se do të transferojë nga ishujt mijëra migrantë dhe azilkërkues, me qëllim të shmangjes së mbipopullimit në kampe.

10:46 15.5.2020

Në Klinikën Infektive po trajtohen 12 pacientë me COVID-19

Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë duke u trajtuar 12 raste me sëmundjen COVID-19.

"Prej tyre 8 raste janë në gjendje stabile, 4 raste janë në trajtim me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive, prej të cilëve, 2 pacientë janë në gjendje më të rënduar dhe janë duke u trajtuar në mjekimin Intensiv të kësaj klinike", thuhet në një njoftim të QKUK-së.

Deri të mërkurën në Kosovë janë regjistruar gjithsej 945 raste pozitive me koronavirus, me gjithsej 29 raste të vdekjes së pacientëve që kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese, ndërkohë që janë raportuar 690 persona të shëruar nga COVID-19.

Në Kosovë rastet e para me koronavirusin e ri u shfaqën më 13 mars.

Për të frenuar përhapjen e mëtejmë të virusit, autoritetet kanë shpallur gjendje emergjente të shëndetit publik.

10:39 15.5.2020

Epidemia e koronavirusit merr hov në Brazil

Brazili raportoi të premten për 13,944 raste të reja me koronavirusin e ri.

Brazili, vendi më i populluar në Amerikën Latine, tani ka gjithsej 202.918 raste të të infektuarve dhe 13.933 vdekje, tregojnë të dhënat e ministrisë së Shëndetësisë.

Ekspertët thonë se vendi është në kulmin e kurbës së pandemisë.

Megjithatë, presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro u ka kërkuar udhëheqësve të biznesit të bëjnë presion për heqjen e urdhrave të izolimit, raporton BBC.

Sipas agjencisë Reuters, Qeveria e Brazilit po shqyrton ndarjen e 2,06 miliardë dollarëve si kredi urgjente për të ndihmuar shërbimet e energjisë të goditura nga kriza e pandemisë.

Kompanitë e shpërndarjes së energjisë kanë kërkuar një paketë ndihme.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG